Erotimatologio / Ardian Haxhaj - Gazeta Express
string(28) "erotimatologio-ardian-haxhaj"

Erotimatologio / Ardian Haxhaj

Arte

Gazeta Express

26/05/2023 16:30

Ardian Haxhaj u lind më 29.11.1976 në Gllarevë të Klinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Studimet diplomike dhe postdiplomike i kreu në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Librat e botuar:

Lexo Edhe:

  1. Vdekja ulërin në sytë e mi, poezi, botoi KL “Vorea Ujko”, Prishtinë, 1994;
  2. Fundi i një misioni, roman, botoi “Buzuku”, Prishtinë 2006, që në konkursin kombëtar të SHB “Buzuku” e mori çmimin e dytë për “Romanin më të Mirë të Vitit” në vitin 2006;
  3. Kryekronika e Fushës së Kosovës, roman, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2008;
  4. Kujtimet e një çifuti, roman, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2010, që në konkursin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës e ka fituar çmimin për “Veprën më të mirë letrare në prozë të botuar brenda vitit 2010”.
  5. Dështimi i Madh, roman, botoi “Multimedia”, Prishtinë, 2013.
  6. Vegim, roman, botoi “Koha”, Prishtinë, 2018.
  7. Mirë se vini zoti ambasador”, botoi “Jakup Ceraja”, Prishtinë, 2020.

Libri i parë:

Bëhet fjalë për moshën e fëmijës që dalëngadalë i zbulohet bota para syve me rekuizitat që i gjen përreth. Pa dyshim se, shikuar dhe kuptuar me sytë dhe vëmendjen e një fëmije të zakonshëm, disa kërkime për gjetjen e lojërave dhe kurioziteteve kanë qenë në bibliotekën e babës, në shfletimin (e nganjëherë edhe shkarravitjen) e librave të ndryshëm, që më vonë e kam kuptuar se janë kryesisht libra të fushës së historisë dhe të gjeografisë, lëndë të cilat baba i ka studiuar dhe i ka shpjeguar si arsimtar. E kujtoj se, atëbotë, më bënin përshtypje sidomos fletët me fotografi e ilustrime: shihja njerëz me uniforma, qytetet të shkatërruara, qytete me drita, harta e harta… edhe dy globe shkollore, një i madh e një i vogël, të cilët i rrotulloja e rrotulloja… Shumë e shumë revista të kohës, kryesisht me karakter historik, disa edhe në gjuhën serbe… Për çudi edhe pak vite më vonë, gjatë shkollës fillore nuk më kanë bërë përshtypje aq shumë lekturat shkollore obliguese për lexim, më shumë sesa kënaqësia e shfletimit dhe shkarravitjes së librave të bibliotekës së babës.

Nuk është e sinqertë të them se cili ka qenë libri i parë i lexuar nga unë me vetëdijen e një lexuesi të mirëfilltë, pasi që nuk mund ta kujtoj. Nisja e leximit është sikur ecja e fëmijës zhargas, që nuk mbahet mend secili detaj. Si gjenerata e parë e kohës së aparteidit, kur gjimnazet dhe krejt shkollat na i mbylli pushtuesi dhe, këtë e kujtoj kthjellët, është koha kur më kaploi etja për të lexuar libra historie. Aty ndodhi transformimi, një përmbysje e ëndrrave të fëmijërisë me moshën dhe kohën që po e ndjeja nën lëkurë.

Libri që do të doje ta kishe shkruar:

Si gjithçka që është në lëvizje dhe ndryshim, njëjtë ndodh edhe me preokupimet, dëshirat, ëndrrat, synimet dhe përpjekjet e njeriut. Unë nuk jam si dje, as sot si nesër, e mos të flasim për vitet e dekadat që kanë kaluar e do të kalojnë. Letërsia ka forma të ndryshme shprehëse. E si studiues i letërsisë natyrisht se i njoh rrymat e përgjithshme letrare. Por kur është fjala në prozë, një preokupim imi kryesor, si dje, si sot më kanë bërë përshtypje romanet që kanë ngërthyer në vete kohëra dhe personazhe të shumta. Edhe pse rrëfimi zbërthen mikrosekuenca shpirtërore, romanet saga me personazhe e ndërveprime të shumta më bëjnë t’ia shtroj pyetjen vetes se a kam kaçik të shkruaj edhe unë një “Luftë dhe paqe”, apo “Njëqind vjet vetmi”.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri:

Raporti me leximin dhe diturinë ka qenë dhe është shumë kompleks për qenien njerëzore. Sikur shoqëritë e kaluara ta mirëkuptonin me kohë Sokratin, Aristotelin, Gjordano Brunon, John Locke-un, Çarls Darvinin… njerëzimi sot do të ishte në një stad zhvillimi dhe përparimi të pa imagjinuar. Por, fatkeqësia dhe tragjedia e gjithë kësaj është se njerëzimit ka jetuar dhe po jeton në hegjemoninë e shumicës, hegjemoninë e numrave asimetrikë, ku zërat e mendjendriturve vështirë depërtojnë përmbi llumin e hegjemonisë së shumicës. Sikur të kisha pasur mundësi t’i bëja për ta lexuar dhe kuptuar do t’ju thosha të gjithëve ta lexojnë… hajde për shembull… librin: “Pse dështojnë kombet” të bashkautorëve Daron Acemoglu dhe James A. Robinson. Natyrisht se lista e librave që do të duhej t’i lexonin dhe kuptonin hegjemonia sociale e shumicës janë me mijëra e mijëra.

Libri që jua ka ndryshuar jetën:

Sikur bleta që endet nëpër nektarin e shumë e shumë luleve, ashtu edhe unë kam shëtitur nëpër domethëniet e librave nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato letrare e deri te librat me përmbajtje antropologjike. Nga literatura shqipe më kanë bërë të mendoj se sikur t’i kisha lexuar dhe kuptuar në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare librat: “Re dhe gurë – Intervistë me vetveten” të Petro Markos, “Kujtime – 1885-1925” të Eqrem Bej Vlorës dhe librin “Esat Pashë Toptani” të Ilir Ikonomit, me siguri se shumë ide dhe ideale që më janë sendërtuar nga adoleshenca e leximit dhe vrazhdësia e mbijetesës do t’i kisha artikuluar më kohë më ndryshe… më racionalisht.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar:

E kam një shprehi, ndoshta është edhe paragjykim, fatkeqësisht, që librat që përfolën shumë i le për lexim për një kohë të mëvonshme.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer:

Tashmë jam racional në pritshmëri dhe mundohem ta largoj ndjenjën e zhgënjimit nga leximi i ndonjë libri që përfolët shumë. Egërsia e marketingut në tregun e lirë ka bërë që shumë e shumë autorë e libra të gjuhen qëllimshëm në zjarrin e përflitjeve me çdo kusht. Mendoj se arti dallon nga reklamimi i produkteve të tjera, për shembull, sheqerit. Më herët ka shumë libra që më kanë zhgënjyer, ndërkohë që kanë qenë në kulmin e meritokracisë së dhënë nga kritika, për shembull romanet e Fatmir Gjatës…

Libri që ju ka befasuar:

Libri që ma ka hapur botën e fantazisë me madhështinë e historisë, me poezinë e gjuhën është “Iliada” e Homerit që kujtoj se e kam lexuar në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Fill pas “Iliadës” e “Odisesë” kam hyrë në botën e “Komedisë Hyjnore” të Dantes për të vazhduar e vazhduar…

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë:

Natyrisht se për qëllime studimore dhe kërshëri krijuese i jam kthyer leximit të shumë e shumë librave. Nganjëherë u jam kthyer librave të cilët i kam lexuar para më shumë se dy dekadave, për ta kuptuar si ka menduar e përjetuar Ardiani njëzetvjeçar e Ardiani dyzetvjeçar, si për shembull romanet e Markezit, Dostojevskit apo Kamysë.

Libri i fundit:

Ndoshta është çështje e perceptimit psikologjik shprehia për të lexuar libra të fushave të ndryshme në të njëjtën kohë. Kështu, librat që jam duke i lexuar deri kah përfundimi janë: romani i Mesha Selimoviqit “Dervishi dhe vdekja”, librin historik të autorit Eugene Rogan “The Fall of the Ottomans – The Great War in the Middle East” dhe “The Serbs : History, Myth, and the Destruction of Yugoslavia” të autorit Tim Judah.

/Gazeta Express