Gjykata e rrethit gjyqësor të Korçës ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për 19-vjeçaren P.M dhe “mbikqyrje prindërore” për 17-vjeçaren E.P.
Dy adoleshentet u ndaluan më 7 shkurt pasi akuzohen se bullizonin dhe denigronin vajzat e mitura me foto, video intime dhe shkrime në rrjetet sociale.
Prokuroria e Korçës kërkoi për të dyja vajzat masën e sigurisë “arrest me shtëpi” deri në përfundim të hetimeve ndërsa gjykata ka vendosur masë sigurie me të butë për të dyja vajzat.
Gjatë seancës gjyqësore të dyja vajzat janë shprehur të penduara.
“Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 09.02.2025 ora 13:00 seanca me objekt: “Vleftësim ndalimi, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetases P.M dhe E.P, ku gjykata në përfundim vendosi:
1- Vleftësimin si të pa ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim per t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetases P.M, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pornografia”, parashikuar nga neni 117/2 dhe 25 i Kodit Penal.
2- Vleftësimin si të pa ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Vendosja e të miturës në mbikqyrje” ndaj shtetases E.P, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pornografia”, parashikuar nga neni 117/2 dhe 25 i Kodit Penal”, njoftoi Gjykata.
Dy adoleshentet akuzohen se kishin hapur një profil në rrjetin social Instagram ku publikonin shkrime me natyrë bullizuese, denigruese, si dhe shpërndanin foto dhe video intime të vajzave të mitura, nxënëse të shkollave të ndryshme në qytetin e Korçës.