Intervista/ Blerina Rogova-Gaxha: Biblioteka Kombëtare, në fillimin e një procesi të gjatë të transformimit - Gazeta Express
string(104) "intervista-blerina-rogova-gaxha-biblioteka-kombetare-ne-fillimin-e-nje-procesi-te-gjate-te-transformimit"

Ballina

Donjeta Abazi

02/01/2025 18:29

Intervista/ Blerina Rogova-Gaxha: Biblioteka Kombëtare, në fillimin e një procesi të gjatë të transformimit

Ballina

Donjeta Abazi

02/01/2025 18:29

Intervistë me drejtoreshen e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova-Gaxha, e emëruar në këtë detyrë vetëm pak muaj më parë. Znj.Rogova-Gaxha na ka folur për gjendjen në të cilën e ka gjetur këtë institucion, fillimin e reformimit dhe pritshmëritë e ndryshme profesionale dhe infrastukturore…

Intervistoi: Donjeta Abazi

«Nga ndryshimet e para në të cilat është punuar dhe po punohet në vazhdimësi, do të veçoja:  një reformë administrative, gjithëpërfshirjen dhe krijimin e një mjedisi të shëndosh pune, një strategji promovuese sa u përket medieve sociale për ta hapur ndaj komunitetit, si dhe nxitja dhe zhvillimi i një grupi drejtuesish, të rinj në karrierë…»

Gazeta Express: Znj. Rogova-Gaxha, keni pranuar detyrën e drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, para disa muajsh. Si e gjetët Bibliotekën dhe cili ishte ndryshimi i parë që bëtë?

Blerina Rogova-Gaxha:  Është e padiskutueshme se, për shkak të vendndodhjes dhe dizajnit të tij, objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës përfaqëson një pikë jashtëzakonisht të fortë për Prishtinën dhe Kosovën.

Po përtej të qenit një simbol krenarie, Biblioteka Kombëtare përballet me sfida të shumta, siç janë problemet infrastrukturore, përditësimi i punës, hapja ndaj komunitetit, kufizimet buxhetore, procedurat administrative-burokratike në implementimin e projekteve e në zhvillimin e koleksioneve dhe nevojën për një strukturë të re administrative.

Nga ndryshimet e para në të cilat është punuar dhe po punohet në vazhdimësi, do të veçoja:  një reformë administrative, gjithëpërfshirjen dhe krijimin e një mjedisi të shëndosh pune, një strategji promovuese sa u përket medieve sociale për ta hapur ndaj komunitetit, si dhe nxitja dhe zhvillimi i një grupi drejtuesish, të rinj në karrierë, të cilët kanë energjinë dhe aftësinë drejtuese për ta zbatuar planin e zhvillimit, të cilin e synojmë me rekrutim të stafit në pozitat drejtuese.

Ato që janë kryer në tre muajt e parë të punës sime në bibliotekë, janë: lansimi i Platfomës digjitale, web-faqja e re e bibliotekës, gjithëpërfshirja e stafit, partneriteti me Universitetin Humboldt në Berlin, marrëveshja me Bibliotekën Kombëtare të Turqisë dhe partneritete të tjera bashkëpunimi, ndërsa në anën teknike, ndriçimi i tërësishëm i objektit.

«Deri më tash, numri i njësive fizike të vëna në arkivin digjital ka arritur në 901,182 objekte digjitale, me fokus primar arkivimin e Gazetës Rilindja dhe arkivimin digjital të numri modest të Koleksioneve të Veçanta»

GE: Këtë vit u shënua 80-vjetori i Themelimit të Bibliotekës dhe u bë edhe përurimi i Platformës e Bibliotekës digjitale. A ka filluar punën kjo platformë dhe çfarë pritet saktësisht të bëhet?

B.R-G.: Vënia në veprim e Platformës së Bibliotekës digjitale të Bibliotekës Kombëtare në 80 vjetorin e themelimit, është pjesë e planit të transformimi digjital të një biblioteke kombëtare, sfidues për çdo bibliotekë kombëtare, kudo. Ky transformim përfshin një sërë iniciativash dhe përmirësimesh teknologjike që e bëjnë bibliotekën më të qasshme, më efektive dhe më të integruar në botën digjitale. Për institucionin tonë, ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë, në kuadër të investimeve kapitale financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Platforma digjitale adreson nevojën e zhvillimeve të shpejta teknologjike, për të ndërtuar një depo me objekte digjitale, për të menaxhuar dhe siguruar qasje në burimet digjitale të cilat shërbejnë për hulumtime dhe promovim të vlerave kulturore e historike.

Deri më tash, numri i njësive fizike të vëna në arkivin digjital ka arritur në 901,182 objekte digjitale, me fokus primar arkivimin e Gazetës Rilindja dhe arkivimin digjital të numri modest të Koleksioneve të Veçanta. Linku i Platformës së Bibliotekës digjitale është i vendosur në Web-faqen e Bibliotekës Kombëtare: http://bibliotekadigjitale-ks.org/dashboard , ndërkaq qasja në objekte digjitale, ofrohet në domenin publik dhe në domenin privat, përmes identifikimit. Objektiv yni për vitin e ardhshëm është intensifikimi i zgjerimit të arkivimit digjital të koleksioneve të vjetra: përpunimi i materialeve fizike, përfshirë librat, dorëshkrimet, dokumentet historike dhe fotografitë, në formate digjitale, dhe zgjerimi i arkivit online: vendosja e materialeve të digjitalizuara në platformën online, duke i bërë të qasshme për studiuesit dhe publikun e gjerë.

GE: Keni zhvilluar takime me drejtorë bibliotekash jashtë Kosovës dhe janë nënshkruar bashkëpunime gjatë kësaj periudhe kohore, cila është rëndësia e bashkëpunimeve të tilla?

B. R-G.: Takimet dhe bashkëpunimet me drejtues të bibliotekave kombëtare në rajon dhe në Evropë ndikojnë drejtpërdrejt në rrjetëzimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, kaq të nevojshëm për institucionin më të lartë të librit dhe bibliotekarisë në nivel kombëtar. Ato hapin mundësi të shumta bashkëpunimi, veçanërisht në fushat e projekteve të përbashkëta, shkëmbimeve të literaturës, shkëmbimeve të përvojës, kërkimeve shkencore, trajnimeve të stafit dhe vizitave studimore. Kam shfrytëzuar lidhjet e mia paraprake dhe u jam jashtëzakonisht falënderues akterëve mbështetës.

Po veçoj në këtë rast, partneritetin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ me Universitetin Humboldt në Berlin, inicuar nga Dr. Christian Voss, Drejtor i Institutit të Studimeve Evropës Juglindore në Universitetin e Humboldt-it, takimet në Bibliotekën Shtetërore të Berlinit dhe në Bibliotekën Universitare të Freie Universität në Berlin, nënshkrimin e marrëveshjes së BKK-së me Bibliotekën Kombëtare të Turqisë, takimin e bashkëpunimit me drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, Dr. Ivanka Striçeviq, me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë z. Piro Misha, rektorin e Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Arben Hajrullahu, Ambasadorin e Francës në Kosovë z.Olivier Guérot dhe drejtorin e Instituti francez në Kosovë, Edouard Mayoral, takimin me Ambasadën Amerikane në Kosovë, dhe bashkëpunime të tjera ndërkombëtare e ndërinstitucionale, të cilat kanë synim zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

GE: Biblioteka Kombëtare ruan një numër të konsiderueshëm të arkivave të dokumenteve të rëndësishme…

B. R-G.: Biblioteka Kombëtare zhvillon dhe ruan një koleksion të qasshëm, gjithëpërfshirës, shumë-formatësh të materialeve të botuara në Kosovë dhe për Kosovën që plotësojnë një gamë të gjerë të nevojave lidhur me trashëgiminë kulturore dhe intelektuale, si dhe nevojave të aspektit praktik. Koleksioni i përshtatet punës dhe nevojave të studiuesve, studentëve, hulumtuesve të pavarur dhe publikut të gjerë. Po përmend këtu nevojën e përdoruesit të sotëm për një qasshmëri sa më të madhe e gjithëpërfshirëse në materialet e ndryshme që ruhen në fondin e bibliotekës, pjesë e procesit të transformimit digjital.

GE: Cilët janë hapat konkret që do të ndërmerren për promovimin e autorëve në vendet jashtë Kosovës?

B. R-G.: Promovimi i autorëve të Kosovës në vendet jashtë Kosovës kërkon një strategji të efektshme kombëtare, me përfshirjen e disa akterëve institucionalë. Biblioteka Kombëtare është një nga këto institucione.

Për këtë, kemi hapur thirrjen për pjesëmarrjen dhe prezantimin e autorëve të Kosovës në Panairin e librit në Leipzig të Gjermanisë, një ngjarje kjo madhore në botën letrare, e cila shërben si një platformë e jashtëzakonshme për autorët, botuesit dhe lexuesit që të bashkohen, të diskutojnë dhe të shkëmbejnë ide dhe kulturën letrare. Gjithashtu, jemi duke planifikuar pjesëmarrjen e autorëve në panaire të tjera të mëdha, në diskutime dhe debate të ndryshme për letërsinë, gjë që e synojmë nëpërmjet partneriteteve me institucionet ndërkombëtare.

GE: A ka nevojë për ndërhyrje infrastrukture brenda objektit të Bibliotekës?

B. R-G.: Problemet infrastrukturore brenda objektit të Bibliotekës Kombëtare janë të shumta, sepse Biblioteka funksionon me një sistem energjetik, klimatizues dhe hidraulik të vjetër dhe të dëmtuar tashmë. Por, pritet që gjatë vitit 2025 për Bibliotekën Kombëtare të nisë procesi i Master planit të restaurimit. Projekti ideor është aprovuar në shtator të 2024, dhe tashmë ndodhemi në fazën e projektimit dhe nisjes së procedurave të tjera. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës në planifikimin e Projekteve Kapitale për renovimin e Bibliotekës Kombëtare ka ndarë shumën prej 7 milionë e 500 mijë euro.

GE: Cilat janë nevojat e Bibliotekës në rrafshin administrativ?

B. R-G.: Për të arritur qëllimet e saj, Biblioteka Kombëtare ka nevojë për një strukturë administrative efektive dhe personel të kualifikuar, si dhe të pajiset me mjete dhe burime të përshtatshme për të përmbushur misionin. Gjithashtu, Biblioteka synon të adaptojë në misionin e saj një qasje më të përqendruar kah përdoruesi, monitorimin e nevojave të përdoruesve të saj dhe, në përputhje me këto, të përshtatë koleksionet dhe shërbimet.

/Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement