Sot në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Nga Bashkimi Evropian është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net për takimin e sotëmtë këtij Komisioni, e që është pjesë e Deklaratës Politike të vitit 2023 për Personat e Zhdukur.
“Të mërkurën, më 15 janar 2025, do të zhvillohet në Bruksel takimi inaugurues i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, i krijuar si pjesë e Deklaratës Politike të 2023 për Personat e Zhdukur. Takimi me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kryesohet nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian
Në dhjetor të vitit të kaluar, pas takimit mes Kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq kishin rënë “dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar nga presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2 maj 2023”.
Komisioni i Përbashkët do të monitorojë dhe mbështesë Kosovën dhe Serbinë në avancimin e bashkëpunimit të tyre nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).
Ditën e hënë, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti,, bëri të ditur Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.
Ai tha se takimi ka për qëllim adresimin e disa çështjeve për personat e zhdukur, ku pala kosovare do të prezantojë disa kërkesa, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat.
“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”, shkroi Hoti dje në një postim të bërë në Facebook.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...