15 qytetarë janë betuar pasi kanë marrë shtetësinë shqiptare para kryetarit te Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj.
Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, i cili sot është në ditët më të mira dhe numëron rreth 1 milion turistë në muaj.
“Krejt papritur nga një ‘katund’ i vogël ose qytezë me 10 mijë banorë, sot jemi mbi 1 milion. Pra, në 104 vite kryeqytet jemi rritur 104 herë. Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj. Imagjinoni se çfarë ndryshimi dhe se çfarë transformimi ka pësuar qyteti çdo vit, duke u rritur dhe duke u bërë më kozmopolitan, më përfaqësues i të gjitha realiteteve dhe i të gjitha prurjeve dhe kombësive të ndryshme. Sot në Tiranë kanë rezidencën 144 kombësi. Nga një Tiranë e 91-shit, ku ishim vetëm ne tanët në një Tiranë që sot ka 25 mijë italianë dhe shumë e shumë kombësi të tjera që e quajnë dhe ata shtëpinë e tyre”, u shpreh Veliaj.