Bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri do të kenë mundësinë të kreditohen me norma më të ulëta interesi. Qeveria, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë do të vendosin në dispozicion 250 milionë euro, njoftoi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
“BSH sapo ka miratuar një linjë të re financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus kryesor te bujqësia, 250 mln euro kemi diskutuar që ta mbështesim nga qeveria këtë linjë financimi edhe me një garanci sovrane. Ky është volumi më i madh i dhënë ndonjëherë në mbështetje me kredi të buta të agropërpunimit, të serave, të agroturizmit, të teknologjisë dhe me radhë. Së shpejti për detajet.”, tha Rama.
Po ashtu, qeveria ka gati një projektligj për të hapur në Shqipëri Bankën Shqiptare të Zhvillimit. “Falë bashkëpunimit me prestigjiozen Casa Depositi e Prestiti në Itali, institucion financiar që bën pjesë në gjerdanin e ekselencave evropiane, jemi gati t’ja shtojmë Shqipërisë në këtë stad të vendit. Projekti është bindës, banka do të menaxhohet nga një superskuadër shqiptaro-italiane”, vijoi me tej Rama.