Drejtori i Shërbimit Korrektues i Kosovës, Ismail Dibrani, ka qenë i ftuar sot në emisionin “Frontal” të T7, ku ka folur edhe për të arratisurin nga Smrekonica, Faton Hajrizi.
Ai sqaroi se a është larguar apo arratisur Hajrizi nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.
“Faton Hajrizi është larguar nga institucioni i tipit të hapur në Smrekonicë. Sigurisht që ndaj tij janë procedurat penale dhe disiplinore. Përveç procedurave disiplinore në momentin kur ai kthehet në institcion është edhe ndjekja penale që ai duhet të ballafaqohet”, tha Dibrani.
“Në ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, një prej shkeljeve disiplinore është edhe largimi. Në fakt neni 100, paragrafi 4.1 e specifikon qartë cdo person që ikë apo largohet nga institucionet korrektuese, kështu quhet, ndaj tij iniciohet procedurë disiplinore përvec ndjekjen penale. Sigurisht që kallëzimi penal bëhet për arratisje”, tha Dibrani.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në një konferencë për media kishte thënë se kur ka ikje nga institucioni i tipit të hapur quhet “largim” dhe jo “arratisje”.
“Kemi tipe të mbyllura ku siguria është e lartë dhe tipe të hapura ku ka privilegje të shumta, ku si shkak i sjelljeve të mira janë të gatshëm për riintegrim. Largimi nga institucioni i mbyllur nënkupton arratisje, nga i hapur konsiderohet largim. Vlen të theksohet se të njëjtit që janë larguar nga institucioni i tipit të hapur i humbin të gjitha privilegjet që kanë pasur deri më tani dhe kur kapen kthehen në të mbyllur. Do iniciohet vepër penale e re”, ka deklaruar Sallahu. /GazetaExpress/