string(30) "poeti-mihai-eminescu-1850-1889"

Arte

Gazeta Express

17/01/2024 14:52

Poeti Mihai Eminescu (1850-1889)

Arte

Gazeta Express

17/01/2024 14:52

Përgatiti dhe përktheu nga origjinali rumanisht: Luan Topçiu

Mihai Eminescu, poet, gazetar, prozator, mendimtar i shquar rumun, lindi më 15 janar 1850 në Botoshani ose Ipoteşti dhe vdiq më 15 qershor 1889 në Bukuresht.

Eminescu konsiderohet poeti kombëtar i Rumanisë dhe studiuesit e kanë quajtur „ndriçuesi i poezisë rumune” si dhe përfaqësuesin më të rëndësishëm të romantizmit në letërsinë rumune.

Në vitin 1861 u regjistrua në Obergymnasium në Chernivt, një shkollë në gjuhën gjermane. Viti 1866 është viti i botimeve të para letrare të Eminescu-t.

Kur mësuesi i tij i gjuhës rumune, Aron Pumnul, vdes në janarin e atij viti, nxënësit botuan një broshurë për nder të tij, në të cilën bënte pjesë edhe poema e Mihai Eminescut „La mormântul lui Aron Pumnul/Në varrin e Aron Pumnul-it”. Më 25 shkurt, Iosif Vulcan i boton në revistën në gjuhën rumune “Familia”, në Pest të Hungarisë dhe më pas i ndryshoi emrin në atë letrar: Mihai Eminescu.

Gjatë viteve 1869 – 1872 Eminescu ishte student në Vjenë, ku ndoqi Fakultetin Filozofik dhe Juridik. Ai ishte aktiv në shoqëritë studentore, kohë gjatë së cilës miqësohet me shkrimtarin tjetër rumun, Ioan Slavici, dhe takohet me të dashurën e tij, që do të ishte edhe dhe muza e tij, Veronica Micle. Fillon bashkëpunimin me revistën e njohur “Convorbiri literare” dhe debuton si publicist në gazetën “Albina/Bleta” që dilte në Pest të Hungarisë. Në periudhën 1872-1874 vazhdoi studimet në Berlin. Gjatë viteve 1874 – 1877 ishte drejtor i Bibliotekës Qendrore, mësues, inspektor arsimi për qarqet Jashi dhe Vaslui, redaktor i gazetës „Curierul” që dilte në qytetin e Jashit. Vazhdoi të shkruante për revistën “Convorbiri literare” dhe në këtë kohë njihet me prozatorin më të madh klasik rumun, Ion Creangă.

Në vitin 1877 shpërngulet në Bukuresht, ku deri në vitin 1883 ishte redaktor, dhe më pas kryeredaktor i gazetës “Timpul/Koha”. Gjatë kësaj periudhe ai shkruan poemat e tij më të njohura: „Luceafărul/Ylli i mëngjesit” dhe „Scrisorile/Letrat”, duke u bërë poeti më i njohur për rumunët. Në kulmin e veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij, shëndeti i përkeqësohet, sëmuret rëndë dhe shtrohet në spital. Në dhjetor 1883 botohet një vëllim me poezi të Eminescut të zgjedhura nga Titu Maiorescu, një personalitet i kohës. Duke vuajtur për disa vjet resht nga sindromi depresiv, Eminescu ndërron jetë në moshën 39 vjeçare. Rrethanat e sëmundjes dhe vdekjes së tij nuk janë sqaruar plotësisht as sot e kësaj dite.

Mihai Eminescu ishte i pari që e kthehu gjuhën rumune në një objekt të vërtetë arti, në kushtet kur poezia rumune, e pasigurt, ishte në përçapjet e para të saj drejt formësimit. Përmes kompleksitetit të njohurive të grumbulluara në filozofi, drejtësi, mjekësi, duke treguar interes edhe për ekonominë, sociologjinë apo disiplina të tjera, ndonëse nuk arriti të marrë një diplomë universitare, Eminescu pati një sukses të vërtetë në karrierën e tij, jo vetëm si poet, por edhe si gazetar, përmes botimit të artikujve kritikë për letërsinë, shoqërinë, politikën në gazetat „Timpul” dhe „Curierul!” të Jashit” si dhe në organe të tjera. Vdekja e parakohshme ndërpreu ngritjen e një talenti që kishte arritur pjekurinë e krijimit të tij. Megjithatë, vepra e tij poetike e vendos Eminescu-n si një ndër përfaqësuesit kryesorë të romantizmit europian. Shumë vite pas vdekjes, më 1948, u zgjodh anëtar i Akademisë Rumune më 28 tetor 1948.
Gjatë periudhës komuniste, figura e Eminescu-t, i cili vazhdoi të mbetet një simbol kombëtar, u përdor intensivisht për qëllime të propagandës nacionaliste komuniste. U portretizua ekskluzivisht si një poet i përsosur, ndërkohë që shkrimet e tij filozofike dhe politike u margjinalizuan për përmbajtjen e tyre, ndonjëherë radikale. Gazetaria politike e Eminescu-t mund të konsiderohet si „modeli më i mirë i shkollës së gazetarisë kombëtare”.

Për të lehtësuar njohjen dhe studimin më mirë të veprës së Eminescu-t, Akademia Rumune ka botuar vëllime me faksimile të veprave të tij të plota (23 vëllime)

Në vitin kur ndërroi jetë Eminescu, do të lindte një alter ego i tij në poezinë ballkanike, poeti shqiptar, Lasgush Poradeci. Është një përkim që të bën të mendosh për misterin e rastësive, emigrimin e shpirtrave, duke pasur parasysh marrëdhëniet e posaçme të poetit shqiptar me veprën e poetit të madh rumun, vepër e cila i shërbeu si model kulturor, estetik dhe modelues. Ditëlindja e poetit, 15 janari, është shpallur dita kombëtare e kulturës rumune. Çmimi letrar ”Mihai Eminescu” është më prestigjiozi në Rumani, çmim të cilin e ka marrë dhe një autor shqiptar. Poeti Mihai Eminescu ka qenë dhe mbetet i dashur për lëçitësit shqiptarë falë disa botimeve në Bukuresht, Tiranë dhe në Prishtinë./Exlibris