Ky ditar është botuar së pari në tërësinë e tij në vëllimin XIII të The Collected Papers of Albert Einstein (CPAE), më 2012; dhe është njëri prej gjashtë ditarëve të udhëtimit të mbajtur nga ai. Ditarët e tjerë janë shkruar gjatë udhëtimit të tij në Afrikën e Jugut, nga marsi deri në majin e vitit 1925 dhe tri udhëtimeve të tij në Shtetet e bashkuara, kur vizioi California Institute of Technology në Pasadena gjatë vizitave konsekutive dimërore të viteve 1930–1931, 1931–1932, dhe 1932–1933.
28 tetor 1922
Dje mbrëma u drejtuam për në (Honk) Kolombo me një vonesë të konsiderueshme. Para se bregu të na dilte para syve na zuri një stuhi e fuqishme tropikale me rrebeshe, që e detyroi anijen të ndalonte. Kur zbardhi rreth orës 9, e kuptuam se ishim afër portit. Një pilot nxori një anije me rrema dhe shumë shpejt kaluam pranë një avulloreje tjetër japoneze. Aty pamë për herë të parë një indian në moshë, i hollë, tipare të shquara me mjekër të thinjur, i cili na i solli dy telegrame dhe – na u lut për një bakshish. Pamë edhe indianë të tjerë, figura muskulore nga e zeshkëta te e zeza me fytyra shprehëse, trupa dhe sjellje të përulura. Duken si fisnikë të rënë në lypsarë. Krenaritë dhe nëpërkëmbjet më të papërshkrueshme janë të bashkuara këtu.
Këtë mëngjes në orën 7 zbritëm në tokë dhe, së toku me Du Plâtres, vizituam lagjen hindu të Kolombos dhe një tempull budist1. Udhëtuam në qerre të vogla njëshe që tërhiqeshin nga dy persona herkulianë dhe po aq të fisëm. U ndjeva bukur fort i turpëruar që po përfshihesha në një trajtim kaq të përbuzshëm të qenies njerëzore, por s’mund të ndryshoja asgjë. Ngase këta lypsarë në formë mbretërish i sulen çdonjërit të huaj derisa ai të lëshojë pe. Dinë si të përgjërojnë e të lusin derisa zemra e të huajit të trandet. Në rrugët e lagjeve indigjene mund të shohësh se si këta njerëz të mirë e kalojnë jetën e tyre primitive2. Pavarësisht finesës të tyre, ta krijojnë përshtypjen se klima nuk i lejon të mendojnë më gjatë se një çerek ore para ose mbrapa. Jetojnë në pisllëk të plotë dhe në një erë të keqe të konsiderueshme në tokë, bëjnë pakgjë dhe kanë nevojë për pakgjë. Cikël i thjeshtë ekonomik i jetës. Tepër të mbyllur që ta marrin parasysh një ekzistencë të dalluar individuale. Gjysëm të zhveshur, ata zbulojnë trupat e tyre të hollë dhe prapë shumë të fuqishëm, fytyrat e tyre të imta dhe të durueshme. Tash këtu duke u çirrur si levantinët në Port Said. Kurrfarë brutaliteti, asnjë ekzistencë në vaj në shesh, por një rrjedhë e nënshtruar e qetë, edhe pse jo pa njëfarë shpengimi. Posa i shikon njëherë mirë këta njerëz, do ta kesh zor pastaj të gjesh kënaqësi tek evropianët, ngase janë më të ronitur dhe më brutal, duken më të vrazhdë dhe më makutë – dhe këtu fatkeqësisht gjendet superioriteti i tyre praktik, zotësia e tyre të ballafaqohen me gjëra të mëdha dhe t’i realizojnë. A nuk do të bëheshim edhe ne, në këtë klimë, si indianët?
Shamatë e paparë në port. Punëtorë herkulianë me trupa të shndritshëm të zinj kujdesen për ngarkesën. Disa sish performojnë shkathtësitë e tyre qafëthyese. Gjithmonë ajo buzëqeshje dhe tinëzllëk për paranë e pisët dhe njerëz të vetëkënaqur që janë mjaftueshëm të ligë sa të kënaqen me këtë. Në orën 12:30 u nisëm nëpër një shkretëtirë uji me shi. Cejloni është parajsë vegjetacioni dhe njëkohësisht një skenë e ekzistencës së mjerë njerëzore.
31 tetor
Dje ishte ditëlindja e Mikados3. Kremtuam në kuvertën e sipërme para mesnatës. Benzai dhe këndim i himnit kombëtar, i cili duket vërtetë i huaj dhe i strukturuar çuditshëm4. Japonezët janë shumë të devotshëm. Miq të pazakontë shteti i të cilëve është në të njëjtën kohë edhe religjion. Moti po ndreqet. Duke udhëtuar përgjatë bregut, së pari të Sumatrës, tash përgjatë kontintetit. Efekte përthyese interesante në skajin e horizontit. Për shkak të shkallëzimeve të temperaturës ose lagështisë duket sikur anija po lundron në ajër, gjithashtu larg steresë. Dje mbrëma një shou spontan i japonezëve. Një burrë këndoi dhe mjaulliu si maçoku të cilit ia kanë shkelur bishtin. Veç kësaj herë pas here përmes një gjesti të egër përpiqej të nxirrte një ton nga një instrumet si kitarë me taste të shkurtra që dukej se s’kishte asgjë të bënte me këngën4. Një japonez (botanist) i ri i shquar, hollak, performon një trik magjik mahnitës, kryesisht me tre topa të kuq që i bënte të zhdukeshin dhe të shfaqeshin prapë. Dje i pashë instrumentet lundruese dhe u njoha me metodat standarde për përcaktimin e pozicionit. Kompase vërtet primitivë, me momente të balancuara inercie. Sekstant, orë. Takimetër, helika e të cilit është e tërhequr mbrapa në një vijë të gjatë. Nesër në mëngjes në Singapor. Znj. Ishii doli të jetë halla e resë së vogël të Sakumës5. Moti po shkëlqen.
2 nëntor
Ora shtatë e mëngjesit, përmes shtigjeve të ngushta mes ishujve të gjelbër. Arritja në portin e Kolombos së Singaporit. Sionistët po na prisnin dhe na uruan një mirëseradhje të ngrohtë. Z. dhe znj. Montor6 (ai, vëlla i aktorit hamburgas, edhe ai vetë talent i teatrit, ajo, vieneze e vërtetë por që ishte rritur në Singapor) na morën në shtëpinë e tyre të madhe. Udhëtuam përmes kopshtit të mrekullueshëm zoologjik dhe përmes pjesëve të ndryshme të qytetit, në një mot jo aq të nxehtë. Mora vesh se Weizmanni7 i palodhshëm kishte ndarë mendjen të përdorte udhëtimin tim në të mirë të sionizmit. Kur arritëm në shtëpi, menjëherë m’u desh të ktheja një përgjigje për një fjalim mirëseardhjeje që z.Montor e kishte shkruar me një mik sipas porosisë së Shoqatës sioniste të Singaporit. Adresimi8, që duhej të më bëhej në mënyrë ceremoniale ishte në mëndafsh dhe në një kuti të çmueshme argjendi (reliev ornamental siamez), ishte bukur i fortë, por rrihte shumë lart dhe – siç e pranoi edhe krijuesi i tij me një zgërdheshje – lidhej me ndihmën e Leksikonin e Bised(imit) të Meyer-it9. Në orën 11 na u bashkua një gazetar dhe m’u desh t’ua tregoj me nge z.Montor, mikut të tij dhe gazetarit historinë e hapësirës sferike, në mesin e shumë gjëra të tjera. Pas ushqimit të mrekullueshëm të mesditës mikpritësit tonë na çuan në dhomën e mysafirëve ku na u lejua të flinim përposh një kafazi mushkonjash. Te dera ngjitur ishte një dhomë larjeje me oturak dhe me një vaskë për larje. Elsa ishte e lemerisur, paksa edhe unë, në dritën e ca instalimeve të tilla të pazakonta. Pasi pushuam mirë, u nisëm me makinën e Montorit në orën katër për te Meyeri, te Kresi hebre i Singaporit. Shtëpia e tij madhështore me korridore si të morëve është e vendosur në maje të kodrës me një pamje mbi qytet dhe det; krejt mbrapa saj, një sinagogë mahnitëse10, thelbësisht thjesht për marrëdhënien mes Kresit dhe Jehovait, e ndërtuar nga themeluesi. Kresi është një 81-vjeçar plot energji, i imët dhe ende pip në këmbë.
Mjekër të hirtë, fytyrë të ngushtë të vrazhdë, hundë të hollë me sqep hebreje, i zgjuar, sy disi tinëzarë, një kapele koke të zezë mbi vetullën e tij krejt të harkuar. I ngjashëm me Lorencin, veçse sytë e tij dashamirës shkëlqyes janë të zëvendësuar nga sy të kujdesshëm dhe dinakë dhe sjellja e tij shpreh një punë dhe rend skematik më shumë se sa – me Lorencin – këndshmëri njerëzore dhe shpirt të zakonshëm11. Kjo ishte fortesa që, sipas shestimit të Weizmannit, duhej të pushtoja për të mirën e Universitetit të Jerusalemit. Vajza e tij, me një fytyrë të ngushtë të zezë të fisme të zbehtë, është një prej figurave femërore hebreje më të bukura që kam parë ndonjëherë. Ajo dëshmon, kur e shikon, se duhet ta marrësh seriozisht shakanë rreth “aristokracisë së vjetër12”.
Kur arritëm aty lart, së pari bëmë fotografinë. Kresi ngjitur meje, i rrethuar nga familja e tij dhe shumë çifte hebreje, një foto grupi. Pas këtij akti jashtëzakonisht të rëndësishëm u futëm në një korridor të madh të freskët oriental. Grupi malajzian luajti muzikë vieneze dhe zezake në mënyrën shmalzi të kafeneve evropiane. U ula me Kresin dhe – kryepeshkopin (bashkë me të shoqen), një fisnik anglez me hundë të madhe, i imët, ekskluzivisht anglisht-folës, i cili, jo së koti, i lakmonte me afsh paratë e Kresit, pa e pretenduar tekembramja shpirtin e tij. Fatkeqësi gjuhësore e pashpresë me shije ëmbëlsire. Pastaj Montori na mori (Kresin dhe mua) te dy ulëse të larta me pupitër sipër në fund të korridorit, u ul pas nesh, e lexoi fjalimin e tij një zë bindës, me përgjigjen time të përkthyer mirë në xhepin e tij. Unë fola lirshëm, ndërkohë që ai merrte shënime simultane, në mënyrë që të ishte në gjendje ta lexonte kurdoqoftë përgjigjen time, të shkruar atij mëngjesi dhe të përkthyer nga ai dhe miku i tij, të cilin ai e nxori si një përkthim të improvizuar të fjalimit tim të atypëratyshëm, operator i shkathët. Pastaj dorështrëngime të pafundme, reminishencë e Amerikës. Përzemërsi e vërtetë në mesin e hebrenjve, kudo. Tashmë me një goxha mundim nga deti gjatë gjithë atij aktiviteti dhe me diellin që veç kishte perënduar, u nisëm qetësisht për në shtëpi, ku më duhej të jepja autografe për një grumbull të vockël albumesh. Pastaj kaluam nëpër lagjen kineze (rrëmujë e paparë, por s’kishim kohë shumë të shikonim ndonjë gjë, veç të merrnim erë) për te dreke e Kreusit, një tryezë pompoze në një sallë të hapur për rreth 80 pesona13. Ushqimi ishte i shijehsëm dhe i pafund. Në fund m’u desh të ngrihem se s’mund të shihja ushqimin më me sy e lëre më të ha. Pastaj u rikthye grupi muzikor dhe gjithë gazmend luajti muzikë zezake, hierarku dhe të gjithë të tjerët vallëzuan. Madje as Kreuzi nuk u shmang, pasi që kishte treguar se sa shumë fit ishte stomaku i tij prej 80 vjeçari. Në fund orvatja e planifikuar mirë e vrasjes së Kreuzit e nxitur nga Weizmanni u realizua (rreth kontributit për Univeristetin e Jerusalemit); nuk e di nëse, pavarësisht gjithë atyre përpjekjeve nga ana ime, ndonjëri nga plumbat e mi e zuri epidermën e trashë të Kreuzit. Pastaj u nisëm për në shtëpi (pasi që i përfunduam edhe disa albume të tjera) dhe u shtrimë në kafazet e merituara të mushkonjave. Natën, rrëbeshe të jashtëzakonshme tropikale të shoqëruara me stuhi. I sigurova shpejt të gjitha qepenat e dritareve, të cilat prapëseprapë mund ta ndalnin veç pjesërisht gjithë atë sasi uji. Gjatë gjithë asaj kohe temeratura nuk ishte e lartë në mënyrë të kënaqshme, por lagështia e madhe ta kujtonte serrën. Ka diçka orientalisht dehëse në këtë.
Shënime:
1 Me gjasë Kelaniya Raja Maha Vihara Temple, tempulli budist më i njohur në afërsi të Kolombos.
2 Me gjasë distrikti Pettah në Kolombo.
3 Perandori Yoshihito (1879–1926), që mbretëroi gjatë periudhës Taishō nga viti 1912 deri më 1926.
* “Banzai” është një thirrja tradicionale japoneze që ka kuptimin “jetë të gjatë”. Himni kombëtar japonez ishte “Kimigayo” (“Mbretëria e Perandorit”).
4 Kjo ishte një performancë e joruri ose gidayu, një narracion dramatik tradicional japonez, e kënduar e shoqëruar nga samiseni, një instrument harkor.
5 Shin (Noboru) Sakuma (1893–1987), sekretari i tretë në Ambasadën japoneze në Berlin. Ai e kishte organizuar takimin mes Einteinit dhe Koshin Murobuse-s, korrespondentit evropian të gazetës Kaizo, në Berlin në shtator të vitit 1921.
6 Alfred Montor (1878–1950), tregtar diamentesh, Anna Montor (1886–1945), Max Montor (1872–1934).
7 Chaim Weizmann (1874–1952) ishte president i Organizatës sioniste në Londër. Ai e kishte telegrafuar Shoqatën sioniste të Singaporit në mesin e tetorit që t’u kërkonte ta prisnin Einsteinin në Singapor, ku duhej të mblidheshin fonde për Universitetin hebre. Weizmanni kërkoi që Einsteini të informohej me telegraf pas arritjes së tij në Kolombo për pritjen e planifikuar.
8 Adresimi i komunitetit hebre i lexuar nga Montor ishte shkruar nga D. Kitovitz. Montor i kishte uruar mirëseardhje Einsteinit në gjirin e komunitetit hebre, i kishte çmuar kontributet e tij shkencore dhe i kishte shprehur dëshirën që ta merrte drejtimin e Universitetit hebre. Fjalimi i Einsteinit ishte pritur me duartrokitje.
9 Manasseh Meyer (1846–1930), lider i komunitetit hebre të Singaporit dhe një filantropist i dalluar. Kreuzi, mbreti i lashtë i Lidias, ishte i dalluar për pasurinë e tij legjendare.
10 Chesed-El Synagogue ishte ndërtuar në oborrin e rezidencës së Meyer-ëve, më 1905.
11 Hendrik A. Lorentz (1853–1928), profesor i fizikës teorike në Universitetin e Leyden-it.
12 Mozelle Nissim (1883–1975). Kjo është një referencë për të thënë “bukuria është fisnikëria më e vjetër në natyrë”.
13 Pritja u bë në orën 5 pasdite në Belle Vue, Oxley Rise në Singapor. Në ngjarje “u përfaqësuan të gjitha komunietetet dhe të besimet”. Rreth 300 mysafirë e përcollën ndodhinë, përfshirë anëtarët drejtues të komunitetit hebre dhe peshkopi anglikan.
/Marrë nga: “The Travel Diaries of Albert Einstein – The Far East, Palestine and Spain, 1922-23”, Princeton University press, 2018
/Përkthimi Gazeta Express