Rreth romanit “Sikur t’isha djall” të Ag Apollonit, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2024
Nga Agnesë Shkodra
Ag Apolloni është prozator, dramaturg dhe poet i njohur shqiptar i cili deri më tani ka krijuar një numër romanesh, dramash dhe veprash poetike. I njohur për stilin e tij të veçantë dhe për temat që trajton, ai ka fituar jo vetëm vëmendjen e lexuesve por edhe të kritikës shqiptare dhe të huaj. Veprat e Apollonit janë vlerësuar me çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, dhe po vazhdojnë të përkthehen edhe në shumë gjuhë të huaja. Së fundmi, autori na vjen me romanin e tij të pestë, me titull ”Sikur t’isha djall”.
”Sikur t’isha djall” është roman që përfshin një dimension të gjerë dashurie, e që lexuesit i rrëfehet nga goja e një narratori, i cili në raste të shpeshta na paraqitet edhe si djall. Pra ky roman ka në qendër një histori dashurie, që përjetohet brenda dhjetë ditëve, nga dy të rinjë, në një qytet të bukur siç është Vjena:
’’Para dhjetë vjetësh dy të rinj kaluan dhjetë ditë të bukura në Vjenë. Kështu mund të fillojë kjo histori. Kështu duhet të fillojë kjo histori.’’
Por kjo histori shkon përtej marrëdhënieve personale dhe përfshin gjithashtu edhe një dashuri të thellë për Vjenën, si qytet dhe kulturë. Rrëfimi na vjen si një udhëpërshkrim rreth lumit Danub, varrezave të Vjenës e shkon deri te muzetë, pallatet, teatrot, bibliotekat dhe libraritë e shumta. Nga kapitulli në kapitull, lexuesi së bashku me autorin duket sikur viziton muzeun Albertina, Belvederen, Schonbrunnin dhe muzeun Kunsthistorisches, duke përfytyruar të gjallë madhështinë e arkitekturës barokiane. Në këtë mënyrë autori eksploron edhe pasionet e tij për muzikën, pikturën, filmin dhe artin në përgjithësi, duke i integruar ato si elemente të rëndësishme në narrativën e romanit. Prandaj gjatë rrëfimit hasim në referenca nga krijimtaria e Mozartit, Bethoveenit, Cohenit e Claptonit dhe muzikës blues. Madje ai krijon një betejë midis kësaj të fundit dhe muzikës klasike, që edhe pse na del si humbëse, arrin që veprën ta shndërrojë në një roman për muzikën. Apolloni na flet për këngët, por edhe për pikturat dhe filmat e preferuar duke ngacmuar lexuesin të gjejë elemente të cilat mund të çojnë në situata të jetës së tij. Në disa raste personazhi identifikohet me emrin e autorit duke shfaqur një pasqyrë të thellë jo vetëm të identitetit, por edhe të përvojave të tij. Përveç historisë së dashurisë midis dy të rinjëve, këtu rrëfehet edhe historia e lindjes së romanit të tij të parë, duke na përforcuar idenë se ky roman mund të cilësohet edhe si roman autobiografik.
Qysh nga titulli, autori sfidon realitetin. Në narrativën e tij ndërthuren elemente fantastike me pozicionimin e personazhit përballë figurës së djallit. Këto elemente fantastike nxjerrin në pah edhe brendësinë e personazhit, i cili, duke dashur ta rijetojë jetën e tij, bën një pakt dhe ia shet shpirtin djallit. Nga ky pakt, lexuesi i vëmendshëm mund të hetojë edhe një lidhje intertekstuale me Faustin e Gëtes. Lidhja e djallit të Apollonit me Gëten dhe referencat e shumta për Shekspirin, Eliotin, Helnweinin, Cohenin dhe plot të tjerë, e pasurojnë romanin në dimensione të shumta artistike. Rrëfimi pasurohet edhe nga gjuha e përdorur, ku përmes përzierjes së dialekteve na paraqiten jo vetëm keqkuptimet në komunikim, që shpesh herë krijojnë situata komike, por edhe dallimet midis jetës në Kosovë, Shqipëri, e edhe në Vjenë.
Ashtu si në krijimtarinë e mëparshme, autori nuk i shpëton tundimit për të trajtuar, edhe kësaj here, tema që konsiderohen tabu. Derisa dy kryepersonazhet e tij jetojnë dashurinë për njëri-tjetrin dhe dashurinë për Vjenën, ata përfshihen në mospajtime dhe diskutime për incestin, për martesën, për lidhjen e hapur, për lirinë. Tema që në shoqërinë shqiptare është e ndaluar të diskutohen. Por meqë kjo histori është një histori për krisje, autori ashtu sikurse djalli që nuk nënshtrohet, vendosë të rebelohet dhe të mos përshtatet me masën. Sepse, kufijtë që kanë caktuar njerëzit nëpër kohë të ndryshme, janë shumë qesharakë për t’i përfillur.
/Gazeta Express
aaaaa