string(108) "11-mln-euro-me-guaska-nga-gjibraltari-qipro-dhe-malta-ne-tirane-kush-jane-te-ndaluarit-si-funksiononte-skema"

Shqiperi

Gazeta Express

20/12/2024 10:53

11 mln euro me ‘guaska’ nga Gjibraltari, Qipro dhe Malta në Tiranë, kush janë të ndaluarit: Si funksiononte skema

Shqiperi

Gazeta Express

20/12/2024 10:53

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhërarrest për dy persona, të cilët akuzohen për transferimin e 11 milionë eurove nga kompani guaskë në shtete të parajsave fiskale drejt Shqipërisë dhe më pas në Kanada, në një skemë të dyshuar të pastrimit të parave. 

Dy të akuzuarit, shtetasi Darin Gezdari dhe shtetasja Arlinda Markudhe, u ndaluan gjatë finalizimit të operacionit të koduar “Cost to Cost” nga policia, në zbatim të vendimeve të gjykatës. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë organizuar një skemë kriminale duke përdorur transaksione bankare dhe kompani guaskë në vendet si Qipro, Gjibraltari dhe Malta.

Nëpërmjet kësaj skeme mashtrimi, ata transferuan rreth 11 milionë euro në dy vite nga kompanitë guaskë jashtë vendit drejt një kompanie shqiptare të krijuar në mënyrë fiktive. Paratë më pas transferoheshin drejt shtetit kanadez. Sipas Prokurorisë, aktiviteti është kryer me qëllim pastrimin e produktit të veprës penale.

Hetimet e deritanishme tregojnë se në këtë skemë janë të përfshirë edhe shtetas të tjerë shqiptarë dhe të huaj, për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Në njoftimin e saj zyrtar, Prokuroria e Tiranës thekson se operacioni është finalizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Policisë Vendore të Tiranës dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare, pas një pune disa mujore hetimore. Autoritetet mbeten në kërkim të bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.