Brenda pesë ditëve në Kosovë ndodhën dy vrasje, një në Bibaj të Ferizajt dhe një në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Në të dy rastet viktimat janë burra. Sadri Sadriu dyshohet se u vra nga nipi i gruas, ndërsa Xhevdet Millaku dyshohet se u vra nga kunata e tij.
Gazeta Express
Më 16 gusht ndodhi një vrasje në fshatin Bibaj të Ferizajt, ndërsa më 20 gusht një tjetër në Kodrën e Trimave në Prishtinë.
Si të dyshuar për këto vrasje në pranga përfunduan tre persona. Një për vrasjen në Prishtinë e dy të tjerë për vrasjen e 89 vjeçarit në Ferizaj.
Të dyshuarve për vrasjen e Sadri Sadriut i është caktuar nga një muaj paraburgim, ndërsa për gruan që dyshohet se vrau kunatin është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.
Vrasja në Bibaj, viktima axha i burrit të presidentes Osmani
Të premten një krim ndodhi në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt. Atje u vra 89 vjeçari Sadri Sadriu. Si të dyshuar për këtë u arrestuan dy persona, një për kryerjen e veprën penale (Festim Ramadani) dhe tjetri për ndihmë në kryerjen e veprës penale.
Viktima ishte axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani- Sadriu, dhe i njëjti është varrosur të dielën në varrezat e vendlindjes së tij, në fshatin Lezbali.
Ndërsa të dyshuarve tashmë i është caktuar nga një muaj paraburgim, që sipas Prokurorisë, aktin e kryen për “motive të ulëta”. Por, sipas raportimeve të mediave, kësaj vrasje i ka paraprirë një konflikt mes dy familjeve mbi dyshimin se 89-vjeçari, Sadri Sadriu, ia kishte dhunuar dy motrat Festim Ramadanit, gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë. Asokohe të dyja ishin të mitura (fëmijë) dhe po strehoheshin tek tezja e tyre në Preshevë.
Familja Ramadani, Sadriun e ka paraqitur penalisht edhe në organet ligjore në Serbi, por pa rezultat.
Ndërkohë, në media kanë rrjedhur edhe biseda ku familja Sadriu njoftohej mbi të bëmat e kryefamiljarit.
Pjesë e atyre bisedave ishte edhe presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, që është nip i viktimës.
Një ditë pas vrasjes, kur dolën raportimet për dyshimet për pedofili të Sadri Sadriut dhe se Presidentja dhe burri i saj kanë qenë në dijeni për rastin nëpërmjet një grupi në rrjete sociale ku ishin futur, në një përgjigje për Gazetën Express, shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se “kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë”.
Më vonë reagoi edhe vetë Osmani duke thënë se mediat po bënin propagandë për të.
“I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi” ka thënë ajo.
Për këtë çështje, Osmani u pyet edhe gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta bëjnë punën e tyre, duke thënë se nuk pasur asnjë njohuri në lidhje me rastin.
“Deklaratat e mia publike si presidente, të presidencës si institucion janë tejet të qarta. Asnjë involvim, asnjë njohuri, e as më pak ndonjë ndërhyrje në institucionet e drejtësisë të Serbisë, paramendojeni çfarë pretendimi. Të gjitha çështjet i kam sqaruar, edhe njëherë iu bëjë thirrje të gjitha organeve të hetuesisë dhe të drejtësisë që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur”, ka thënë Osmani për Radio Evropa e Lirë.
56-vjeçarja dyshohet se vrau kunatin, motivi “problemet familjare”
Ndërsa mbrëmë një vrasje tjetër goditi vendin. Në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, Nazmije Millaku dyshohet se e vrau Xhevdet Millakun, vëllain e bashkëshortit.
Policia njoftoi se ajo është vetëdorëzuar në Polici, ndërsa zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha për Gazetën Express se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajete është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeç) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.”
Ulaj tha se nga hetimet preliminare motivi i vrasjes dyshohet se janë problemet familjare dhe shtoi se do të kërkojnë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.
“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes se këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë te gjitha rrethanat e këtij rasti. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do te paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.”
Ndërkaq në raportin e sotëm të Policisë thuhej se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe 10 gëzhoja dhe katër predha.
“VRASJE E RËNDË- Prishtinë / 20.08.2024 – 19:00. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”
Millaku ishte zyrtar i transportit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ai do të varroset sot në ora 17:00 në varrezat në Dragodan. /GazetaExpress/