Radja Nainggolan është arrestuar si pjesë e hetimeve për trafikim të kokainës.
Futbollisti i njohur, i cili aktualisht luan në ekipin belg, Lokeren-Temse, u arrestua në mëngjesin e sotëm si pjesë e hetimeve për importim të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, përmes portit të Antwerp.
Si pjesë e hetimeve, rreth 30 shtëpi u bastisën në provincën e Antëerp dhe në kryeqytetin belg, Bruksel, sipas mediumit holandez, “De Telegraaf”, përcjell “Gazeta Express”.
Nuk është hera e parë që Nainggolan lidhet me kontrabandimin e kokainës.
Raportohet se njëri prej partnerëve të biznesit të një firme private avionësh është dënuar për kontabandë droge për organizatën terroriste, Hezbollah.
Së fundmi, Nainggolan është parë duke qëndruar rregullisht me njerëz të afërm me botën e drogës në jetën e natës në Antëerp.
Si pjesë e hetimeve, ish-futbollistit të Romës e Interit iu mor vetura, plus gjësendeve të tjera.
36-vjeçari e kishte shijuar një karrierë të jashtëzakonshme duke luajtur në nivele të larta pasi ishte larguar nga Belgjika drejt Italisë në moshën 17 vjeçare.
Ai nisi gjithçka në Serie A me Cagliarin para se t’i bashkohej Romës në vitin 2014.
Ishte kryeqyteti italian ku Nainggolan i kaloi vitet më të mira, duke i bërë mbi 200 paraqitje dhe duke i shënuar 33 gola.
Ai po ashtu luajti 24 herë për Romën në Ligën e Kampionëve.
Kjo ia mundësoi që të lëvizte drejt Interit në vitin 2018, por përkundër faktit se i shënoi 7 gola në 41 ndeshje, u largua nga klubi pas dy huazimesh të kaluara në ish-ekipin e tij, Cagliari, para se të rikthehej në Belgjikë.
Sidoqoftë, ai e fitoi titullin e Serie A në “San Siro” gjatë sezonit 2020/21.
Nainggolan ishte po ashtu pjesë e gjeneratës së artë të Belgjikës duke i zhvilluar 30 ndeshje së bashku me yjet si Vincent Kompany, Eden Hazard e Kevin De Bruyne.
Ai tash luan në ekipin e divizionit të dytë belg, Lokeren-Temse, të cilit iu bashkua verën e kaluar. /Gazeta Express