Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi tha se aktgjykimi i sotëm për lirimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca nga akuza e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend “nuk ka qenë vendim i lehtë”.
Kabashi tha në Frontal në T7 se po të shpallej Konjufca fajtor deri në shkallë të tretë, do ta humbte postin e kryeparlamentarit dhe deputetit.
“Nuk ka qenë vendim i lehtë… Po të shpallej fajtor sot Konjufca, në bazë të Gjykatës Kushtetuese, mandati i deputetit, i kryetarit të Kuvendit do të shkonte për të. Sepse ky vendim nëse do ishte dënues mbi një vit burgim efektiv dhe si vendim i formës së prerë atëherë mandatin do ta humbte si deputet dhe kryetar Kuvendi”, tha ai.
Kabashi tha gjithashtu se në atë rast, Konjufca, sipas ligjit, s’do të mund të garonte në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk do të kishte të drejtë të aplikonte në zgjedhje”, tha Kabashi.
Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli aktgjykim lirues për Konjufcën, i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja Edita Çanta.
Sipas aktakuzës, më 10 gusht 2016, Konjufca si deputet kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Sipas gjykatëses, nuk është provuar se Konjufca e ka kryer veprën “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.