Reporting House shfaq filmin “The Valley” për herë të parë në Kosovë me 22 nëntor 2024, duke filluar nga ora 19:30 në ish – objektin e shtëpisë së Mallrave “Gërmia” në Prishtinë.
Filmuar gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, para fillimit të luftës ajrore të NATO-së, filmi dokumentar “The Valley”, na fton në një udhëtim thellë në fushat e vdekjes të Kosovës në regjionin e Drenicës. Lugina e Drenicës u godit e para, dhe më së rëndi, dhe shihet e shkatërruar. Filmi tregon se si spiralë e frikës, urrejtjes dhe vrasjeve, e ushqyer nga mitet e lashta, shndërrohet në një logjikë shkatërruese. “The Valley” është dokumentari më i vlerësuar në arenën ndërkombëtare sa i përket luftës në Kosovës dhe fitues i 10 çmimeve prestigjioze.
Producenti dhe regjisori Dan Reed kaloi shumicën e vitit 1998 në zemër të kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës dhe sulmit të plotë serb që pasoi, duke dëshmuar – sipas tij – “gjysmën paralele të së vërtetës që ndanë serbët dhe shqiptarët e Kosovës dhe i bën ata të verbër për fatin e njëri-tjetrit” dhe “brutalitetin incestual të luftës mes fqinjëve.”
Shënim: Filmi ka përkthim në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.