A është e gatshme Finlanda t’ia japë BE-së emisarin e ri për dialogun Kosovë-Serbi? Flasin për Express nga Helsinki - Gazeta Express
string(113) "a-eshte-e-gatshme-finlanda-tia-jape-be-se-emisarin-e-ri-per-dialogun-kosove-serbi-flasin-per-express-nga-helsinki"

Lajme

Gazeta Express

04/10/2024 18:41

A është e gatshme Finlanda t’ia japë BE-së emisarin e ri për dialogun Kosovë-Serbi? Flasin për Express nga Helsinki

Lajme

Gazeta Express

04/10/2024 18:41

Ish-kryediplomati finlandez, Pekka Haavisto, është një nga emrat e përfolur për ta pasuar sllovakun, Miroslav Lajcak, në pozitën e emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi. Të enjten gazeta finlandeze “Helsingin Sanomat” bazuar në burimet e saj ka shkruar se Finlanda është e gatshme që ta vendosë në punë diplomatin Haavisto për këtë pozitë të lartë në BE, shkruan Gazeta Express.

Shkruan: Besnik Velija

Lidhur me këtë raportim të “Helsingin Sanomat”, në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Ministria e Jashtme e Finlandës, duke thënë se Finlanda aktualisht vazhdon të mbështesë emisarin sllovak Lajçak meqë ende s’është hapur zyrtarisht gara për zëvendësimin e tij.

“Pozita e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë nuk është hapur ende dhe aktualisht Finlanda vazhdon të mbështesë plotësisht Përfaqësuesin Special Lajcak në punën e tij të rëndësishme deri në fund të mandatit të tij”, ka thënë për Gazetën Express zyrtari për komunikim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Harri Kilpi.

Nga MPJ e Finlandës kanë potencuar se presin nisjen e punës të Komisionit të ri Evropian dhe marrjen e detyrës nga Kaja Kallas dhe përcaktimin e prioriteteve, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi.

“Në përgjithësi, emërimi i Përfaqësuesit Special të BE-së bie nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë dhe Zëvendës Presidentit. Për momentin, ne presim që Komisioni i ri dhe Përfaqësuesja e Lartë të marrin detyrën në muajt e ardhshëm dhe që Përfaqësuesja e Lartë dhe Zëvendës Presidentja e re të përcaktojë prioritetet e saj, duke përfshirë dialogun Beograd-Prishtinë”, përfundon përgjigja e MPJ së Finlandës për Gazeta Express.

Gjatë muajit qershor të këtij viti kur emri i Haavisto kishte qarkulluar në media, Express kishte kontaktuar zyrën e diplomatit finlandez, megjithatë nga zyra e tij kanë thënë se s’kanë koment për emërimin e mundshëm të tij si emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.

Haavisto ka vepruar më parë si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Sudanin në lidhje me negociatat mbi marrëveshjen e paqes të Darfurit. Në Ballkan, ai ka punuar për UNEP në kuadër të një programi mjedisor të OKB-së.

Emisari sllovak Miroslav Lajcak do ta përfundojë mandatin e tij më 31 janar të vitit 2025. BE kishte vendosur për zgjatjen e mandatit të sllovakut më 26 korrik të këtij viti. Vetë Lajçak, duke folur pë zgjatjen e mandatit, kishte treguar se kishte kërkuar të vazhdonte punë e tij si emisar meqë ka shumë për të bërë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Si emra të mundshëm për zëvendësimin e sllovakut është përmendur edhe ish-presidenti slloven, Borut Pahor dhe diplomati danez Peter Sorensen./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement