Ish-ushtari i UÇK-së, Bedri Kukalaj, i mbijetuar i masakrës në burgun e Dubravës 24 vjet më parë, ka rrëfyer torturat e përjetuara përditë gjatë asaj kohe.
Ai tha në Frontal në T7 se kanë përjetuar “çdo lloj rrahjeje”.
“Në Dubravë ka qenë tmerr. Ushqimin e kishim një herë në ditë. Sa bëheshim gati me ngrënë, dikush i mëshonte tavolinës se përfundoi”, tha Kukalaj.
Ai tha se kanë përjetuar rrahje “me çdo lloj shufre”.
“Pas 1 ore, dy ore kur t’u kthejke vetëdija, s’e dishe kah je. Unë isha i plagosur”, tha Kukalaj.
Përpara se të transferoheshin në burgun e Dubravës, Kukalaj tha se i kishin thënë njëri-tjetrit se “së paku do të vdesim në Kosovë”.
24 vjet më parë, ishin vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe ishin plagosur mbi 300 të tjerë. Masakra në burgun e Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.