Kurt Vonnegut (1922 – 2007), shkrimtar amerikan, ka botuar katërmbëdhjetë romane, dhjetë përmbledhje me tregime, pesë drama dhe vepra jo-fiksion gjatë një pierudhe prej pesëdhjetë e më shumë vjetësh. Një numër veprash i janë botuar pas vdekjes. Romani i tij më i njohur është ‘Thertorja e pestë’
PUTHJET NJËQIND DOLLARËSH
Nga Kurt Vonnegut
P: A e kupton se gjithçka që do të thuash do të hidhet në letër nga ky stenografi këtu?
Pr: Po zotëri.
P: Dhe se gjithçka që do të thuash mund të përdoret kundër teje?
Pr: E qartë.
P: Emri, mosha dhe adresa jote?
Pr: Henry George Lovell, Jr., tridhjetë e tre, me banim në 4121, North Pennsylvania Street, Indianapolis, Indiana.
P: Profesioni?
Pr: Deri në orën dy të kësaj pasdite isha menaxher në Seksionin e Regjistrimeve të Zyrës së Indianapolisit të Eagle Mutual Casualty dhe Indemnity Company të Ohaios.
P: Në Circle Tower?
Pr: Saktë.
P: Më njeh mua?
Pr: Ti je rreshteri detektiv George Miller nga Departamenti Policor i Indianapolisit.
P: A të ka keqtrajtuar ndokush, apo frikësuar me keqtrajtime, apo ofruar favore që të marrë prej teje këtë deklaratë.
Pr: Jo.
P: A e ke sulmuar, diku rreth orës dy të kësaj pasdite, një burrë të quajtur Verne Petrie, me telefon?
Pr: E kam qëlluar në kokë me atë pjesën me të cilën flasim dhe dëgjojmë.
P: Sa herë i ke rënë me të?
Pr: Një herë. E kam qëlluar një herë të vetme.
P: çka është Verne Petrie për ty?
Pr: Verne Petre është për mua çka nuk shkon mirë në këtë botë.
P: E kam fjalën, çka ishte Varne Petrie për ty në organizimin e zyrës?
Pr: Ne ishim në të njëjtin nivel të ulët ekzekutiv. Ishim në sektorë të ndryshëm. Ai nuk ishte shefi im dhe as unë nuk isha shefi i tij.
P: Po shtyheshit për ndonjë avancim?
Pr: Jo. Ishim në dy fusha krejt të ndryshme.
P: Si do ta përshkruaje atë?
Pr: Po ma kërkon ta përshkruaj Vernien me ndjenja, apo thjesht sa për këtë regjistrim?
P: Si ta kesh qejfin.
Pr: Verne Petrie është një burrë i madh i shëndoshë rreth tridhjetë e pesë vjeç. Ka flokë të buta të portokallta dhe dy dhëmbë të gjatë të përparmë të sipërm si kastor. Mban një jelek të kuq dhe thith njërën pas tjetrës ca cigare shumë të holla. I shpenzon të paktën pesëdhjetë dollarë në muaj për revista vajzash.
P: Revista vajzash?
Pr: Man About Town. Bull. Vital. Vigor. Male Valor. Këso gjërash.
P: Dhe ti po thua se Verne Petrie i harxhon pesëdhjetë dollarë për ca revista të tilla?
Pr: Të paktën. Secila kushton përgjithësisht pesëdhjetë centë ose pak më shumë dhe kurrë s’e kam parë Vernen të kthehet pas pushimit të drekës pa e pasur me vete të paktën një a dy sosh të reja. Ndonjëherë tri sosh.
Pr: Ty nuk të pëlqejnë vajzat?
P: Sigurisht se më pëlqejnë. Lë kokën pas vajzave. E kam martuar një dhe i kam tashmë dy vogëlushë të lezetshëm.
P: Po pse ti po prekesh pse Verne blen revista të tilla?
Pr: Nuk prekem. Thjesht më duket diçka e neveritshme.
P: E neveritshme?
Pr: Fotografitë e vajzave janë si drogë për Vernen. Mirë de, çdokujt i pëlqen të shikojë fotografi të pinapeve herë pas here, ama Verne, ai duhet ta mbushë krahun me to. Sa paranë e çon poshtë për to dhe ato janë më të vërteta se çkado tjetër për të.
Kur në fund të fotografisë pinap shkruhet: “Eja luaj me mua, loçkë”, a ndonjë gjë e tillë, Verne e beson atë. Ai përnjëmend mendon se ajo vajza po i thotë atij.
P: A është i martuar?
Pr: Me një vajzë të këndshme të lezetshme të dashur. Ka në shtëpi një grua për t’u mburrur. Nuk është se e kanë sajuar në YMCA.
P: A mos fshihet ndonjë gjë tjetër mbrapa fotografive të vajzave në revista?
Pr: Sigurisht… ka edhe gjëra të tjera aty. S’paske parë kurrë një të tillë?
P: Unë po të pyes ty.
Pr: Ato revista që të gjitha janë bukur shumë të ngjashme. Secila e ka të paktën një fotografi të madhe të një vajze lakuriqe, zakonisht mu në mes.
Ja çka e shet një revistë të tillë, pikërisht një fotografi e tillë. Pastaj aty mund të ketë ndonjë artikull rreth makinave të huaja apo dekorimin e një aneksi beqarësh, apo skllavërinë e bardhë në Hong Kong, apo si të zgjedhësh një altoparlant. Po ajo çka Verne do janë fotografitë e vajzave. Për të, t’i shikojë ato fotografi është si të dalë në takim me vajzat.
Shoka.
P: Pardon? Çka ishte kjo e fundit? Shoka?
Pr: Një gjë tjetër rreth së cilës shkruajnë artikuj – shokat.
P: Duket se ti vetë i paske lexuar këto revista bukur shumë.
Pr: Tavolina ime është ngjitur me atë të Vernet. Revistat ishin ngado që të ktheje kokën. Dhe çdoherë ai e sillte nga një të re në zyre, m’i ka futur në qejf.
P: Përnjëmend t’i ka futur në qejf?
Pr: Praktikisht. Dhe përherë e thoshte të njëjtën gjë.
P: Cila ishte ajo gjë që e thoshte përherë?
Pr: Nuk dua ta them para zonjës stenografe.
P: A mund ta thuash përafërsisht?
Pr: Verne hapte revistën te fotografia e vajzës dhe thoshte, përafërsisht, “Djema, do të paguaja njëqind dollarë që të puthja një kukullë loçkë si kjo. A s’ do ta bënit edhe ju?”.
P: Kjo të bezdiste ty?
Pr: Pas disa vitesh, po më hynte nën lëkurë.
P: Pse?
Pr: Ngase vinte në pah një ndjenjë të varfër të vlerësimit.
P: A mos po mendon se ti je Zoti i Plotfuqishëm, i autorizuar të shkosh rrotull duke i korrigjuar ndjenjat e vlerësimit të njerëzve?
Pr: Unë nuk mendoj se jam Zoti i Plotfuqishëm. Bile nuk mendoj as se jam një unitarian përnjëmend i mirë.
P: Besoj se do të na thuash çfarë ndodhi kur u ktheve pas drekës atë pasdite?
Pr: E gjeta Verne Petrien ulur në tavolinën e tij të punës me një kopje të re të revistës Male Valor të hapur para tij. Ishte hapur te një fotografi dyfaqesh e një gruaje të quajtur Patty Lee Minot. Ajo mbante veshur një mantel banjeje të celofanit. Verne po mbante vesh telefonin dhe po e shikonte fotografinë në të njëjtën kohë. E kishte vënë dorën mbi pipëz. Po ma luante syrin a thua se po dëgjonte diçka të mahnitshme në telefon. Më dha shenjë se mund të dëgjoja te telefoni im. I çoi lart tre gishtërinj, që donte të thoshte se duhej ta hapja telefonin në linjën tre.
P: Në linjën tre?
Pr: Ne kemi tri linja që vijnë në zyre. Shikova përreth zyrës dhe i rashë në të se shumë veta po dëgjonin në linjën tre, në telefonat e tyre. Të gjithë në zyre po dëgjonin. Kësodore, dëgjova edhe unë dhe mund të dëgjoja një telefon duke rënë në anën tjetër.
P: Ishte telefoni i Patty Lee Minot që po binte në New York?
Pr: Po. S’e dija në atë çast, por po, ai ishte. Verne u përpoq të më tregonte çka po zihej. Bëri me gisht kah fotografia e Patty Lee Minot në revistë, pastaj tregoi me gisht kah tavolina e punës së Miss Hackleman.
P: E çka po bënte vaki te tavolina e Miss Hacklemanit?
Pr: Miss Hacklemani nuk ishte aty për shkak se ishte e ftohur, njëri nga portierët e ndërtesës ishte ulur në karrigen e saj dhe po e përdorte telefonin e saj. Ai po e bënte thirrjen në distancë të largët dhe të tjerët po e dëgjonin.
P: E njeh atë?
Pr: E kam parë nëpër ndërtesë. E dija emrin e tij të parë. E ka të qepur në kominoshe. Emri i tij i parë ishte Harry. Më vonë mësova se emri i tij i plotë është Harry Barker.
P: Përshkruaje.
Pr: Harryn? Epo, ai duket pakëz më i vjetër se sa që është. Duket rreth dyzet e pesë vjeç. Në të vërtetë, ma ha mendja, ai është më i ri se aq. Duket goxha bukur dhe besoj se do të ketë qenë një atlet fort i mirë dikur. Po tash ai është duke i humbur flokët shumë shpejt dhe i kanë dalë bukur shumë rrudha nga hallet ose diçka e këtij lloji.
P: Pra po e dëgjonit telefonin duke rënë në New York?
Pr: Po, dhe unë teshtiva aksidentalisht.
P: Teshtive?
Pr: Teshtiva. E bëra mu në telefon, të gjithë ata kërcyen përpjetë dhe dikush tha ‘Shëndet’. Kjo e lëndoi bukur fort Verne Petrien.
P: Po çka bëri ai saktësisht?
Pr: U skuq dhe u çor. U çor ‘Mbylleni, djema’. E pra. U çor si dikush që nuk do që një përvojë e mrekullueshme t’i prishet nga një dorë shkularakësh. ‘Hej, djema’, u çor, ‘ose largohuni nga linja ose mbylleni sqepin. Dua të dëgjoj’. Atëherë dikush nga ana tjetër u përgjigj në telefon. Ishte shërbyesja e Patty Lee Minotit dhe operatori i distancave të largëta e pyeti atë nëse ai ishte filan numri, shërbyesja u përgjigj po ai ishte. Kështu që operatori tha, ‘Ja numri juaj, zotëri’ dhe portieri me emrin Harry filloi t’i fliste shërbyeses. Harry ishte fort i tensionuar. Po bënte një mori fytyrash qesharake në telefon, thua se po përpiqej t’ia mbushte mendjen vetes si të tingëllonte. ‘A mund të flas me Miss Melody Arlene Pfitzerin, të lutem?’, pyeti ai. ‘Miss, kë?’, pyeti shërbyesja. ‘Miss Melody Arlene Pfitzeri’, tha Harry. ‘Këtu s’ka njeri me mbiemrin Pfitzer’, tha shërbyesja. ‘A është ky numri i Patty Lee Minotit?’, pyeti Harry. ‘Po pra’, tha shërbyesja. ‘Melody Arlene Pfitzeri…’, tha Harry, ‘ky është emri i vërtetë i Patty Lee Minotit’. ‘Nuk ditkam asgjë për këtë’, tha shërbyesja.
P: Kush është Patty Lee Minot?
Pr: S’e ditke?
P: Po të pyes për shkak të regjistrimit.
Pr: Sapo ta thashë: është ajo vajzë në mantel banjeje të celofanit në revistën e Vernet. Ajo ishte vajza në mes të Male Valor. Shkoj me mendjen se ajo është çka ti do ta quaje një vajzë e famshme magjepsëse. Ajo është në revistat e vajzave gjithë kohës, nganjëherë edhe në televizor dhe njëherë madje e kam parë në një film me Bing Crosbyn.
P: Vazhdo.
Pr: A di çka thuhej nën fotografinë e saj në revistë?
P: Çka?
Pr: “Vajzë e Përjetshme e Tetorit”. Ja çka thuhej.
P: Vazhdo me bisedën telefonike.
Pr: Epo mirë, portieri me emrin Harry po tallej me shërbyesen rreth emrit të vërtetë të Patty Lee Minotit. ‘Thirre nganjëherë Melody Arlene Pfitzer dhe shihe çka do të thotë ajo’, i tha ai. ‘Nëse s’e ke problem’, tha ajo, ‘nuk ma merr mendja se mund ta bëj’. Dhe Harry i tha, ‘Ule telefonin, a mund ta bësh këtë? Thuaji asaj se është Harry K. Barker në telefon’. ‘Të njeh ajo?’, pyeti shërbyesja. ‘Do të më njohë nëse mendohet për një minutë’, tha Harry. ‘Prej nga e njeh atë’, pyeti shërbyesja. ‘’Nga shkolla e lartë’, tha Harry. ‘Nuk besoj se asaj do t’i pëlqejë të bezdiset tani, duke qenë se do të shohë një shou televiziv sonte’, tha shërbyesja. ‘Nuk është duke e vrarë mendjen aq për shkollën e lartë tash për tash’, tha ajo. ‘Isha i martuar me të në shkollën e mesme’, tha Harry. ‘Si thua, a bën ndonjë ndryshim kjo?’. Aty Verne më qëlloi në krah.
P: Të qëlloi?
Pr: Po.
P: Po deklaron se ai të ka sulmuar para se ta sulmoje ti atë?
Pr: Ma ha mendja se mund ta bëj këtë, apo jo? Ja një ide interesante. Nëse unë do të pajtoja një tomavokat, supozoj se mbase kjo do të ishte ajo që ai do të deklaronte. Jo – Verne nuk më sulmoi. Ai thjesht më qëlloi në krah që t’i kushtoja vëmendje, megjithëse më qëlloi mjaftueshëm që të më shkaktonte dhimbje. Paskëtaj praktikisht ma fërkoi fytyrën me fotografinë e Patty Lee Minotit.
P: Ta fërkoi?
Pr: Praktikisht ma leu ngado.
P: Po çka tha shërbyesja në telefon kur e mori vesh se Harry K. Barker kishte qenë dikur i martuar me punëdhënësen e saj?
Pr: Ajo tha, ‘Pa prit pak’.
P: Kuptoj.
Pr: Pastaj, pasi që ajo u largua nga telefoni, unë thashë ‘Pa prit pak’, dhe Verne u hallakat.
P: Ti bëre një shaka të vockël në telefon dhe Vernet s’i pëlqeu kjo?
Pr: Thjesht e shkërbeva shërbyesen dhe Verne ziu nga mllefi. Ai tha, ‘Mirë pra, djalë i mençur, mbylle sqepin. Atë zërin tënd qiellor e dëgjoj për çdo ditë të lume, çdo ditë, vit pas viti. Tash dua ta dëgjoj zërin e Patty Lee Minotit personalisht dhe do të të falënderoja përzemërsisht po e mbylle atë gojën tënde të madhe. Jam duke e paguar këtë thirrje. Kjo thirrje po ma rrjep lëkurën. Je i mirëseardhur të dëgjosh, por të lutem mbylle gojën’.
P: Verne po e paguante thirrjen?
Pr: E vërtetë. Thirrja ishte ideja e tij. E gjitha kishte nisur kur ia kishte treguar Harryt fotografinë e Patty Lee Minotit në revistë. Verne i kishte thënë Harryt se do t’i jepte njëqind dollarë që ta puthte një kukullë loçkë si ajo dhe Harry i kishte thënë se ishte qesharake se edhe ai do ta kishte thënë këtë. Harry i kishte treguar Vernet se kishte qenë i martuar me të. Verne s’mund ta besonte dot, kësodore vunë bast njëzet dollarë, pastaj u morën me thirrjen.
P: Kur Verne e pati me ty, ti nuk ia ktheve në asnjë mënyrë?
Pr: E lashë me aq. Ai nuk ishte në humor për çikërrima. Ishte thjesht sikur po përpiqesha ta rrënoja jetën e tij dashurore. Ishte thjesht sikur ai ishte duke pasur një aferë të madhe dashurie me Patty Lee Minotin dhe kisha dalë unë dhe ia kisha prishur. S’ia thashë as edhe një fjalë të vetme, pastaj Patty Lee Minoti u paraqit në linjë. ‘Hello?’, tha ajo. ‘Unë jam Harry Barker’, tha Harry. Po mundohej të ishte i butë dhe i sofistikuar. Po e ndizte një puro të vogël që ia kishte zgjatur Verne. ‘Ka kohë që s’jemi parë, Melody Arlene’, tha ai. ‘Kush je ti, njëmend?’, pyeti ajo. ‘A je ti, Fred?’.
P: Kush është Fredi?
Pr: Sikur ta dija. Ndonjë mik i saj që është hokatar, ma ha mendja. Ndonjë tip njujorkez i famshëm i dhënë pas zbavitjes. Harry tha, ‘Jo, jam Harry i vërtetë. Kemi qenë të martuar më katërmbëdhjetë tetor, njëmbëdhjetë vjet më parë, Melody Arlene, e mban mend?’. ‘Nëse ti je Harry i vërtetë, e unë hiç s’e besoj këtë’, tha ajo, ‘si u bë që më thirre?’. ‘Mendova se doje të dije si është vajza jonë, Melody Arlene’, tha Harry. ‘Nuk je munduar kurrë të marrësh vesh asgjë për të gjatë gjithë këtyre viteve. Mendova se mund të doje të dije si po kalon ajo, duke qenë se është fëmija e vetëm që ke’.
P: E çka tha ajo pas kësaj?
Pr: Ajo nuk tha asnjë gjë për një minutë të tërë. Në fund tha, me një zë njëmend të fortë nën hundë, ‘Kush është? Dikush që po mundohet të më bëjë shantazh? Se po qe kështu, shkofsh drejt e në ferr. Hajt shko dhe tregojua gazetave gjithë historinë, po e deshe këtë. Kurrë s’kam dashur ta mbaj sekret. Kam qenë e martuar kur kam qenë gjashtëmbëdhjetë vjeçe me një djalë të quajtur Harry Barker. Që të dy ishim studentë kursi në shkollën e lartë dhe na u desh të martoheshim për shkak se po bëhesha me bebe. Thuaja krejt botës, se hiç s’po ma ndien’. Atëherë Harry i tha, ‘Bebja ka vdekur, Melody Arlene. Bebja jote e vogël ka vdekur dy vjet pasi që je larguar ti’.
P: Çka i tha ai?
Pr: Se bebja e tij dhe e saj ka vdekur. Bebja e tyre ka vdekur. Ajo as që e kishte ditur këtë, kurrë s’ishte lodhur të merrte vesh çka kishte ndodhur me bijën e saj. Kjo, sipas revistës Male Valor, ishte grua e përjetshme, vajza e ëndrrave e çdo mashkulli me gjak të kuq. Dhe a e di ti se çka tha ajo?
P: Jo.
Pr: Rreshter, kjo Grua e Përjetshme e Tetorit tha, ‘Ajo është një pjesë e jetës sime të cilës i kam vënë vizë krejtësisht. Më vjen keq, por s’ma ndien më.
P: Cili qe reagimi i Verne Petriet kur ajo tha ashtu?
Pr: Nuk pati ndonjë reagim të veçantë. Sytë e tij të veckël si të gicit ishin drejtuar tjetërkah dhe po i tregonte dhëmbët e tij, disi duke i kërcëllitur. Ishte duke parë ëndrra të egra syhapur me Patty Lee Minotin.
P: Po pastaj çfarë?
Pr: Pastaj asgjë. Ajo e mbylli telefonin dhe kjo ishte e gjitha. Të gjithë ne i ulëm dhe të gjithë, përveç Vernet, ishim të neveritur.
Harry u ngrit dhe e luajti kokën. ‘Për atë Zot do të doja të kisha pasur me shumë mend para se ta bëja këtë thirrje’, tha ai. ‘Ja ku i ke të njëzet dollarët, Harry’, tha Verne. ‘Jo, faleminderit’, tha Harry. Dukej si dikush që është duke parë një ëndërr të keqe. ‘Nuk i dua tash’, tha ai. ‘Do të ishte si t’i merrja paratë e saj’. Harry i shikoi duart e veta. ‘Ia ndërtova asaj një shtëpi, një shtëpi të vockël të bukur. Ia ndërtova me duart e mia’, tha ai. Filloi të thoshte diçka tjetër, pa pastaj ndërroi mendje. U largua zvarrë nga zyra, pa i hequr sytë nga duart e veta. Për nja një gjysmë ore zyra ishte si një morg. Çdonjëri ndihej për ibret – çdonjëri përveç Vernet. Ia hodha sytë Vernet, përsëri e kishte revistën të hapur te fotografia e Patty Lee Minotit. Shikimet tona u ndeshën dhe ai më tha, ‘Ai bir bushtre me fat’.
P: Kush ishte ai bir bushtre me fat?
Pr: Harry Barker ishte një bir bushtre me fat, ngase kishte qenë i martuar me atë grua të mrekullueshme. ‘Ai bir bushtre me fat’, tha Verne. ‘Djema’, tha ai, ‘prej se e dëgjova zërin e saj në telefon, ajo është një kukullë loçkë për të cilën do t’i kisha dhënë njëqind dollarë që ta puth’.
P: Dhe ti ia ngjeshe?
Pr: Tamam.
P: Me telefonin e tij? Maje kokës?
Pr: Tamam.
P: E qëllove ftohtësisht?
Pr: E qëllova Verne Petrien pa më luajtur qerpiku, ngase në një çast të vetëm i rashë në të se Verne Petrie ishte ajo çka nuk shkonte mirë në këtë botë.
P: E çka është ajo që nuk shkon mirë në këtë botë?
Pr: Secili iu kushton vëmendje fotografive të gjërave. Askush nuk iu kushton vëmendje vetë gjërave.
P: A ka ndonjë gjë tjetër që do të doje të shtoje?
Pr: Po. Do të doja të regjistrohet fakti se unë peshoj një qind e njëzet e tre paundë, ndërsa Verne Petrie peshon dy qind paundë dhe se është plot një këmbë më i gjatë se unë. S’më mbetej tjetër veçse të përdorja ndonjë mjet. Jam i gatshëm, natyrisht, t’ia paguaj faturat e spitalit.
/Marrë nga Kurt Vonnegut, ‘While the Mortals Sleep’, Vintage, 2011
/Përkthimi: Gazeta Express