Elvis Gaçaj, i njohur si anëtari I Klanit Duka, është arrestuar gjatë orëve të vonë të mbrëmjes të së premtes në kryeqytet. Kanë qenë forcat e posaçme “Shigjeta”, ku gjatë një kontrolli rutinë kanë ndaluar në rrugën “Ramazan Demneri”, makinën me të cilën lëvizte si pasagjer 50 vjeçari Elvis Gaçaj.
Gjatë kontrollit blutë e Tiranës, i kanë gjetur Elvis Gaçajt, një pistoletë dhe një sasi të vogël kanabisi. Ndërkohë policia ka arrestuar për moskallëzim krimi edhe 40-vjeçarin Marsel Dobi I cili ka qënë në timonin e makinës.
Elvis Gaçaj, sipas skedarëve të policisë, ka qenë i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje, për lëndë narkotike dhe për vjedhje me dhunë.
50-vjeçari është akuzuar edhe nga Prokuroria e Posaçme, si një prej autorëve të dyshuar për ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko në verën e vitit 2019 në Tiranë. Për këtë ngjarje, më 16 nëntor të vitit 2023, Apeli I Posaçëm, ka vendosur prishjen e vendimit për dënimin me shtatë vjet burg të Elvis Gacajt, duke kthyer dosjen ndaj tij në shkallën e parë.
Në vitin 2019, Elvis Gaçaj, u arrestua nga Policia e Durrësit. Në momentin e ndalimit ai ishte i armatosur.
Në prill të vitit 2018, Elvis Gaçaj, bashkë me Leonard Dukës, dhe persona të tjerë u arrestuan në afërsi të shkollës “Partizani” në Tiranë. Policia në atë kohë tha se ata po bëheshin gati të kryenin një atentat, pasi u kapën me një pistoletë pa leje. Gjykata vendosi për dy të pandehurit ti lërë në “arrest shtëpie” ne ate kohe.