Një Call Center që ushtronte veprimtari të paligjshme është goditur gjatë një aksioni të policisë në Elbasan. Gjatë operacionit janë arrestuar 13 persona ndërsa 5 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Policia thotë se këta persona mashtronin shtetas të huaj, kryesisht italianë, për të investuar në bursa fiktive. Në lidhje me ngjarjen është shpallur në kërkim edhe administratori i ‘call center-it’.
“Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Ç., 29 vjeç, B. F., 46 vjeçe, Sh. I., 31 vjeçe, A. K., 32 vjeçe, E. L., 33 vjeçe, F. P., 36 vjeçe, G. K., 23 vjeçe, R. L., 31 vjeçe, G. K., 29 vjeç, D. H., 38 vjeçe, S. D., 30 vjeç, A. K., 30 vjeçe, A. C., 24 vjeç, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim; nisi procedimi penal për shtetasit: J. L., D. Ç., M. L., Dh. Z., dhe L. T., për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi G. D., 45 vjeç, administratori i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, njoftoi policia.
Gjatë operacionit “Fictitious” u sekuestruan 70 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 33 celularë dhe 1 DVR. Sipas policisë, këta persona telefononin të huaj, kryesisht italianë. Atyre iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit i bindnin që të investonin në bursën fiktive Forex.