Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Veri të vendit që ka rezultuar me mbylljen e institucioneve paralele që kanë vazhduar të funksionojnë në katër komunat veriore.
Në reagim thuhet se SHBA përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin me “veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”, shkruan Gazeta Express.
Ambasada potencon se ky aksion i sotëm s’ka qenë i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare dhe thekson se çështjet që lidhe me strukturat e përkrahur nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut në Bruksel.
Ambasada e SHBA-së thotë se veprimi i sotëm në Veri të vendit e rrit përkeqësimin e partneritetit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Ambasada e SHBA-së ka potencuar përkrahjen që ia ka dhënë Policisë së Kosovës prej vitesh dhe potencojnë se instrumentalizimi i vazhdueshëm i saj nga ana e Qeverisë për të kryer veprime të pa koordinuara s’është në përputhje me premtimin për vazhdim të konsultimeve dhe koordinim me komunitetin ndërkombëtar.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim./Express/