Thomas Hardy (1840 – 1928), poet dhe romancier amerikan. Fillimisht korri suksese si autor romanësh: ‘Madding Crowd’ (1874), ‘The Mayor of Casterbridge’ (1886), ‘Tess of the d’Urbervilles’ (1891) dhe ‘Jude the Obscure’ (1895). Megjithatë ai çmohej si poet nga disa prej poetëve më të mëdhenj Ezra Pound, W. H. Auden dhe Philip Larkin.
LETRA E PARË
Max Gate, Dorchester
25.10.93
Letra jote, e dashur znj.Henniker, më erdhi sot me postën e pasdites. Mendoj se disi i kam hapur rrugë pyetjes tënde dje me atë shënimin tim të ngutshëm; por në rast se s’kam qenë i qartë po e përmbledh sërishmi. Nuk di asgjë për Hutchnisonin; por besoj se pas së gjithash d(uhet) pranuar1. Në çdo sistem të gjysmë profitit, botuesi në të vërtetë të jep atë që do ai vetë: gjithsesi, meqë tregimet e shkurtra janë më tepër si një kërkim lëmoshë, kam frikë se mund të humbësh shansin e botimit të hershëm nëse shkon diku tjetër. Sidoqoftë, para se ta mbyllësh me të, pyete çfarë do të m(un)d të jepte (një datë të botimit) për të drejtën e botimit të vëllimit për pesë vjet, në çfarëdo botimi që të zgjedhë ai: nëse ai i ofron 50 £, të këshilloj ta pranosh.
Nëse ai s’do të të japë asgjë dhe nëse ti pajtohesh me gjysmë profitin, kujdesu ta kushtëzosh (më së miri) që ai të ketë vetëm të drejtën e botimit për biblioteka ose të origjinalit. Çfarëdo formë tjetër më e lirë e librit të jetë subjekt për një rregullim të ri, ose, më e pakta, për, të themi, 5 v(je)t çdo botim. Rreth Amerikës, etj., tashmë kam shkruar. Po ashtu pyet kur do të betohet libri.
Thuaji po ashtu se duhet të ketë ‘ofertën e parë për romanin tënd të rië – jo të çdo romani që do të shkruash: (ose do të detyrohesh t’i ofrosh të gjithë librat e ardhshëm). Natyrisht nuk do t’i thuash se do ta ketë romanin e ri të ardhshëm – vetëm ofertën për të – ç(ka) do të thotë sipas kushteve të tua.
Folur në përgjithësi, mendoj se ti nuk do to trajtohesh aq keq: njëra arsye është se duke qenë se je mikja ime e bën botuesin të ketë parasysh se ti me gjasë je në dijeni të marifeteve të kësaj pune. Mos u nis me të drejtën e autorit – të cilën do ta bësh (ose ai do të të th(ot)ë ta bësh) nëse do të biesh në ujdi për gjysmë profitin pa i kushtëzuar kohën a botimin. Jam në mes të kacafytjes me botuesin Macmillan rreth të njëjtës çështje2.
Një fjalë rreth historisë sonë: duke vrarë mendjen për të shoh se mund të jetë i nevojshëm një kompromis mes dy fundeve: se nuk duhet të përfundojë keq në kurriz të asnjërit.
Po ta bashkëngjit një recension në gjermanisht për Tess-in, pjesë të të cilit mund të të interesojnë.
A mos nuk duhet të të shkruaj për një kohë të gjatë? Të kam shkruar aq gjatë së fundmi sa të të mërzis, jam i sigurt për këtë.
Gjithmonë sinqerisht,
Tom H.
Shënime:
1) Znj. Henniker ishte duke e marrë parasysh një ofertë për botimin e librit të saj ‘Outlines’.
2) Në qershor të vitit 1893, Hardy e kishte informuar Macmillan-in se do të donte të tërhiqte ‘The Woodlanders and Wessex Tales’ për ta përfshirë në botimin komplet të veprës së tij, që ishte planifikuar që nga viti 1890.
LETRA E DYTË
Max Gate, Dorchester
28.10.93
Ti do të thuash ‘Çka, një tjetër letër kaq shpejt!’. Dhe mbase mund të shtosh edhe: ‘Po – dhe sa prozaik, se!’. Korrespondenca jonë e fundit njëmend mund të ishte prerë nga faqet e The Author (të cilin mes të tjerash do të duhej ta lexoje).
Sidoqoftë, më duhet të ta bëj me dije se tregimi thuajse është kryer dhe se dorëshkrimi i është dërguar Miss Tigan-it. I kam thënë të ma kthejë origjinalin (në rast se do të dua të fus ndonjë hollësi më shumë) dhe të ta dërgoj ty direkt kopjen e daktilografuar. Të lutem, a do ta lexosh nga fillimi në fund (pa shikuar fillimisht në fund të faqeve!), ashtu që të kapësh atë të mëtoja dhe të gjykosh për fuqinë ose dobësinë e tij? Është, siç edhe doje ti, bukur tragjik; një formë e modifikuar e Ending II – që mendoj se është më e mira e asaj që ne kemi menduar ndonjëherë. Nëse ndonjë gjë në të nuk të pëlqen, të lutem ma thuaj krejt lirisht – dhe do të modifikohet. Siç thashë herën e kaluar, të gjitha dobësitë (nëse ka ndonjë të tillë) do t’i lihen barrë kokës sime të pafat, ndërsa të gjitha pjesët e ndjeshme dhe të mirëfillta do të të atribuohen ty3. Pa dashur të të bëj të premtosh, sugjeroj ta mbajmë sekret në vetat tona cila është puna ime e cila e jotja. Miqtë tonë dhe të tjerët do të na bezdisin këndshëm që të rrëfejmë të vërtetën.
Teksa je duke e lexuar, posaçërisht bëmat e nuses në mëngjes nga agimi deri në orët e dasmës, të lutem hidhe në letër çdo hollësi që e kam lënë anash dhe që mund të njihen vetëm nga gratë. Mund të mos jem mjaft korrekt në atë që e kam shkruar nxitimthi, pa e pasur vetë kurrë kënaqësinë të jem nuse e zgjedhur. Nëse pastaj dëshiron të ma nisësh një kopje, do t’i kem parasysh gjatë korrigjimeve të fundit dhe do t’i përdor.
Fundi, i mirë a i keq, e ka mëritën e të qenit në përputhje me karakterin e Lord P.
Fotografia e djeshme ishte një befasi e vogël e lezetshme: shumë faleminderit për vëmendjen që ke treguar, mikja ime më e dashur. Është më e mira e Lafayettes (sic) dhe është shumë e mirë si një gjedhe e artit të tyre. Tash ma ha mendja se do të tingëllojë si herezi të them se profili i Chancellor-it ende mbahet më i miri. E ka cilësinë e sharmit në shprehjen e fytyrës, të cilën Lafayettes e ka në një shkallë më të ulët. Është një gjë njëmend misterioze se fotografët duhet të dallojnë në këtë pikë. Chancellor është pakrahasimisht artisti më i madh, për mendjen time. Ai të lë po ashtu të marrësh një pozë të natyrshme. Kur të jesh në Dublin përsëri, të lutem bëje edhe një tjetër te Chancellor-i. Nëse ndan mendjen ta vendosësh portretin në fillim të vëllimit, dëgjoje këshillën time dhe përdore atë të profilit (atë të parën që ma pate dërguar)4. Sidoqoftëë, mbase s’do të duash ta bësh këtë, meqë s’e ke marrë ‘Milnes’ si pjesë të emrit tënd letrar. Nëse s’e ke profilin nga Chancellor-i, ky që ma ke dërguar tash është më i miri: tiparet janë skulpturore.
Do të t’i kthej faqet me detajet e hequra, nëse d(ëshiron)n t’i kesh, meqë mund të jenë të dobishme. Do ta kuptosh pastaj se nuk i kam hequr pse nuk ishin të mira; por ngase masa e historisë ishte shumë e vogël për t’i pranuar ato pa e dëmtuar proporcionin e së tërës. Po i referohem veçanërisht përshkrimit të pellgut dhe gjurmëve të zogjve: që doja shumë të mbeteshin.
Nuk kam ndërmend të rrekem pas ndonjë kontrate tjetër letrare, por ka ende një a dy gjëra që më duhet t’i them. Njëra është titulli. Titulli ynë i vjetër ishte në vetvete bukur i mirë, por meqë nuk mund të përdorej, e kam zëvendësuar përkohësisht me ‘The Spectre of the Real’ – ‘The Looming of the Real’ mbase është më i mirë. Kam menduar po ashtu për ‘A passion and after’: ‘To-day’s kiss and yesterday’s’. -‘Husband’s Corpse and husband’s kiss’. -‘A shattering of Ideals’. Pasi t’i lexosh modifikimet do të jesh në gjendje të zgjedhësh; ose të sugjerosh.
Edhe një çështje që po nxjerr kokën: a duhet ta shtypim tregimin në të njëjtën kohë edhe në Amerikë, etj. Mbase do të shkaktojë një vonesë prej pak javësh (jo aq gjatë mundësisht). Nga ana tjetër, nëse e sakrifikojmë Amerikën për shkak se do të shkojmë atje së shpejti, mund t’i humbim, të themi, 20 ose 25 funte.
[P.S.]
Blathwayt5 është në turne, duke ligjëruar rreth ‘Celebrities’ që i ka intervistuar. Pyetem çka thotë për ty dhe mua. Lady Jeune po shkruan një artikull ose ‘Bashkëbisedim’, për të cilin, thotë ajo, i janë premtuar 10 funte. A dëshiron ta ta dërgoj The Two Lancrofts?6 Po ashtu edhe Swinburne7 tënd, të cilin e kam me vete.
Shënime:
3) Parashikimi i Hardy-t kishte qenë korrekt. ‘The Spectre of the Real’ ishte botuar në javoren To-Day, më 17 nëntor 1894. Ishte rishikuar dhe përmirësuar për t’u përfshirë në ‘In Scarlet and Grey’ (1896). Tregimet e tjera në këtë vëllim, sidoqoftë, kishin marrë lëvdata të larta nga kritikët.
4) Znj.Henniker e kishte marrë parasysh këshillën e tij dhe e kishte përdorur fotografinë për ballinën e librit të saj të ardhshëm, ‘Outlines’, të botuar nga Hutchinson, më 1894, dhe ishte vlerësuar fort nga kritikët, të cilët e kishin krahasuar znj. Henniker me Dikensin dhe mjeshtëritë francez të tregimit të shkurtër.
5) Raymond Blathwayt, gazetar (1855-1935), korrespondent special i Black and White, e kishte intervistar Hardy-n më 27 gusht 1892 rrethim romanit ‘Tess of the d’Urbervilles’.
/Marrë nga ‘ONE RARE FAIR WOMAN – Thomas Hardy’s Letters to Florence Henniker, I893-1922; Palgrave Macmillan, 1972
/Përkthimi: Gazeta Express
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...