Recensioni/ “Rënkimet e Sibilës delfike”, një udhëtim filozofik nëpër vargje - Gazeta Express
string(72) "recensioni-renkimet-e-sibiles-delfike-nje-udhetim-filozofik-neper-vargje"

Arte

Gazeta Express

31/01/2025 16:07

Recensioni/ “Rënkimet e Sibilës delfike”, një udhëtim filozofik nëpër vargje

Arte

Gazeta Express

31/01/2025 16:07

(Rreth librit poetik “Rënkimet e Sibilës Delfike”, të Fatbardhë Hasit, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2024)

Shkruan: Agnesë Shkodra

Fatbardhë Hasi është një figurë e njohur që në letërsinë shqipe ka kontribuar ndjeshëm si studiuese dhe kritike letrare. Ajo ka publikuar një sërë shkrimesh kritike në revista të ndryshme, duke ofruar analiza të thella për autorë shqiptarë dhe të huaj. E formuar në të gjitha nivelet e studimit në Fakultetin e Filologjisë, Hasi ka vazhduar të zhvillojë zërin e saj unikal edhe në fushën e poezisë, me librin e saj të parë poetik “Rënkimet e Sibilës Delfike”. Ky libër shënon një etapë të re në krijimtarinë e saj, ndërsa letërsisë sonë i ofron një zë origjinal dhe të veçantë.

            Libri “Rënkimet e Sibilës Delfike” është një përmbledhje poetike që përmban një numër poezish, në të cilat autorja shpreh me nostalgji përjetimet e saj emocionale të jetuara gjatë jetës së saj. Vargjet e saj mund të përkufizohen si refleksione të ndjenjave të brendshme dhe ngjarjeve që kanë arritur të lënë gjurmë të thella. Ajo udhëton nëpër kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë, duke u kthyer herë pas here në vendin e saj të lindjes, i cili shpesh paraqitet si një vend i trishtë, mbushur me mall dhe dhimbje:

Kur malli m’rrokë për ty,

e kund çaren s’ia gjej vetit,

ngjitem me vrap në maje t’Sukës,

që t’i hedh një sy qytetit.

Suka shërben si një pikë kyçe ku nostalgjia merr formë dhe ku autorja gjen guximin për t’u përballur me ndjenjën e mallit dhe të trishtimit. Duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, por me një ndikim të fuqishëm, poetja arrin ta bëjë lexuesin të bashkëndiejë përvojat e saj dhe të identifikohet me emocione universale si frika, humbja, pendesa dhe malli. Në këtë mënyrë, poezia e saj shndërrohet në një udhëtim emocional, ku çdo varg që bart peshën e një historie të jetuar, bëhet i prekshëm dhe i gjallë. Sepse, në thelb, historitë e saj duket sikur i kemi përjetuar edhe vetë ne.

Në “Rënkimet e Sibilës Delfike”, Hasi krijon një ndjenjë pamundësie për të arritur ose rikthyer atë që tashmë është e humbur, duke e bërë mallin ide qenësore të poezisë së saj. Si një mirazh, krijohet iluzioni për atë që s’është më. Kjo frazë thekson boshllëkun që sjell humbja, ndërsa përsëritja e saj e bën peshën e dhimbjes edhe më të rëndë dhe realitetin e hidhur edhe më të prekshëm:

Në trotuarin e ngushtë përvëlues

AJO tërheq shpirtin zvarrë.

Sytë e skuqur nga dhimbja,

KISHTE kohë që s’ia vizitonte loti.

Ai s’ishte më.

Secili varg i poetes është i ngarkuar me emocion të thellë dhe pasqyron një gjendje shpirtërore të rëndë, ndaj së cilës ajo ndjehet e pafuqishme. Kjo gjendje shpalos një ndjenjë zbrazëtie, duke nxjerrë në pah vetëm mungesën e atij që dikur kishte qenë i pranishëm.

            Në librin e saj poetik, ashtu si një Sibilë delfike, poetja na zbulon disa të vërteta dhe, njëkohësisht, na ofron udhëzime dhe këshilla për të dalluar të mirën nga e liga, të drejtën nga e gabuara. Poezia e saj ngre një mori pikëpyetjesh rreth vlerës së përvojave jetësore dhe rëndësisë së jetës, duke na nxitur të reflektojmë mbi zgjedhjet tona dhe pasojat që ato kanë sjellë në rrugëtimin tonë jetësor:

Kur derën mbyll pas dhe ndodhesh

vetëm me veten në pasqyrë,

a të dridhet qerpiku nga ndërgjegja

e rënduar sytë e tu kur këqyr!?

Autorja me mjeshtri ndërthur përvojat e saj personale me realitetin e shoqërisë së sotme, duke kritikuar me guxim kundëvlerat që na rrethojnë, si dyfytërsia, interesi, egoizmi dhe lakmia. Vargjet e saj përçojnë një frustrim ndaj një shoqërie të tillë hipokrite që karakterizohet haptas nga këto kundërvlera. Prandaj Sibila jonë rënkon për të na rikujtuar rëndësinë e vlerave të vërteta dhe, njëkohësisht, na fton të dëgjojmë zërin e saj për të na udhëhequr drejt një jete më të plotë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement