Sezoni fantastik i Real Madridit u kurorëzua me një trofe të rëndësishëm.
“Los Blancos” u shpallën kampionë të La Ligas në sezonin 2023/24 me 95 pikë, plot 10 më shumë se Barcelona dhe me vetëm një humbje të pësuar.
Madrilenët të udhëhequr nga Vinicius Junior dhe Jude Bellingham arritën 29 fitore, 8 barazime dhe vetëm një humbje, duke pasur sulmin më të mirë me 87 gola dhe mbrojtjen më të mirë me vetëm 26 të pranuar.
Real Madridi në një pjesë të sezonit pati rivalitet nga Barcelona dhe Girona, por që të dyja u dorëzuan në garë për titull.
Katalonasit nuk arritën ta gjenin veten, duke e mbyllur sezonin pa as edhe një titull të fituar nën drejtimin e Xavi Hernandez.
Bashkë me Real Madridin, në Ligën e Kampionëve u kualifikuan edhe Barcelona, Atletico Madridi dhe për herë të parë në histori u kualifikua edhe Girona që pati një sezon ëndrrash.
Në Ligën e Evropës kualifikimin e gjetën Athletic Bilbao dhe Real Sociedad, kurse Real Betisi u kualifikua në Ligën e Konferencës.
Nga elita ranë Granada, Almeria dhe Cadiz, kurse u inkuadruan Leganes, Valladolid dhe Espanyol.
E Kupa e Mbretit këtë vit nuk i takoi as Barcelonës as Real Madridit si ndodh zakonisht.
Madje, dy klubet më të madhe spanjolle nuk ishin as në finale.
Aty ishte sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi me ekipin e tij, Mallorcan, teksa u përballën me Athletic Bilbaon.
Në penallti, ishin baskët më të saktë, teksa Muriqi ndonëse shënoi penalltinë e parë, shokët e tij dështuan duke e humbur trofeun e parë ndonjëherë.
Por, viti nisi me Superkupën e Spanjës, e cila u zhvillua në Riyadh të Arabisë Saudite më 14 janar.
Aty, Real Madridi e nisi vitin me trofe, duke e mposhtur bindshëm Barcelonën me rezultat 4:1.
Kjo ishte një dëshmi që sezoni i mbretërve do të ishte spektakolar në vazhdim dhe ashtu ndodhi, duke e mbyllur vitin me dy trofe tjerë, La Liga dhe Ligën e Kampionëve.