Edhe pse asnjë zyrtarisht i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Erion Kajtazit, shtëpia e futbollit e konsideroi këtë shtatore si simbol të Mitrovicës.
FFK për të ndjerin shkroi: “Erion Kajtazi ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili la pas një trashëgimi të pashlyeshme në zemrat e familjarëve, bashkëlojtarëve, miqëve dhe tifozëve të futbollit. Shtatorja e Erionit tashmë do t’ia shtojë hijeshin qytetit dhe do të jetë një simbol ku brezat e rinj do të frymëzohen për lojën e futbollit. Stadiumi, që tani mban emrin e tij me krenari, do të bëhet një shenjë e pavdekshme e talentit dhe dedikimit të një futbollisti që u nda shumë herët nga jeta. Kjo shtatore është jo vetëm shenjë nderimi e respekti për një lojtar i cili ndërroi jetë në fushën e pasionit të tij, por edhe një shprehje e dashurisë për futbollin si sporti më i popullarizuar në vendin tonë, si dhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme të futbollistëve. Erion Kajtazi do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë dhe shtatorja e tij prej bronzi do të jetë një ndriçim i përjetshëm i futbollit kosovar”, përcjell Gazeta Express.
FFK gjithashtu bëri të ditur se presidenti Agim Ademi nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të vizitës në UEFA. Gjithsesi, nuk ka sqarim pse nuk ishte dikush tjetër prezent nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
Për këtë foli sot për “Express” kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, i cili tha: “Ju kemi bërë ftesë zyrtare qysh para një jave. Kryetari Agim Ademi na ka njoftuar që nuk mund të marrë pjesë në ceremoni për shkak të udhëtimeve të tij jashtë shtetit. Ne kemi kërkuar që të marrë pjesë ndonjë anëtar, sekretari, nënkryetarët apo dikush sepse kemi planifikuar që të mbajnë një fjalim edhe federata, pasi Erioni ka qenë edhe pjesë e kombëtares. Kemi qenë të zhgënjyer. Them të drejtën ka qenë një masë bukur e madhe. Kanë qenë ministrat, kanë qenë deputetë, kryetarët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, drejtorët e shkollës, drejtorët e Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Kanë qenë shumë fytyra publike. Por ne që mirremi me sportin, ne duhet t’i japim vëmendje pak më shumë, që rinisë t’i japim një shembull. Kam qenë i befasuar për vete. Jo vetëm unë, por kanë qenë të befasuar edhe ministrat, kryetarët. U shtrua pyetja s’sishte askush? Kemi kërkuar dikush nga Federata, me pru një buqetë me lule, me mbajt një fjalim, dy-tri fjali t’i thotë për shkak të qyetit, familjes së tij, të ndjerit që ka kontribuar për sportin. Ndoshta ka qenë ditë vikendi, ia kanë kushtuar familjes. Arsyen nuk e di. Kjo u diskutua menjëherë pas ceremonisë. Disa mendojnë për inati. Unë nuk kam inati me federatën. Ne i kemi ftuar zyrtarisht. Arsyen pse nuk kanë ardhur duhet ta japin ata”. /Gazeta Express/