Banorët e kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit janë konfliktuar me forcat e policisë për shkak të kontrolleve që u kryen me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndonëse kontrolli ishte i ligjshëm, iranianët bënë rezistencë. Madje avokati i muxhahedinëve, Genc Gjokutaj pretendon se policia ka përdorur dhunë.
“Kur kanë ardhur këtu, policia ka përdorur dhunë, siç konfirmojnë drejtuesit e MEK, janë thyer dyer, është përdorur gaz lotsjellës. Si pasojë e kësaj, ka edhe 1 të vdekur dhe disa të plagosur. Ka edhe dëmtime në ballë. Është goditur me sende të forta, me grushta dhe me shkelma dhe ai ka vdekur. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore. Ka një pretendim të policisë që nuk është ushtruar dhunë. Thuhet që policia ka vepruar në mënyrë të dhunshme. Jemi në pritje të mjekësisë, e cila do të jepë fjalën e fundit mbi shkakun e vdekjes. Duhet të jenë diku tek 45-50 persona të plagosur. Personi i vdekur është këtu në ambulancë“, tha ai.
/Gazeta Express