Nën hetim nga SPAK, Klotilda Bushka: Nuk kam tentuar të fsheh asnjë të vërtetë, nuk jam thirrur e dëgjuar nga prokurorët - Gazeta Express
string(117) "nen-hetim-nga-spak-klotilda-bushka-nuk-kam-tentuar-te-fsheh-asnje-te-vertete-nuk-jam-thirrur-e-degjuar-nga-prokuroret"

Shqiperi

Gazeta Express

12/02/2025 10:14

Nën hetim nga SPAK, Klotilda Bushka: Nuk kam tentuar të fsheh asnjë të vërtetë, nuk jam thirrur e dëgjuar nga prokurorët

Shqiperi

Gazeta Express

12/02/2025 10:14

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh këtë të mërkurë në një dëgjesë me deputeten Klotilda Bushka ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama pas dosjes së SPAK ndaj Erion Veliajt. E si pasojë e kësaj dosje, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetime paraprake ndaj Bushkës për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Para kolegëve të saj, Bushka u shpreh se ka komunikuar me personin që përmendet në dosje, me të cilën ka lidhje gjaku, jo për të fshehur të vërtetën, por për ta qetësuar dhe këshilluar atë. Ajo theksoi se e ka marrë vesh që është nën hetim nga mediat dhe se nuk është thirrur e dëgjuar kurrë nga prokurorët e SPAK për t’u ballafaquar në lidhje me këto pretendime.

“Sa i përket pretendimit për pengim të së vërtetës. Po, unë e kam takuar vajzën në fjalë, si një person me të cilin kam punuar dikur dhe kam lidhje familjare, kam lidhje gjaku. Ina  Goxhaj është kushërirë e imja. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe nëse e gjykon të nevojshme të marrë avokat. Si juriste i kam sqaruar një kushërire, një të afërmeje të drejtat e saj, vetëm kaq. Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fshehë ndonjë të vërtetë, sepse unë jam e para më e interesuara që e vërteta të zbardhet sa më parë dhe të jetë e tillë në sytë e publikut. E kam kritikuar në fakt kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo kishte qenë drejtoreshë ekzekutive nuk kishte ndryshuar që nga viti 2017 edhe pse unë e kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di ta shpjegoj çfarë mund të ketë ndodhur në prokurori, apo çfarë presioni, trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime që në deklaratat tona private ajo i ka sjellë me një kontekst tjetër. Kjo është e vërteta ime, por për ta rrëfyer këtë të vërtetë, unë kurrë nuk jam thirrur. Nuk jam dëgjuar. Unë kam mësuar siç e thashë se jam nën hetim nga shtypi, ashtu siç e keni mësuar dhe ju. Nuk jam thirrur, nuk jam dëgjuar ndonjëherë, nuk më është dhënë mundësia të ballafaqoj komunikime të të tretëve ku përmendet emri por unë vetë nuk jam pjesë fare”, tha Bushka.