Në Gjykatën e Apelit këtë të enjte u lexua pretenca për çështjen “Babale”, ku mes të akuzuarve është dhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji.
Në Apel deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi. Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audiopërgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.
Gjatë seancës së zhvilluar sot, Prokurori i Apelit Arben Qosja, duke lexuar pretencën kërkoi që të ngelet në fuqi vendimi i shkallës së parë, si i mbështetur në prova dhe në ligj për deputetin demokrat Ervin Salianji.
“I qëndroj vendimit që është dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Në tërësinë e provave dhe duke vlerësuar marrëdhëniet që kanë patur personat me njeri-tjetrin dhe nga të gjitha provat e tjera, çka tregojnë se kanë njohje me njeri tjetrin. Vlerësoj që vendimi i shkallës se parë është i drejtë. I kërkoj gjykatës së apelit lënien në fuqi të këtij vendimi”, u shpreh prokurori Qosja.
Salianji teksa mbrojti pafajësinë e tij, tha se se ishte dënuar padrejtësisht me mungesë provash dhe se s’kishte bërë as kallëzim të rremë, as krim dhe as çështje penale.
Avokati i Ervin Salianjit, Redi Ramaj u shpreh se, “i kërkojmë këtij trupi gjykues të prishet vendimi i Shkallës së Parë dhe të shpallet i pafajshëm klienti i mbrojtur prej nesh”.