Rreth botimit të ri të “Ferma e kafshëve” - Gazeta Express
string(39) "rreth-botimit-te-ri-te-ferma-e-kafsheve"

Arte

Gazeta Express

20/01/2025 14:36

Rreth botimit të ri të “Ferma e kafshëve”

Arte

Gazeta Express

20/01/2025 14:36

Ferma e Kafshëve e George Orwell është një novelë alegorike e botuar në vitin 1945 nga shkrimtari dhe gazetari anglez George Orwell, emri i vërtetë i të cilit ishte Eric Gordon Blair.

Përkthimi i ri i kësaj vepre në shqip nga Bashkim Shehu i bën drejtësi origjinalit dhe në të njëjtën kohë i qëndron besnik gjuhës shqipe.

Libri bën fjalë për rebelimin e kafshëve në një fermë të drejtuar nga zoti Xhons. Sigurisht që është një thumbim i fshehur për rebelimet proletare në Bashkimin Sovjetik por mund ti qendrojë mjaft mirë edhe Shqipërisë staliniste.

Të gjithë kafshët marrin një rol të caktuar dhe të gjithë përfaqësojnë një tip të caktuar karakterial njerëzor. Disa janë besëtytë, disa budallenj, disa dembelë, disa si Moisiu thashethemexhi.

Figura më tragjike e librit është Boksieri, kali që premton që do punojë « dy herë më fort » për ndërtimin e socializmit.

Kafshët kanë tipare njerëzore, por në fund ato që “bëhen plotësisht njerëz” janë derrat sundues. Përgjatë novelës, ashtu si në historinë e Bashkimit Sovjetik me Trockin e Stalinin, ka një luftë mes udhëheqësit të iluminuar (Topi i borës) dhe grushtit të hekurt me polici sekrete (Napoleoni).

Libri përmban qasje filozofike që të bën të argëtohesh dhe të bën të mendosh. Mund të lexohet kollaj nga fëmijë, gjimnazistë dhe të rritur, kjo falë përkthimit të Bashkimit shumë të qasshëm për lexuesin dhe me një shqipe të pastër, të pasur e të rrjedhshme.

Libri të bën të qeshësh por dhe në të njëjtën kohë, për ata që e kanë jetuar historinë, si prindërit tanë, të bën të kthjellët për shumë gjëra, jo vetëm për terrorin e partive komuniste, për mashtrimet e liderve që Orwell i përngjason me derrat, por dhe për natyrën njerëzore që është shumë naive, e mjerë dhe joshet e mashtrohet kollaj.

Sot, me rikthimin e populizmave dhe liderave « karizmatikë », me lëvizjet anarkiste woke e antifa, me Trumpin, por dhe me rikthimin në modë të feve autoritare si në Turqi e Iran, libri « Ferma e kafshëve » mbetet një pasuri që duhet ta ketë çdo bibliotekë. /Tema