Në emisionin sportiv “Favorit” në T7 mbrëmë janë diskutuar tema të shumta dhe mjaft interesante për publikun.
Prej tyre pa dyshim ishte edhe momenti negativ nëpër të cilin po kalon Ballkani, i cili rrezikoi ta humbiste primatin në fundjavën që shkoi, shkruan “Gazeta Express”.
E analisti i “Favoritit”, Ismet Munishi i ka analizuar deklaratat e trajnerit të ekipit Portokalli, Ilir Daja, i cili u ankua se lojtarët janë lodhur dhe se nuk e kanë më energjinë e njëjtë, ndërsa i përmendi edhe mungesat nga lëndimet, si shkaqe të rënies së formës së kampionit të dyfishtë të Kosovës.
Sidoqoftë, trajneri kosovar mendon se problemet e Ballkanit qëndrojnë diku tjetër, ndërsa e bëri një krahasim mes paraqitjeve që i bënte ekipi nga Suhareka para dy vjetësh me ato që po i bën sot.
“Unë nuk pajtohem me deklaratat e Ilir Dajës pasi ka kohë që po arsyetohet. Ky nuk ka nevojë të arsyetohet, duhet ta qesë problemin në opinion dhe aty në zhveshtore. Unë e di që në zhveshtore e qet.”
“Në futboll kampioni arrihet gjak, me sakrificë të madhe, me mund, me djersë, jo me arsyetime. Nuk ke çka ta arsyetosh atë lojtarin që nuk është i motivuar. Thotë kemi probleme psikologjike. Ky s’un e kap tupanin me na kallxu…”
“Ky duhet ta deshifrojë problemin, çfarë probleme psikologjike paska lojtari, s’kaa ujë me pi a s’ka bukë me hongër a? Kampion dilet me sakrificë të madhe, me mund të madh. Nuk guxon me ndjek titullin kampion dhe me thënë: jemi lodh! Ku paska mu lodh kampioni? Duhet ti heq prej vokabularit arsyetimet, hiç nuk ka nevojë të thotë kështu ashtu, por të thotë po kemi problem me dhon gollin, kemi dështu me marr sulmues të mirë, qito janë problemet e Ballkanit”
“Nuk po mund t’ia marrim topin kërkujt pa shumë mund. Përpara ta ka marr topin Ballkani për dy sekonda. Tash ekipet po e marrin topin, fillojnë ta qarkullojnë. Nuk është ajo dëshira për t’u përplas, nuk është ajo dëshirë për rezultat, apo për ta marrë topin, qysh ka qenë përpara. Është shumë e thjeshtë, le t’i shohin ndeshjet që i kanë bërë para dy vjetëve dhe lojtë e sotit. Le ta shohin se çfarë ritmi, çfarë përplasje, çfarë energjie kishin, çfarë dëshire për fitore… Për me ndjek titullin duhet energji shumë e madhe.” /Gazeta Express/