Ismet Munishi ka qenë mjaft i zëshëm dhe kritik mbrëmë në emisionin “Favorit” për mundësinë e ndryshimit të statutit në UEFA, i cili do t’ia mundësonte presidentit Aleksander Çeferin që të gëzojë më shumë se tre mandate.
Si rrjedhojë, krahu i tij i djathtë, bashkëpunëtori dhe këshilltari, njëherësh drejtori i futbollit i UEFA-s, Zvonimir Boban dha dorëheqje pasi nuk pajtohej me këtë vendim të sllovenit.
E Munishi e përshëndeti vendimin e legjendës kroate duke insistuar se shumë mandate e kthejnë një president në diktator, shkruan “Gazeta Express”.
“Dy mandate është qeverisje, mandej mandati i tretë dhe mandati i katërt është diktaturë. Nuk kemi të bëjmë me qeverisje më. S’e ka shpik Çeferini futbollin me ndejt aty 15 mandate, për qata s’pajtohet Bobani pasi s’është servil, ka emër dhe nder. Bobani është 800 herë më i madh se Çeferini.”
“Edhe bota e sportistëve nuk duhet të pajtohet me padrejtësitë, sepse kur një shoqni bëhet krejt servile, kur një komunitet bëhet servil, e krijojmë një diktator. E krijojmë një diktator absolut, që ai ka gjithmonë të drejt, është më i miri, s’ka me të, e ka shpik futbollin ai, historia fillon dhe përfundon me të. Nuk ekziston kështu futbolli. Ne jemi në këtë jetë me ardh me dhënë kontribut dhe me lënë trashëgimtarë. Ky është misioni i jonë.”
“Te mentaliteti ballkanik, çdo gjë fillon me mu dhe përfundon me mu, këta të tjerët s’po bojkan. Këtu është thelbi i problemit.”
“Dy mandate iu paskan duk pak Çeferinit, po e do të tretin, të katërtin, të pestin. Qe po ta nënshkrujmë përjetë me ndejt aty. Kjo është lufta për pushtet, kjo është kur njerëzit i mashtron pushteti edhe më pas në mënyrën më të keqe shkojnë prej aty. Ne e dimë se qysh shkojnë diktatorët edhe e dimë fatin e diktatorëve. Krejt bota lufton për demokraci, ne në Ballkan duam të krijojmë diktatorë”, përfundoi Munishi. /Gazeta Express/