Kreu i PD-së, Sali Berisha ka folur sot lidhur me projektin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit.
Gjatë një komunikim me qytetarë në rrjetet sociale, Berisha tha se kryeministri Rama po e përdor për të blerë influenca politike.
“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike. Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit.
Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim”, tha ai.
Projekti i Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur Donald Trump, u bë publik 9 muaj më parë dhe në fund të dhjetorit, Komiteti i investimeve strategjike në Shqipëri, i dha atij statusin e investitorit strategjik, përmes kompanisë “Atlantic Incubation Partners” LLC.
“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro”, thuhet në vendimin e KIS.
Prestigjiozja “New York Times” në një artikull të publikuar shkruan se : “miratimi i Komitetit të Investimeve Strategjike të Shqipërisë, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i jep Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar me negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një seksion prej 111 hektarësh të ishullit të Sazanit prej 2,2 milje katrorë që do të lidhet me traget me kontinentin”.