Futbolli kosovar e pësoi një tjetër goditje të rëndë sot.
Fenomeni i largimit të donatorëve kryesorë të futbollit të këtushëm po vazhdon.
Vetëm brenda një viti e gjysmë janë larguar tre biznesmenë që kanë investuar miliona euro për klubet e tyre.
Naser Ramaj e kishte marrë në dorë Feronikelin me plot ambicie, shkruan “Gazeta Express”.
Por, pas shpenzimeve enorme në futbollin kosovar, respektivisht në klubin nga Drenasi, biznesmeni kosovar ishte larguar nga “Rexhep Rexhepi” në janar të vitit 2022.
Me miliona euro të shpenzuara, Ramaj u dorëzua dhe i tha lamtumirë futbollit kosovar.
Nga ajo kohë, Feronikeli nuk kishte parë më dritë me sy.
Ndërkohë, Gjilani kishte rënë në duar të sigurta pasi atë e kishte marrë në dorë biznesmeni Florim Zuka.
Por, edhe ky, pasi shpenzoi miliona euro, u largua pak muaj më parë duke i lënë gjilanasit në pozitë të palakmueshme për t’u zhytur më pas klubi në krizë të thellë financiare.
E pas Zukës, ishte radha e Remzi Ejupit.
Biznesmeni kosovar njoftoi sot për largimin nga FC Prishtina pas plot 20 vjetësh.
I dëshpëruar me gjendjen aktuale të futbollit kosovar, Ejupi i shiti krejt aksionet që i kishte në klub.
Me këtë rast, u largua një tjetër kontribuues i madh i futbollit kosovar, i cili po ashtu i shpenzoi miliona euro për FC Prishtinën.
Në të njëjtën periudhë, nga futbolli kosovar u larguan edhe disa donatorë të tjerë si Nexhat Dumnica nga Llapi dhe Ahmet Kurtolli dhe Afrim Muçiqi nga FC Prishtina.
Largimi i tre donatorëve të mëdhenj, Ramaj, Zuka e Ejupi është një tronditje për futbollin e Kosovës, i cili edhe ashtu gjendet në krizë të thellë financiare, shkruan “Gazeta Express”.
Një pjesë e klubeve elitare nuk kanë as fusha për zhvillimin e ndeshjeve kampionale, e të tjera iu kanë mbetur borxh disa muaj lojtarëve të tyre.
E mos të flasim për rangjet më të ulëta të futbollit kosovar.
Largimet e donatorëve të dëshpëruar me gjendjen e futbollit në vend kishin ndodhur edhe në të kaluarën dhe ky trend vazhdon të jetë prezent dhe evident.
Për momentin kanë mbetur pak biznesmenë të kyçur në futbollin e Kosovës… /Gazeta Express/