Halil Matoshi (1961) është poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare.
Ka diplomu në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Ka një master në gazetari.
Ka punuar gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i revistave dhe gazetave “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”, “Syri i tretë”, “Republika”, “Sheshi”, “Lajm”, “Gazeta Express”, “Focus”, “Koha Ditore”. Âsht në një mënyrë gazetbâmës.
Tre herë i shpallur gazetari më i mirë në Kosovë, 1988, 2000 dhe 2004;
Katër herë i arrestuar nga regjimi serbian, gjatë Lëvizjes antifashiste (1990-1999);
Matoshi ishte i marrë peng gjatë luftës për Kosovën (1999) dhe është mbajtur për një vit në kampet serbe të përqendrimit në Lipjan (Kosovë) dhe Požarevac (Serbi).
Është autor i librave: “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), “Lajmësi memec” (1996), “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021); Poezi të tij janë përkthye në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht.
DUKE TYMOSUR NË LIRI
– Cento-
Nga Halil Matoshi
Masi u bâ ekshumimi
nga ekipe të mjekësisë ligjore
u zhvarros nga gropa gëlqerore
i zhdukuni i luftës
I-liri u identifiku nga patologu
Arsim Gërxhaliu
Ai u çue nga gropa
dhe masi hoqi lloq e gjak nga sytë futi dorën në
xhepin e këmishës së kaltër nga ato uniformat
e punëtorëve në ndërtime
gjeti paqetën e cigareve Partner
U avit Ballsor Hoxha
dhe ia dhezi cigarën
si duhanxhi pasionant
poeti s’ka pse me shkru
nëse nuk âsht i kudondodhun
nëse nuk ia bân t’munduemit
naj hajr si përshembull
me i dhânë shkrepsën
Për liri duhet nji anmik i gjithkohshëm
I-lirË që nga parahistoria
mbetët i tillë i lirë
Për faktin se ekziston po aq antik nji anmik
Haki Misini ose akëcili nga 1600
t’zhdukunit e luftës së Kosovës
ngrehi nja dy tima dhe u shtri
në pafundësinë e lirisë
Qjella u mbush rè
Ballsor Hoxha vazhdon pasionin
me ndërtu pamje si kjo
Pikat e shiut po bijnë
brenda syve të njeriut t’zhdukun
gurrë ku pimë na të lirët
***
Të zhdukurit kthehen të tymosin
Poezia e Matoshit, Duke tymosur në liri, merr shtysë nga një intervistë e prozatorit dhe poetit Ballsor Hoxha për gazetën Express, në të cilën flet rreth ciklit të tij poetik me të njëjtin titull, përkatësisht poezisë së tij Të zhvarrosësh lirinë (‘Këndej dhe andej barrës së lirisë’, botoi Olymp, 2023). Le të themi më mirë se merr shtysë pikërisht nga kjo poezi.
Si edhe te Hoxha, edhe te Matoshi kemi në strofën e parë shpalosjen e argumentit: zhvarrosjen. Si e tillë, do të ishte një topos i rëndomtë; i rëndomtë në tragjiken e tij. Çka e bën më poetike, nëse na lejohet kjo, është një gjetje në dukje bizare (mbase Shllaku do të këmbëngulte të thoshim: e përsertë), e pazakontë: pakoja e cigareve në xhepin e këmishës (‘së mbijetuar’) së viktimës.
Megjithatë, te Matoshi do të vijë vetë frymëzuesi, poeti Hoxha, të bëhet bashkudhëtarë fantastik i të zhvarrosurit, për t‘ia ndezur cigaren (për më tepër, meqë poeti është ‘i kudondodhun’ dhe qenie e ‘hajrit’, si në këtë rast, pikërisht për t’ia dhënë shkrepësen nevojtarit, të zhvarrosurit; që, në bindjen dhe besimin tonë, mund të jetë një gjest krejt i rëndomtë, por prapë është i mbinatyrshëm).
Ndërkohë, Matoshi pajis poezinë edhe me faktet anësore, ndoshta më të rëndomta te proza, duke i dhënë lexuesit mundësinë më të lehtë të interpretimit. Së pari është prania e patologut të njohur kosovar, fytyrën e të cilit e kanë zënë të gjitha kamerat televizive dhe aparatet fotografike, zërin e të cilit e kanë regjistruar të gjitha mjetet e komunikimit medial, sa herë që është bërë, a është folur për, një zhvarrosje, në Kosovë a në Serbi, ku në të vërtetë gjenden shumica e varrezave masive me trupat e viktimave shqiptare të bartura andej me kamion-frigoriferë nga forcat serbe në mbarim të luftës. Dhe ja ku vijmë edhe te viktima-emri-personazhi i radhës i tragjedisë: Haki Misini (një prej ikonave të muzikës kosovare rock), simbol i zgjedhur nga poeti i të të gjithë të zhdukurve të luftës. Nuk është se të tjerët nuk njihen me emër e mbiemër; njihen të gjithë, nga më i riu deri te gjyshi im që është në mesin e më të moshuarve. Dhe numri (i tanishëm): 1600. Do të jetë Haki Misini, ai që në poezinë e Matoshit do t’i ngreh nja dy tima dhe do të shtrihet në pafundësinë e lirisë. Trupi i Misinit është gjetur dhe në një varrezë masive, më 2005, në një fshat të Mitrovicës. Nga kujtimet e të afërmeve të Misinit, gjëja e mbrame që kujtojnë në momentin e arrestimit është pakoja e cigareve që kishte kërkuar t’i lejohej ta merrte me vete, si gjënë e vetme. Kjo është vjegëza tek e cila është kapur poeti për ta krijuar këtë imazh, në mbështetje referenciale të atij të Hoxhës.
/Gazeta Express