string(57) "epistula-e-javes-tove-jansson-per-eva-konikoff-05-08-1941"

Arte

Gazeta Express

27/09/2024 16:05

Epistula e javës/ Tove Jansson për Eva Konikoff, 05.08.1941

Arte

Gazeta Express

27/09/2024 16:05

Tove Marika Jansson (9 gusht 1914 – 27 qershor 2001), shkrimtare, piktore, ilustutratore fenosuedeze. Tove dhe fotografja Eva Konikoff (1908-1999) u takuan në fund të viteve ’30.

5 gusht

Pikërisht tani një bllokim idiotik i hundës, të cilën u mundova ta çliroj duke shkuar të bëj not, është shndërruar në një të ftohur të keqe – zvarritem herë pas here nga shtrati vetëm për ët vënë diçka të ngrënshme në fërtele, po përndryshe jam duke lexuar një vëllim humoristik nga Jules Verne, që Lasse e kishte gjetur (librin, kështu) copa-copa në atik. Dergjem këtu duke shikuar drurin e mështeknës jashtë dritares sime, që fëshfërin si një mijë këmisha të mëndafshta – deti është i zi i hirtë dhe shirat e parë kanë rënë. Ka qenë tmerrësisht thatë dhe nxehtë këtej, bari përreth shtëpisë krejt i zverdhur, uji nga pusi i mbushur me barëra të këqija dhe i pashije, myk dhe larva ngado, mjaftueshëm që njeriu të luajë nga mendja. Ndërsa në pyll, në pronat e përbashkëta, zona të tëra të djegura nga ata transportuesit budallenj dhe bombat e tyre. Është e mrekullueshme të dëgjoj sërish erën dhe shiun.

Ka ca lajme të mira të t’i jap: Prolle është i sigurt nga rusët e mallkuar për tre muajt e ardhshëm; e kanë çuar diku larg në një qytet perëndimor, të kryejë kursin R.U.K1. Do ta kuptosh sa keq u zura në befasi kur thirrën nga H:fors të na tregojnë se do të vinte këndej kalimthi! Ham e ka mbajtur për nja njëzet e katër orë – dhe pas ca ditësh ajo do të dalë me Impin dhe do ta marrë gjithë gushtin të lirë! Është tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Ishim në merak gjatë kohës sa nuk kishim lajme prej tij, por pastaj morëm një letër që na thoshte se ishte dërguar në veri të Ladogës dhe po çante përpara drejt vijës së frontit përmes fshatrave të shkretuara përplot me trupa të vdekur. Kjo preku Hamin tepër shumë. U ngjit lart në tarracë dhe refuzoi të zbriste poshtë, as nuk donte të hante. Tensioni në familje qe i tmerrshëm, një atmosferë e mbushur me dallime politike gati të shpërthejë. Pas një përplasjeje e mora Lassen këtu me mua, ngase mendoj se u përket Hamit dhe Faffanit që t’i ulin gjakrat, nëse është e mundur që dy pikëpamje kaq të ndryshme të bashkëjetojnë. E gjitha që mund të bëj është të mbyll gojën dhe të mos përzihem, por s’ka asgjë që mund të ma ndalojë të mendoj çfarë dua. Ishte mirë të vija këtu, si të mbyllja një derë të vatuar në një rrugë të zhurmshme qyteti. Të marr një pushim nga gjithë kjo thashethemnajë naive, gjithë ky provokim politik, gjithë këta monologë, dhe nga të parit e gjithë këtyre njerëzve që lufta i bën të ligj dhe të dëshpëruar – e varrosa veten në vetmi dhe heshtje dhe desha të zgjaste përgjithmonë. Udhëtimi deri këtu ishte i këndshëm fare; në in Borgå pati një paralajmërim për një inkursion ajror posa që autobusi ishte mbushur plot e përplot, por ngasësi që s’e kishte me ngut refuzoi të na linte të largoheshim para se të vinte posta. Kur erdhi, me dhjetë minuta vonesë, ai krejt qetësisht e vuri në lëvizje gasifikuesin e drurit dhe u nisëm me hopa përmes grumbujve të çakllit të lënë pas nga bombardimet paraprake. Busi po vlonte nga ankthi nervoz – pore lamë pas qytetin para se aeroëplanët të vinin sipër tij. Në Pellinge tashmë e kishin arritur fshatin me bombat e tyre – kur ne, pasi që kishim pritur ca orë [fshirë nga censuruesi], hipëm në bordin e një anije transportuese ushtarake që na solli në shtëpi, mund t’i dëgjonim pëlltumet në Sauna Cove dhe t’i shihnim t’i ndiqnin barkat e shitësve të druve të djegies përmes limanit.

Aeroplanët vijnë zhurmshëm mbi kokat tona në baza ditore, si kryqi i zi i vdekjes në qiej. Natën shtrihem dhe i dëgjoj se si zukasin mbi det ose ngjiten lart për t’i shmangur majat e pemëve teksa drejtohen për në kontinent.

Një ditë, njëri prej tyre ra poshtë dhe e zbrazi poshtë barrën e tij në ngushticën mes neve dhe Rödholmen-it – njëherë tjetër e sulmuan njërin prej pilotëve që bartte një ngarkesë me dru zjarri nga Nyttis-it – me gjasë duke menduar se ishte municion. Ai e shpëtoi veten duke kërcyer në ujë nën barkë, por, sikur të mos ishte fshehur mbrapa rrotës së litarit, shtjella e ujit e shkaktuar nga bombat do ta kishte zhytur në ujë. Dje mora vesh se vëllai i Asta Kajunës është vrarë. Letra e fundit e Tapsës, e para ca ditësh, na bënte me dije se po i dërgojnë [fshirë nga censuruesi] t’i zëvendësojnë të tjerët. Po na shkruan gati se çdo ditë (kur nuk janë tamam të angazhuar në luftime), i hareshëm, inkurajues, i dashuruar pas letrave. Hami m’i dërgon mua nga studioja që Faffani të mos i shoh. Është e turpshme – por këtyre ditëve më duhet që gjithçka që ka të bëjë me jetën time private dhe miqtë e mi t’ia mbaj të fshehtë. S’kemi më asgjë për ;ti thënë njëri-tjetrit.

Nëse lufta nuk e kërkon Tapsën, dua ta mbaj. Një nevojë e re është rritur brenda meje për diçka të qëndrueshme dhe stabile, disa gjëra paralajmërojnë se më duhet të ndalem pak – jam e lodhur nga aferat e dashurisë episodike dhe të dhunshme. Tapsa dhe unë e dimë çka të presim nga njëri-tjetri, kjo ka të bëjë pafundësisht më shumë me këtë se sa me aspektin seksual dhe korrespondenca jonë dhe lufta na ka afruar në një mënyrë të mahnitshme. Ai po më mëson të mos i frikësohem jetës. Nëse kthehet, unë do të jem (me çdonjërin këtu në shtëpi) e zonja, e guximshme dhe do të përpiqem ta ndihmoj ta harrojë atë “çka asnjë qenie njerëzore nuk duhet ta shohë”. Jam e lodhur nga lufta për miqtë e mi dhe çlirimi i tyre nga akuzat – dua të më lënë të qetë me Tapsën. Ai është më i lezetshmi, ai është rruga ime drejt zhvillimit më të madh, paqes, gëzimit dhe ngrohtësisë. Jam e rritur tash dhe teksa shtohen obligimet e mia, kam po ashtu të drejtë për një jetë timen. Lasse dhe unë kemi harxhuar kohën tonë këtu duke bubërruar përreth me mijëra gjëra të vockla që i kanë dhënë kësaj vere iluzionin e të qenit si në vitet e kaluara, edhe pse hija e rëndë e luftës ka qenë prore në pritë në prapavijë.

E kemi pastruar dhe ngjyrosur barkë e peshkimit, kemi dalë për peshk – me ca perfitime minimale – kemi mbledhur bagla kali dhe kemi shkuar të zhytemi për të kërkuar alga në Sanskär, i kemi lagur bimë me ujë deti, kemi mbledhur boronica dhe kemi bërë përpjekje frenetike ta kthejmë në vete kopshtin që pas pesë javësh braktisjeje ishte shndërruar nëë një xhungël pakashumë të padepërtueshme.

Nuk kemi mundur të shkojmë te ishujt – vetëm te Nyttisi. Lasse është shoqëria ideale, i qetë, por i gëzueshëm, i gatshëm të bëjë tërë atë që ia kërkoj. Abbe, që ka fushuar te njëri prej ishujve të jashtme më të afërt, nganjëherë na viziton me barkën e tij me motor dhe punon gjithë natën me leje me barkën që e ka përgjysmë me dikë. Fanny shkon poshtë e përpjetë duke murmuritur me vete për shkak të ‘ryssin’-it të asaj dite kur gati se kishte vdekur nga frika [fshirë nga censuruesi] kur bomat kishin rënë krejt afër saj. Ajo dhe Freya ia kishin mbathur për në pyll si rrufe. Kalon orë të tëra duke shikuar nga dritarja në agim, sytë në fytyrën e saj të gjatë të vërdheme janë të pashprehje. Kalle në moshë i kryen me qetësi të gjitha punët e tij të vogla, ose rri aty duke e shikuar detin dhe Lasse sorollatet me rrjtëzen e tij për flutura.  

Qetësia e që mbretëron ngado ka filluar të më hipën paksa në kokë – por tash thjesht mendoj se sa e këndshme është.

Dje kanë dërguar një skuadër kërkimi të spastroj ishullin në kërkim të spiunëve sovjetikë që kishin rënë me parashutë aty – më pas dëgjova se e gjitha ishte për shkak të “sinjaleve sekrete”, sinjale menjëherë në tokë përgjatë bregut. Duhet të rrëfej me turpin tim të thellë se këto sinjale ishin mënyra ime për të përvijuar një shteg të ri për në Sauna Cove verën e kaluar! Tash praktikisht kanë mbjellë panik në fshat! – Në majë të një pishe të lartë menjëherë pranë Laxvarpetit kam instaluar një platformë të vogël – nga aty mund të shohësh detin përmes një lloj dritareje të gjelbër. Një marrëzi fëmijërore, e di – por sidoqoftë më jep një ndjesi të kënaqësisë sekrete dhe më bën euforike. Tash ka rënë terri. Retë plot me shi ngarendin në qiell dhe pylli po hungëron. Diku larg ka diçka që po ulërin: mbase ndonjë sirenë. Është pis dhe bukur. Jam ulur këtu ta mbroj dritën e pishtarit tim dhe të shkruaj.

Të dhuroj një të pafundme dashuri të pafundme – Eva! Sa e mrekullueshme do të ishte si janë punët andej te ju!

Tove

P.S.: Më 6 gusht: Mora letër nga Tapsa.

Ada nuk kishte arritur të merrte leje të plotë për në Stokholm në kohën sa isha aty. Piktura e Samua në Munksnäs vlen për gjithë atë që vlen, por më më duhet t’i lë të qetë se thjesht më dëshpëron duke mos qenë në kontakt me ta. Prej Karinit një letër melankolike nga Stokholmi që e kishte shkruar kohë më parë. Roza – a ta kam thënë më herët? – është në spital me tuberkuloz. Kjo është e gjitha që mund të ta them rreth miqve tonë.

Shënim:

R.U.K. – Shkolla e oficerëve rezervë (edhe Rukken).

Abbe – Biri i Kalle Gustafsson-it, nga i cili familja Jansson ksihte marrë me qira vilen verore.

Fanny – motra e Kalle-t.

Ada – Ada Indursky, ndjekëse e kursit të Tove Janssonit në Ateneum.

/Marrë nga Tove Jansson, ‘Letters from Tove’,  University of Minnesota Press, 2020

/përkthimi: Gazeta Express