Shoqata Kulturore Shqiptare në Zvicër “Mëmëdheu” iu ka bërë thirrje shqiptarëve në Zvicër që të votohen kandidatët e mërgatës pavarësisht bindjeve partiake. Kjo shoqatë bëri thirrje që përkrahësit e PDK-së të votojnë kandidati e kësaj partie për deputet, ish të burgosurin politik, Ragip Xhaka.
“Pa marrë parasysh për cilën parti votoni, mos harroni kandidatët e mërgatës sonë! Në konsultim me anëtarët e Shoqatës Kulturore Shqiptare « Mëmëdheu » në Zvicër, votues të PDK-së, vendosëm që të mbështesim publikisht kandidaturën e ish të burgosurit politik, z. Ragip Xhaka! Pa marrë parasysh përkatësinë partiake, të gjithë jemi dëshmitarë për frymën atdhetare me të cilën z. Ragip Xhaka ka edukuar djemtë e tij, futbollistët botërisht të njohur (Granitin dhe Taulantin). Po ju kujtojmë gëzimin e madh që na dhuroi Graniti kur shënoi golin kundër Serbisë dhe, së bashku me Xherdan Shaqirin, e eliminuan Serbinë nga gara për Kupën Botërore të futbollit, më 2018”, thotë kjo shoqatë.
Shoqata tha se mërgata shqiptare gjithmonë ka mbështetur kauzat kombëtare.
“Tani e kemi në duart tona mundësinë që të mbështetim veprimtarin e çështjes kombëtare, z. Ragip Xhaka, që zëri i mërgatës të ndihet në Kuvendin e Kosovës! Ne nuk do t’i zhgënjejmë mërgimtarët!”.
“Ne nuk do ta zhgënjejmë Granit Xhakën, sepse me gjithë zemër do të votojmë edhe për numrin 34, z. Ragip Xhaka! Me urimet më të mira për fitore në këto zgjedhje, ju shprehim konsideratën tonë të lartë”, tha sekretari i shoqatës, Agush Buja, në emër të votuesve të PDK-së.
Shoqata tha se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë për legjislaturën e ardhshme “na mundëson të votojmë për dhjetë kandidatë të partisë për të cilën jemi përcaktuar individualisht secili prej nesh. Mirëpo kësaj radhe në listën e kandidatëve kemi edhe veprimtarë që përfaqësojnë mërgatën tonë, ata atdhetarë që, përveç familjeve të tyre, mbajtën mbi supet e veta barrën financiare të sistemit paralel të arsimit në Kosovë dhe luftën çlirimtare”.