Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me bashkatdhetarët në Parma.
Në fjalën e tij Berisha iu drejtua emigrantëve shqiptarë në Itali duke u shprehur se ata kanë farkëtuar miqësinë mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Historia e miqësisë mes vendeve tona është frymëzuese dhe e rrallë. Ajo daton 500 vite më parë me pritjen në Itali të arbëreshëve dhe vazhdon pareshtur. Sot ju jeni farkëtuesit e miqësisë, e bashkëpunimit, e afrimit të dy kombeve dhe dy vendeve tona, jeni ambasadorë të shkëlqyer të kombit shqiptar në Itali”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se takime si ky i Parmës tregojnë se PD po rikthehet fuqishëm.
“Këto takime provohen të një rëndësie të jashtëzakonshme. Këto takime po firmosin shpëtimin e Shqipërisë. Po firmosin përmbysjen e narkoshtetit. Kjo sepse jo vetëm se vota juaj është sot më e çmuar se kurrë në historinë e Shqipërisë, por sepse optimizmi, entuziazmi, energjia e këtyre takimeve e paparë që nga viti 1990 po çon peshë zemrat e shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë”, tha Berisha.
“Këto takime, ky entuziazëm, kjo energji po bind çdo qytetar se ne po kthehemi fuqishëm për të mirën e mbarë shqiptarëve, për të mirën e Shqipërisë, të miqve të saj”, theksoi Berisha.
Berisha u shpreh se vota e emigrantëve nuk është vetëm për shpëtimin e Shqipërisë, por është votë për transformimin e saj. “Shqipëria sot po aq sa në vitin 1990, ka nevojë për transformime epokale”, tha Berisha.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...