Ndërtimi i së ardhmes kalon përmes arsimimit të mirë të gjeneratës së re. Dhe kjo nuk mund të bëhet brenda natës. Institucionet arsimore, si çdo institucion tjetër shoqëror, janë struktura shumë komplekse, të cilat mund të krijohen dhe modifikohen vetëm në faza, nëpërmjet shqyrtimit kritik dhe përshtatjeve graduale
Fadil Sahiti
Nuk mund të them se e kam ndjekur në detaje fushatën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që në muajin që vjen do të mbahen në Kosovë. Megjithatë, siç e kuptoj, edhe kjo fushatë, sikurse edhe fushatat e mëparshme, dominohet nga dy elementë që e definojnë karakterin e politikës dhe politikanëve kosovarë.
Së pari, politika kosovare vazhdon të riciklojë politika dhe politikanë tashmë të testuar. Të gjithë e dimë se politika është një hipotezë që testohet kundrejtë realitetit. Shumica dërrmuese e këtyre politikanëve pjesëmarrës në këto zgjedhje janë tashmë të testuar. Testi më i mirë i punës së tyre është cilësia e jetës sonë, e cila nuk ka ardhur ex nihilo.
Së dyti, ne jemi dëshmitarë të një fushate mjaft primitive dhe populiste. Diskursi politik dominohet nga premtime fiktive, si ndërtimi i autostradave Prizren – Tetovë, Binulë – Lipjan – Shtimje (edhe pse rrugët tona janë kthyer në kantiere të papërfunduara), apo ndërtimi i super- spitaleve, deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ky ligjërim dëshmon se këta njerëz e kanë humbur sensin e realitetit.
Platoni pohonte se një politikan i mirë është si një mjek i mirë. Një mjek i mirë e trajton pacientin e tij bazuar në diagnozën e saktë të sëmundjes. Ndërkaq, diagnoza e sëmundjes është një parakusht për përcaktimin e një terpie të suksesshme.
Duket sikur politikanëve tanë u mungon aftësia për të diagnostikuar problemet (sëmundjet) akute të shoqërisë kosovare. Prapambetja jonë ekonomike nuk është rezultat i infrastrukturës së dobët rrugore. Kur them këtë nuk nënkuptoj që infrastruktura e mirë rrugore nuk kontribuon
në zhvillimin ekonomik. Përkundrazi. Por është marrëzi të shpenzojmë fondet tona publike për ndërtimin e autostradave kur kemi shkollat më të dobëta në rajon; apo të ndërtojmë spitale kur pacientët tanë për shkak të mungesës së besimit në institucionet tona shëndetësore kërkojnë
mjekim jashtë Kosovës; të shpenzojmë para në asfalte kur kultura jonë dominohet nga “tallavaja”, kur sipërmarrësi ynë e ka të vështirë të gjejë punëtorë të aftë për të punuar, etj.
Është mungesë e theksuar e arsimimit ekonomik të thuash se ndërtimi i infrastrukturës vetvetiu do të çojë në zhvillim dhe përparim. Infrastruktura rrugore, apo infrastruktura e fortë në përgjithësi, nuk mund të jetë burimi kryesor i zhvillimit ekonomik. Përvoja e vendeve të zhvilluara sugjeron se zhvillimi ekonomik buron kryesisht nga investimi në një infrastrukturë
tjetër, në infrastrukturë të butë, e cila mundëson zhvillimin e kapaciteteve njerëzore.
Për çdo kosovar duhet të jetë e qartë sendërtimi i së ardhmes kalon përmes arsimimit të mirë të gjeneratës së re. Dhe kjo nuk mund të bëhet brenda natës. Institucionet arsimore, si çdo institucion tjetër shoqëror, janë struktura shumë komplekse, të cilat mund të krijohen dhe modifikohen vetëm në faza, nëpërmjet shqyrtimit kritik dhe përshtatjeve graduale. Mendimi se progresi ekonomik, arsimor, kulturor etj. vjen brenda natës, duke ndërtuar asfalt dhe ndërtesa, është krejtësisht e pabazë dhe iluzor; është një utopi që nuk mund të aktualizohet kurrë. Këtë na dëshmon përvoja e shoqërive të zhvilluara.