Fahredin Duraku ka qenë mbrëmë mysafir në emisionin sportiv “Favorit” në T7, ku e ka shprehur brengën e tij për gjendjen në futbollin kosovar.
Trajneri mitrovicas thotë se është shqetësuese që klubet kosovare udhëhiqen nga njerëz që s’dinë se çka është futbolli pasi iu përkasin lëmive dhe sferave të tjera.
Për këtë arsye, trajneri i dikurshëm i disa skuadrave kosovare, me përvojë edhe në Gjermani dhe në Turqi, thotë se është i detyruar që të heq dorë nga futbolli kosovar, shkruan “Gazeta Express”.
“Unë jam i zhgënjyer me kryetarin e klubit të Lirisë. Mund të them se për gjashtë muaj kemi qenë së bashku, tri takime i kemi pasur dhe herën e fundit më kanë ftuar në një takim, ku ishte një këshill profesional i tyre. Unë kam shkuar me vizionin tim, me plan-programin tim, se si mund të jetë Liria e suksesshme. E kam shpalosur filozofinë time, ju kam thënë qe ky është plan-program. Ju thash që çdo xhiro që përfundon, të hënën ose të martën keni të drejt ta kërkoni plan-programin tim se çka është punuar për të arritur Liria”, deklaroi fillimisht Duraku në “Favorit”.
“Jam i zhgënjyer (me drejtuesit e Lirisë) pasi nuk ma dhanë kurrfarë përgjigje. Kur i pash ata njerëz se kush janë, pa bagazh të futbollit, nuk ma kthyen përgjigjen, as po e as jo. Për atë arsye është Liria në këtë situatë. Pa marrë parasysh se a është Skënderi a Fahredini, por të kërkojë përgjegjësi për rezultatet. Shikojeni situatën e trajnerëve, asnjë trajner nuk është nga Kosova. Kush po vendos për ata trajnerë”, vazhdoi ish-trajneri i Trepçës ‘89.
“Unë jam i zhgënjyer jo vetëm me Lirinë, por kam pasur bisedime edhe me disa klube të tjera. Po më thonë Fahredin: shko me duar në xhepa, kalon më mirë. Ne nuk jemi edukuar kështu, ne po shkojmë me vizion, me filozofi të punës, me plan-program, por ata që i kemi përballë neve nuk janë të atij niveli, janë të një profesioni tjetër, arkitekt apo ku ta di unë, dhe nuk po mund të merremi vesh kurrqysh. Jam i zhgënjyer me situatën në futbollin kosovar, dhe deshëm apo s’deshëm, duhet të largohem nga futbolli kosovar”, përfundoi Duraku. /Gazeta Express/