Fabrizio Romano raporton se Galatasaray ka bërë kontaktet e para për mbrojtësin e Milanit, Emerson Royal, ndërsa Gazzetta della Sport thotë se West Ham dhe Bournemouth janë ndër klubet e interesuara për Noah Okafor.
Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, gjigantët turq Galatasaray i janë drejtuar Milanit për mbrojtësin e djathtë brazilian, Emerson Royal.
Rossonerët janë pranë firmosjes me Kyle Walker nga Manchester City, por kontrata e kapitenit të tyre, Davide Calabria, skadon në qershor, kështu që mbetet për t’u parë nëse Rossonerët do të jenë të hapur për ta shitur Emersonin gjashtë muaj pas transferimit të tij nga Tottenham.

Rossonerët gjithashtu pritet të bëjnë ndryshime në sulm dhe janë në pritje të ofertave për Noah Okafor. Lëvizja e zviceranit drejt RB Leipzig dështoi në fillim të këtij muaji pasi sulmuesi ka nevojë të rikuperohet pas një dëmtimi të fundit.
Sipas Gazzetta-s, klubet e Premier League-s, West Ham dhe Bournemouth, janë ndër skuadrat e interesuara për 24-vjeçarin, i cili nuk është më pjesë e planeve të Rossonerëve, teksa gjigantët e Serie A-së janë në bisedime për Joao Felix-in e Chelsea-t. /GazetaExpress/