Mbrëmja “New Generation” në ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’ solli në skenë zërat e së ardhmes, të cilët interpretuan arie të përzgjedhura nga opera botërore, duke kurorëzuar punën me profesorin Dario Russo dhe mysafirin special Matteo Pais nga “Academia del Maggio Musicale”.
Në kuadër të masterklasës së këndimit në RLIOF 4, talentet e rinj patën rastin të përfitojnë edhe nga përvoja e dirigjentit të njohur Sascha Goetzel, i cili i udhëzoi ata në përsosjen e shkathtësive interpretative.
Shoqëruar në piano nga Laura Lila, studentët dëshmuan potencialin e tyre artistik dhe të ardhmen e ndritur të kulturës operistike. Mbrëmja u mbajt në Galerinë e Fakultetit të Arteve, ku po qëndron e hapur ekspozita “Athua ëndërr ishe ti”, duke ndërthurur edhe njëherë artin operistik me atë pamor për një rrugëtim muzikor që u duartrokit dhe u mirëprit nga publiku. “New Generation” u përmbyll me ndarjen e certifikatave të masterklasës.