Intervistë me regjisorin dhe producentin e njohur, Robert Budina, filmi i fundit i të cilit, Pikë uji, pritej të përfaqësonte Shqipërinë në Oscars 2024. Intervista është zhvilluar pak ditë para se të përpilohej lista përfundimtare e filmave pjesëmarrës…
Intervistoi: Donjeta Abazi
«Në nivelin global, një gjë e tillë (vëmendja e mediave të huaja – v.j.) përveç se shpërndan kulturën dhe filmin shqiptar në botë, krijon idenë që filmat shqiptarë janë cilësorë dhe e bën Shqipërinë tërheqëse, që të vijnë të xhirohen edhe filma të huaj, për rrjedhojë të rriten të ardhurat në vend nga industria e kinemasë»
Gazeta Express: Po fillojmë menjëherë me filmin “Pikë uji” – çka prisni nga Oscars 2024?
Robert Budina: Përzgjedhja e filmit për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar, tërhoqi vëmendjen e gazetave dhe portaleve më të mëdha në botë për kinemanë si Variety (https://variety.com/2024/film/reviews/waterdrop-review-pike-uji-1236223972/), e cila e përcaktoi filmin si “mahnitës” dhe performancën e aktores kryesore të filmit Gresa Pallaska si të “shkëlqyer”. Të jem i sinqertë, përcaktime të tilla ndodhin shumë rrallë, sidomos nga media të tilla serioze. Ky shkrim për ne, ishte krejtësisht i papritur, pavarsisht suksesit që patëm në festivalin ndërkombëtar të Varshavës dhe Cotbusit, një kurorëzim i suksesshëm i gjithë punës titanike që kemi bërë në vite për të realizuar filmin, sidomos kur merr parasysh konkurrencën e madhe që është në botë aktualisht në kinema. Sot prodhohen rreth dhjetëfish më shumë filma se disa vite më parë, si rezultat i zhvillimit të teknologjisë. Artikuj të tillë kanë tërhequr vëmendjen e disa festivaleve të ndryshme në Evropë dhe Amerikën Latine dhe atë Veriore, të cilat na kanë ftuar të jemi pjesë e tyre. Kjo rrit mundësinë që filmi të shfaqet në kinematë e këtyre vendeve. Në nivelin global, një gjë e tillë përveç se shpërndan kulturën dhe filmin shqiptar në botë, krijon idenë që filmat shqiptarë janë cilësorë dhe e bën Shqipërinë tërheqëse, që të vijnë të xhirohen edhe filma të huaj, për rrjedhojë të rriten të ardhurat në vend nga industria e kinemasë.
«Më pëlqen gjithmonë të zgjedh tema të komplikuara dhe t’i rrëfej ato thjesht, të cilat të japin mundësi të krijosh metafora, të rrëfesh përmes imazhit botën shiprtërore të individit, të jesh universal, të ngjallësh emocion tek çdo lloj publiku qoftë ai edhe i huaj»
GE: Për ju si regjisor, cili është raporti i këtij filmi me kinematografinë në shqip në përgjithësi dhe çka nga ana tjetër e vë këtë film krejtësisht me vete?
R.B.: Krijimtaria ime që nga koha që kam qënë student në akademinë e arteve për regji teatri, i angazhuar në rrëzimin e sistemit komunist, ka qenë e fokusuar tek metamorfoza e individit shqiptar përgjatë tranzicionit në kuptimin shoqëror, social politik dhe psikologjik. Mendoj se ky film është një gjurmë shpirtërore e momentit historik, në të cilën po kalon individi shqiptar dhe problemeve që e shqetësojnë atë për kohën që po jetojmë. Besoj ajo që e veçon këtë film fillimisht është problematika, komplekstiteti i saj dhe mënyra si rrëfehet. Personalisht më pëlqen gjithmonë të zgjedh tema të komplikuara dhe t’i rrëfej ato thjesht, të cilat të japin mundësi të krijosh metafora, të rrëfesh përmes imazhit botën shiprtërore të individit, të jesh universal, të ngjallësh emocion tek çdo lloj publiku qoftë ai edhe i huaj. Nuk di nëse mund të përbëjë një veçanti, por kur shkruaj një histori tek çdo personazh qoftë ai edhe më “negativi” përpiqem ta trajtoj me dinjitet dhe të futem në skutat më të errëta që shkaktojnë dhimbje tek shpirtit i tij, pra përpiqem t’i shmangem kilsheve, pragjykimeve dhe të krijoj histori e personazhe kompleksë dhe realë. Në një lloj kuptimi mendoj se ky film është një vazhdimësi e filmave shqiptarë të pas diktaturës, por ajo që e dallon janë pikërisht ato që përmenda më sipër.
«Metafora e gotës së Pitagorës në këtë rast për mua është: mjafton një Pikë Uji që ta derdhë gotën dhe të shkaktojë ndryshime të mëdha»
GE:Me sa kemi parë, ka një shpjegim mjaft interesant rreth titullit të filmit. Ju lutem, a mund të na e thoni këtu, cila është më gjerësisht domethënia e shprehjes ‘pikë uji’?
R.B.: Kjo që shihni në figurë është parimi i gotës së Pitagorës, kur hedh qoftë edhe një Pikë më shumë lëng ajo derdhet. Metafora e gotës së Pitagorës në këtë rast për mua është: mjafton një Pikë Uji që ta derdhë gotën dhe të shkaktojë ndryshime të mëdha, ose në gjuhën më popullore ne i themi “tafmoja (oreksi) e modhe t’le pa gjo”. Për personazhin kryesor Aidën, e cila ka kapur majat e pushtetit dhe karrierës, arrestimi i të birit me akuzën për përdhunim të një shoqeje të klasës, derdh gjithë “gotën” e suksesit të saj.
Gjithashtu në Shqipërine e jugut ka dhe një shprehje popullore që thotë: “Mjafton një Pikë Ujë për të larë një djalë, por nuk mjafton një det i tërë, për të larë një vajzë” kur bëhet fjalë se si të dy gjykohen nga njerzit në lidhje me moralin.
GE: Për këtë film keni mbledhur një kast aktore/ësh nga të gjitha trevat shqiptare, madje edhe nga diaspora. Është thjesht çështje talentesh, profesionalizmi, e ndërlidhur edhe me subjektin e filmit, apo mëton të përçojë edhe ndonjë mesazh tjetër?
R.B.: Janë të gjitha bashkë, talenti, profesionalizmi, përshtatja me rolin, por mbi të gjitha mendoj se gjithësecili nga aktorët që vjen nga vende të ndryshme sjell me vete dhe kulturën e punës të vendit ku punon dhe jeton dhe diversitetin e saj, pasuron figurën, mënyrën e bashkëpunimit, e bën trajtimin e filmit më universal, më të freskët. Nga ana tjetër në këtë mënyrë, ndodh bashkimi shpirtëror i shqiptarëve kudo që janë përmes kulturës. Kur bashkimi shpirtëror arrihet, mendoj se bashkimi fizik i trojeve shqiptare është thjesht çështje kohe. Kjo ka qënë filozofia ime e punës, që në filmin e parë Agon dhe më pas tek Streha Mes Reve kam ndjekur të njejtën strategji dhe mendoj se ka funksionuar më së miri jo vetëm në realizimin e filmave, por edhe shkëmbimin e eksperiencave mes artistëve shqiptarë nga troje të ndryshme dhe diaspora.
«Për t’ia arritur (suksesit në Oscars – v.j.) duhet përveç cilësisë, pak fat dhe një histori, e cila vjen organike edhe për një publik të huaj. Akademia përveç filmave që kanë sukses në festivale të mëdha, gjithmonë sjell surpriza edhe me filma nga vende të vogla që kanë pasur impakt pa qënë në festivale të mëdha…»
GE: Në rrafshin e gjerë, pjesëmarrja e kinematografisë shqiptare në garat ndërkombëtare, specifikisht në Oscar, po merr vëmendjen e duhur nga institucionet përkatëse, apo pritet më shumë?
R.B.: Që një film të bëjë përpara në garën për Oscars, përveç cilësisë që duhet të jetë e padiskutueshme, duhet të shkojë në sa më shumë festivale, të fitojë çmime, të shkruhen për të sa më shumë kritika pozitive nga media serioze të kinemasë, por edhe të bëjë një fushatë të madhe marketingu, e cila mund të shkojë në qindra mijëra dollarë, në mënyrë që të ngjallë interes tek anëtarët e akademisë në mënyrë që ata ta shohin filmin dhe të votojnë, pasi me rregullore nuk e kanë të detyrueshme ta shohin. Duhet të organizosh shfaqje të filmit ne LA ku të ftosh anëtarë të Akademisë dhe të bësh Q&A, të cilat kjërkojnë financime. Pra siç shihet gara për Oscars është shumë e komplikuar. Nga ana tjetër edhe nëse investon këtë shumë, sërish asgjë nuk është e sigurt. Mundësitë financiare publike që siguron Shqipëria për kinemanë janë shumë të kufizuara, kështu që me financime publike për fushatë marketingu besoj se është ende herët të ndodhë në një vend si ne. Po aq të vështira janë edhe financimet private, apo të ardhurat që mund të nxjerrësh nga filmi që të realizosh një gjë të tillë. E vetmja gjë që institucionet e kulturës në Shqipëri mund të bënin ishte ta propogandonin pak më shumë, por edhe kjo ngelet thjesht për territorin shqiptar. Mendoj se për t’ia arritur duhet përveç cilësisë, pak fat dhe një histori, e cila vjen organike edhe për një publik të huaj. Akademia përveç filmave që kanë sukses në festivale të mëdha, gjithmonë sjell surpriza edhe me filma nga vende të vogla që kanë pasur impakt pa qënë në festivale të mëdha, siç ishte rasti këtë vit i filmit përfaqsues për Oscars nga Islanda “Touch”.
«Në kuptimin shpirtëror dhe afatgjatë mendoj se po, provokohet ajo lloj audience që ka mendim kritik mbi realitetin, që nuk e sheh filmin thjesht dhe vetëm si zbavitje, por edhe si reflektim mbi problemet që na shqetësojnë»
GE: A mendoni se përmes filmave, dhe përgjithësisht artit, po provokohet mjaftueshëm shoqëria dhe sistemi në vendet tona?
R.B.: Në kuptimin konkret dhe aftashkurtër të reagimit nuk mendoj se shoqëria jonë në tërësi, po provokohet nga filmat tanë, por në kuptimin shpirtëror dhe afatgjatë mendoj se po, provokohet ajo lloj audience që ka mendim kritik mbi realitetin, që nuk e sheh filmin thjesht dhe vetëm si zbavitje, por edhe si reflektim mbi problemet që na shqetësojnë. Dhe në fakt kjo lloj audience, që tek ne ishin mediat, gazetarët, pedagogët, mësuesit është ajo audiencë që ka ndikim më të madh në shoqëri. Ne e pamë filmin jo thjesht si një vepër artistike, por edhe si një debat me shoqërinë mbi problemet që ka realiteti ynë, ndaj për këtë qëllim kemi organizuar shfaqje të filmit me nxënësit e shkollave të mesme, meqë filmi trajton probleme që kanë lidhje direkte me ta. Dhe më pas kemi diskutuar temat që trajton filmi. Në Pogradec, Korçë dhe Gjirokastër pyetjet e nxënësve ishin shumë interesante dhe filmi ngjalli shumë interes. Në fillim të janarit do shkojmë në Shkodër e më pas edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Mendoj se në këtë mënyrë ne kontribuojme edhe në edukimin e audiencave dhe rrisim cilësinë e saj për të ndjekur filma të angazhuar që përcjellin mesazhe dhe provokojnë shoqërinë, për të nxitur tek ajo ndryshimin, siç ndodh në vende të zhvilluara.
GE: Nëse tërheqim një paralele të gjatë kohore, në kinematografinë shqiptare, cili ishte ndikimi i kinematografisë atëherë dhe çfarë ndikimi ka ose synon të ketë sot?
R.B.: Në Shqipërinë e regjimit diktatorial, filmi shihej si propogandë dhe ishte industria numër një në atë kohë. Nga njëra anë kjo i dha zhvillim të madh artit dhe kinemasë, nxori shumë talente, nga ana tjetër i detyroi artistët të ishin të kufizuar dhe të trajtonin problemet në mënyrë sipërfaqësore apo shpesh edhe të deformuar, ashtu siç i nevojitej regjimit, për të realizuar manipulimin shipërtëror të masave se Shqipëria ishte vendi i ëndrrave. Përveç kësaj, kjo mënyrë e trajtimit të artit ka pasur edhe një dëm kolateral në një pjesë të audiencës shqiptare, të cilës nuk i pëlqen të shohë probleme që provokojnë, me idenë se disa filma prishin imazhin e shqiptarëve në botë, pra vazhdojnë ta shohin filmin si propogandë. Ndërkohë unë mendoj se arti duhet të prekë probleme dhe të ngrejë pyetje për tema të mprehta që shqetësojnë shoqërinë, ashtu siç ndodh me vendet e zhvilluara.
«Mendoj se janë pjekur kushtet që kinemaja mbarëshqiptare të lërë gjurmë në kinemanë evropiane dhe atë botërore, talentet janë dhe i kanë dhënë tashmë provat, duhet thjesht këmbëngulje dhe besim dhe suksesi nuk ka për të vonuar»
GE: Si e shihni bashkëpunimin institucional kulturor mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë?
R.B.: E shoh si çelësin, i cili hap portat e majave të suksesit historik, për filmin mbarëshqiptar, sepse ky bashkëpunim përveç se na rrit kulturalisht na bashkon shpirtërisht. Të dy anët kemi shumë çfarë t’i japim njëri tjetrit, qoftë për nga historitë lokale dhe unike që prodhon secili, po ashtu edhe në kuptimin e pasurimit të këtyre historive me eksperiencat tona lokale. Nëse Kosova ka vuajtur shtypjen e egër etnike nga popujt e tjerë, por ka qënë më e lirë në mënyrën e të menduarit dhe lëvizje në kohën e ish Jugosllavisë, Shqipëria ka vuajtur sistemin e egër diktatorial dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë vrarë njëri-tjetrin në emër të ideologjisë dhe luftës së klasave. Besoj se trajtimi i përbashkët i këtyre temave na ndihmon shumë të kuptojmë më mirë njeri tjetrin dhe të kompktësohemi shipërtërisht si një popull që vijmë nga e njëjta histori dhe trashëgimi. Nga ana tjetër kështu, mendoj se mund të kapim maksimumin qoftë në krijim e qoftë në prodhim. Në rastin e filmit tonë, bashkëpunimi me Doruntina Basha si bashkëskenariste shqiptare nga Kosova i dha filmit një dimension shumë më të gjerë dhe elegant. Po ashtu pjesmarrja e aktorëve shqiptarë nga Kosova Gresa Pallaska, Astrit Kabashi, apo e Arben Bajraktaraj nga Franca, e Adem Karagës nga Maqedonia e Veriut, Gerhard Kolonecit nga Italia, Klodjana Keco nga Amerika, Paolo Iancu nga Rumania e ndërthurur me aktorët shqiptarë nga Shqipëria si një i ri pogradecar Henri Topi, Andrea Pepi, Ilda Pepi, Marjana Deti, Erjola Meta i dhanë një vlerë të shtuar filmit. E njejta gjë vlen edhe për bashkëprodhimin e filmit me Iliria Film Kosovë të producentit Luan Kryeziu. Jam i bindur që së bashku Kosovë, Shqipëri mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe unike, të kapim maksimumin e suksesit dhe të njeri tjetrit, ashtu siç na takon. Mendoj se janë pjekur kushtet që kinemaja mbarëshqiptare të lërë gjurmë në kinemanë evropiane dhe atë botërore, talentet janë dhe i kanë dhënë tashmë provat, duhet thjesht këmbëngulje dhe besim dhe suksesi nuk ka për të vonuar.
/Gazeta Express