“Plug and Play” zgjedh Tiranën si qendrën e 51-të në botë, Rama: Transformim rrënjësor në teknologji! Veliaj: Nga të fundit dolëm të parët në inovacion - Gazeta Express
string(145) "plug-and-play-zgjedh-tiranen-si-qendren-e-51-te-ne-bote-rama-transformim-rrenjesor-ne-teknologji-veliaj-nga-te-fundit-dolem-te-paret-ne-inovacion"

Shqiperi

Gazeta Express

31/01/2025 20:00

“Plug and Play” zgjedh Tiranën si qendrën e 51-të në botë, Rama: Transformim rrënjësor në teknologji! Veliaj: Nga të fundit dolëm të parët në inovacion

Shqiperi

Gazeta Express

31/01/2025 20:00

“Plug and Play”, platforma e mirënjohur globale për mbështetjen e Startup-ve, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbërrin edhe në Shqipëri, e pozicionuar tek Piramida, për t’u ofruar sipërmarrësve të rinj shqiptarë, një mundësi unike për startup-et e tyre që të rriten, të tërheqin investime kapitale, të pilotojnë teknologjinë dhe të forcojnë praninë në tregjet lokale dhe globale. Programi i tyre është krijuar për t’u ofruar startup-eve akses të menjëhershëm në një përvojë globale dhe një rrjet të gjerë ndërkombëtar.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në ceremoninë e çeljes së “Plug & Play”, e cila në Shqipëri gjen mjedisin e duhur për të sjellë këto shërbime inovative për industri të ndryshme, me perspektivën që Shqipëria të kthehet në qendrën rajonale të këtyre sipërmarrjeve.

“Është bërë një portë e hapur për të gjithë të rinjtë e vendit tonë dhe të rajonit që kanë ëndrra për t’u bërë të mëdhenj në botën digjitale. Në këtë botë nuk ka rëndësi ku je, kush je, nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka lëkura jote, çfarë feje i përket apo nëse e mallkon Zotin nga mëngjesi deri në darkë. Ka vetëm një gjë rëndësi, çfarë fantazie dhe aftësie ke për tu dalluar nga të tjerët. Është një gur shumë i rëndë kilometrik në transformimin rrënjësor të Shqipërisë dhe në të përpjetën që kemi për të ngjitur deri në Shqipërinë e 2023.

Është e bukur ndjesia që mund të vazhdoj të numëroj në një fushë ku ne ishim më mbrapa nga të gjithë, sot kemi pozicionin më të përparuar në qeverisjen digjitale në të gjithë rajonin dhe jemi në pjesën e sipërme të klasifikimit edhe në Evropë.

Ofrojmë 95% të shërbimeve publike online dhe falë sistemit të ri që kemi ndërtuar kemi kryer 45 milionë shërbime në total që janë mbi 45 milionë kontakte personash me persona, janë mbi 45 mln qëndrime në rradhë, janë 45 milionë rrugë për të shkuar deri te zyra për të marrë shërbimin. E kemi nisur nga bishti me një numër qesharak shërbimsh. Është një transformim rrënjësor”, tha Rama.

Bashkë me kryeministrin Edi Rama, i pranishëm në këtë event, ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e cilësoi “Plug and Play”, si një stacion tjetër që do të sjellë më pranë të rinjve shqiptarë, këto shërbime inovative. Ai nënvizoi faktin se Bashkia e Tiranës do jetë donatori kryesor i këtij projekti.

“Dua të falënderoj shumë ambasadën e Francës dhe gjithë kolegët në Paris. Qershia mbi tortë sot është “Plug and Play”. Bashkia e Tiranës do të financojë 1.8 milionë euro për “Plug and Play”, të tjerët do jenë nga fusha e qeverisjes, ministri të ndryshme që do bashkëpunojnë, do të ketë disa aleatë të tjerë nga fusha e biznesit, por më vjen mirë që jemi donatori kryesor. Bashkë me AADF ka qenë një projekt që e kemi inkubuar në Bashkinë e Tiranës, prej kaq vitesh. Më në fund ia kemi dalë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se kryeqyteti shqiptar është duke përjetuar një transformim të dukshëm në fushën e inovacionit, në sektorë të ndryshëm të teknologjisë e turizëm. Ai ftoi të rinjtë e kryeqytetit dhe jo vetëm, që të shfrytëzojnë këto hapësira, që ofrojnë një bazë të fortë talentesh për komunitetin e inovacionit dhe sipërmarrjes.

“Tirana ka 25% të output-it të vetë ekonomik punë digjitale dhe 25% turizëm. Kjo ishte e pa menduar 10 vite më përpara. Ndaj, më vjen mirë që e kemi këtë mundësi, po kemi vend, kemi ende kapacitet për të rinjtë, sidomos nga zonat rurale: Kamza është vetëm nga ana tjetër e Lumit, Elbasani vetëm 25 minuta larg. Ftesa për të gjithë është: për fëmijët e moshës 12 deri 18, është falas, ju lutem regjistrohuni. Kemi vende për këtë semestër të ri që ka filluar, do vazhdojë punën edhe gjithë verën”, tha ai.

Veliaj u shpreh krenar për faktin se “Plug and Play” do të jetë pjesë e ekosistemit dhe komunitetit, që gëlon tashmë në ambientet e Piramidës. Ai theksoi se Tirana do të mikpresë një sërë eventesh, si dëshmi e progresit dhe realitetit të ri që po përjeton kryeqyteti shqiptar.

“Këtë vit Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Ky vit ka nisur vrullshëm për Tiranën. Javën tjetër, të gjithë kryetarët e bashkive të Evropës Qendrore e Lindore do të jenë në Tiranë, për atë që quhet “Pakti i Qyteteve të Lira”; javën më pas, do lançojmë Tiranën si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Me iniciativën e Kryeministrit dhe me një super marketing, që i është bërë Tiranës, “Giro d’Italia” do të jetë këtu në fillim të majit. Në mes të majit do të jetë Komuniteti Evropian Politik që janë vende të BE, aspirantët, plus edhe vendet e tjera të kontinentit tonë. Nuk mund të kishte një vend më ideal se Tirana për të pasur “Plug and Play”. Më vjen mirë që nga të fundit, dolëm të parët. Kjo është një provë se gjithçka mund të ndryshojë. Mund të ndryshojë një shtet, një qytet, një realitet, një ekonomi e një shoqëri. Ju faleminderit që jeni pjesë e këtij ndryshimi”, përfundoi kryebashkiaku.

Advertisement
Advertisement
Advertisement