Portreti i gjyshit e kthen Ismet Jonuzin në retrospektivë, duke kujtuar karakteristikat e fytyrës së tij. Përveç portretit të gjyshit dhe familjarëve të tjerë, në ekspozitën e fundit të artistit që u hap këto ditë në Galerinë e Fakultetit të Arteve u shpalos një punë e madhe e Jonuzit, nën shenjën “Retrospektivë”.
Në muret e Galerisë janë ekspozuar vepra në të cilat autori ka përdorur mediume të ndryshme. Ndjesia e kompleksitetit gjatë ecjes në ekspozitë shkon duke u thjeshtësuar, duke ofruar artistin me publikun shumë më afër. Në një formë tematika merr formë, duke ndjekur hyrjen, mesazhin e fundin. Jo pa shkas mediumet që janë të përfshira në këtë ekspozitë dinë ta krijojnë një turbulencë nga fillimi në fund. Plumbat, armët dhe kafkat rëndojnë atmosferën përreth, por balancimi arrihet përmes portreteve dhe disa skulpturave deri në të fundit, tek pëllumbi, vepër kjo titulluar “Liria”.
Kur jemi tek retrospektiva në veçanti, tek portreti i gjyshit dhe kujtimet e fëmijërisë së Ismet Jonuzit, artisti thotë së ka paraqitur disa nga punimet që nga fillimi i karrierës si krijues. Paraqitjen e tij të parë për publikun kosovar e kishte më 1984 dhe në fakt fillet për krijim kanë në thelb vizatimet e familjarëve.
“Kisha nisur pikërisht me vizatime të familjarëve të mi, sidomos më provokonte portreti i gjyshit tim që ishte shumë karakteristik si karakter prej të cilit kam bërë skica të pa numerta për ta nxjerrë psikologjinë dhe karakterin e tij, andaj në këtë ekspozitë ka fragmente nga ajo kohë që më vonë i kam përpunuar që shpesh i rikthehem kohë pas kohe, sepse është shumë personale dhe ka të bëj me identitetin familjar. Çdo portret ka një histori, ka një karakter psikologjik. Dikush pat thënë patetik, që është gabim të gjykosh pa e ditur historinë e portretit si dhe brendësinë, sepse portreti nuk është vetëm ajo që shohim nga jashtë, por ajo çfarë ka brenda tij, përjetimi, ndjenjat dhe ajo çfarë na provokon”, thotë Jonuzi.
Kur themi retrospektivë njëmend ne kuptojmë edhe që po flitet për një rikthim në kohë, respektivisht kur flasim për punën retrospektive të artistit po njëmend kuptojmë që kjo punë do të jetë e larmishme dhe hapësira më e madhe për ekspozim është domosdoshmëri.
Të njëjtën mendon vetë Jonuzi, i cili thotë që sidomos krijimtaria e tij që rrok vitin 1984 e vazhdon ende nuk mund të bëhet bashkë në hapësirën e Galerisë së Arteve, sepse kjo hapësirë nuk i përmbush kushtet.
Duke iu përmbajtur asaj që përmendem më lart lidhur me kompleksitetin dhe thjeshtësinë njëkohësisht, specifikisht mediumet e artisti që ka futur në punë për realizim të ekspozitës, ndalemi tek armët.
Armët dhe plumbat që bëjnë një pjesë të konsiderushme të asaj që e shohim, përfshirë veprat: “Helikopteri”.
Meqë vetë Jonuzi ka një lidhje krejt të veçantë me këto armë të papërdorura të cilave siç thotë “ju ka dhënë një jetë të re”, na dërgon ne kuriozitetin e ndikimit të luftës së fundit në Kosovë në krijimtarinë e tij.
“Pas luftës e pashë një skenë në TV, KFOR-i kishte grumbulluar një sasi të madhe armësh nga lufta e fundit në Kosovë dhe i shkatërronte në Janjevë, për t’i recikluar dhe unë shkova për t’i parë atje në terren se si duken vizualisht. Ishte një skenë shokuese, por edhe artistike dhe kërkova nga ata disa edhe pse nuk kisha ide se çfarë do të bëja me to dhe ata të Fabrikës më thanë se nuk mund t’i japim pa lejen e KFORIT. Një mike e imja punonte në UNMIK atë kohë dhe më njoftoi me një epror gjerman te KFOR-it dhe unë e ftova në studio për t’i treguar se çfarë punoj; se i kisha disa skulptura kryesisht me hekur, ishte shumë inteligjent dhe me tha e kam të qartë veç bëje një kërkese individuale dhe cek arsyen pse i kërkon dhe kjo punë kryhet shumë shpejt dhe ashtu ndodhi”, tregon Jonuzi.
Përdorimi i armeve si medium arti erdhi nga zhvillimi i ngjarjeve të asaj kohe, endjet e helikopterëve pas mbarimit të luftës, padyshim që ndikuan si frymëzimi i parë i artistit drejt finalizimit të projekteve. Bualli dhe helikopteri ishin dy karakteristikat që do ta identifikonin Jonuzin për shumë kohë, helikopteri për arsye që u përmenden ndërsa bualli si simbol rezistence e krijesë e pafajshme që i ishte nënshtruar dhunës sistematike për vite me radhë. Identiteti i artistit do të vazhdonte të mbetej i lidhur ngushtë me identitetin kombëtar dhe zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë që nga lufta e fundit e pas saj.
“Qëllimi nuk ishte për materializuar elemente patriotike as folklorike, por thjesht është një vazhdim i tendencës së Dadaizmit dhe Realizmit të ri, ashtu si edhe të Arte Povera, ku artistë krijojnë vepra nga gjërat e gjetura apo asamblazhe siç ishin më herët Picasso, Cesar Baldachini, Jean Tingualy, Niki de Sainf Falle dhe Dadaistët”, shprehet Jonuzi.
Demi paraqet vendlindjen tonë dhe të vetë artistit, të shtypur, pëllumbi në anën tjetër personifikon lirinë, simbolin e lirisë. Jo me pahir ekspozita hapet me kujtimet personale të artistit, me portretet familjare, vazhdon me kujtesën kolektive dhe përfundon me liri.
Retrospektiva si arkiv i punës dhe kujtimeve, i lë një hapësirë krejt të veçantë qoftë mesazhit qoftë rëndësisë së dokumentimit të një periudhe të gjatë kohore në rrafshin personal e shoqëror. Koncepti i ekspozitës siç thotë vetë Jonuzi nuk është veç lufta dhe kjo për shkak të kompozicionit të kafkave që i përkasin periudhave të ndryshme. Elementet e shumta që i ndihmojnë njëra-tjetrës në ekspozitë, nuk ndërrojnë subjektin megjithatë.
“Në hapje të ekspozitës me tha një student se kur pas luftës kanë kërkuar një familjar të zhdukur gjatë luftës nuk dinin se ku ta kërkonin më vonë e kuptuan se aty ku grumbulloheshin korbat aty e kishin gjetur.”
***
Ismet Jonuzi, i cili u paraqit në Bienale në vitin 1984 me dy punime, sot në Galerinë e Artëve ka gërshetuar një punë jashtëzakonisht të madhe ndër vite. Hapësira e kësaj galerie nuk përmbush kërkesat e këtij ekspozimi e përtej kësaj artisti i qëndron besnik teorisë së tij që Kosova është vend i pashtershëm frymëzimi për të gjithë artistët edhe për ata të artit pamor.
Se natyra ka qenë dhe mbetet njëri ndëra ndikueset me të mëdha të artistit tregon edhe një punim i vendosur në ballë të ekspozitës, nga koka e të cilit mbijnë gjethe, tash në këtë stinë gjethe të thara. Kjo nuk është dedikim veç për vete, në fakt është për të gjithë artistet që janë konfrontuar me natyrën, kështu mendon artisti.
“Unë inspirohem nga jeta e përditshme, nga librat, nga kujtimet e fëmijërisë nga natyra etj”, përfundon Jonuzi.
Bio e shkurtër:
Ismet Jonuzi lindi më 09.02.1961. Diplomoi më 1983 në klasën e skulpturës te prof. Agim Cavdarbasha / Akademia e Arteve Prishtinë, Magjistroi më 1997 te prof. Agim Cavdarbasha / Akademia e Arteve Prishtinë 1995.
Sot, profesor i rregullt në Departamentin e Skulpturës në Fakultetin e Arteve të bukura në Universitetin e Prishtinës. Jeton dhe vepron në Kosovë.
Ekspozitat personale: 1986 – Studio e Galerisë Karas, Zagreb, 1987 – Galeria Tesla, Zagreb, 1987 – Cite Internationale Des Arts, Paris, 1987 – Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë, 1987 – Sallon i Galerisë së Artit, Beograd, 1988 – Galeria Alfa Split, Kroaci, 1988 – Galeria Meneghello Palmizana,Hvar / Kroaci, 1989 – Galeria Stambuk Split, Kroaci, 1997 – Leopold Hoesch Museum Düren, Gjermani , 1998 – Heinrich-Böll-Stiftung, Langenbroich, Gjermani, 1998 – Lutz Rohs Galerie Düren , Gjermani, 1998 – Aachener Kunsthaus Aachen, Gjermani, 1999 – Artothek Galerie Dogan Schoenecke, Gjermani, 2000 – Biblioteka e Qytetit Düren, Gjermani , 2003 – Galeria e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë, 2008 – Galerie Leonhard & Europe Social Forum Malmo, Suedi, 2010 – K12 Galerie Bregenz, Austria, 2011- Ekspozita në Ambient të hapur, Ministria e Arsimit, Prishtinë, 2012 – Nga vija te forma – Kurator: Akademik Eqrem Basha /Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë, 2017 – Struktura e Paqës / Kurator: James Walmsley / Qendra e Dokumentimit Kosovë, Prishtinë.
Jonuzi ka qenë pjesë e ekspozitave grupore, kurator, pjesë e simpoziumeve ndëkombëtare të skulpturës, është shpërblyer me çmime e mirënjohje.
/Gazeta Express