“Poezia është gjaku i rebelimit, revolucionit dhe ngritjes së vetëdijes”, Alice Walker
“Poezia vjen nga lumturia më e lartë ose pikëllimi më i thellë”, APJ Abdul Kalam
Mbi e për poezinë është thënë shumë herë e shumëçka. Me te drejtë llogaritet si zhanri më emocional i letërsisë ani pse letërsia në përgjithësi përçon një ndjenjë më të veçantë. Vargjet e gërshetuara për të ndërtuar strofa në poezi kanë një tendencë për të shpalosur pak më shumë së sa që ndjejmë zakonisht kur lexojmë tregim, novelë çfarëdo qoftë tjetër. Poezia e përçon të vërtetën tërthorazi si të bukur, rruga e komunikimit të poezisë deri tek lexuesi merr formë nga e rëndomta deri tek e madhërishmja, për t’u bërë idilike.
Historik i shkurtër për ditën botërore të poezisë
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) e themeloi këtë ditë në vitin 1999. Poezia përdor ritme dhe imazhe për të nxjerrë emocione dhe imagjinatë të lexuesit. Poezia mund të rimojë, duke përdorur ato që quhen metra të rrokjeve të gjata dhe të shkurtra. Disa poezi, të shkruara në atë që quhet ‘varg i lirë’, nuk përdor rimë ose metra. Poezitë ndahen në strofa, të cilat janë si paragrafë dhe mund të jenë deri në 12 rreshta. Ne besojmë se poema e parë e njohur u shfaq 4000 vjet më parë në Babiloni.
Dita u propozua dhe u miratua nga UNESCO në 1999, me rastin e Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të të mbajtur në Paris për t’i “dhënë njohje dhe shtysë të re lëvizjeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare të poezisë”. Organizata shpresonte të frymëzonte kremtimin e poezisë në të gjithë botën, të ruante gjuhët e rrezikuara dhe të stimulonte shprehjen poetike gjatë kësaj dite. Poetët, të kaluar dhe të sotëm, nderohen dhe traditat gojore të recitimit të poezisë ringjallen. Leximi, shkrimi dhe mësimi i poezisë inkurajohen dhe bashkohen me mjete të tjera të shprehjes si muzika, vallëzimi, piktura dhe më shumë.
Poetet më të njohur të të gjitha kohërave
Disa kërkime nga ‘Poetry Soup’ dhe ‘Ranker’ kanë renditur gjithsej 34 poetë si ndër më të mirët e të gjitha kohërave, në mesin e tyre janë:
Edgar Allen Poe, poema më e famshme “Korbi”, thënia më e famshme “Unë kam besim të madh te budallenjtë – vetëbesim e quajnë miqtë e mi.”
William Shakespeare, poema e famshme “Soneti XVIII”, citati i famshëm: “E gjithë bota është një skenë, dhe të gjithë burrat dhe gratë janë thjesht lojtarë: ata kanë daljet dhe hyrjet e tyre; dhe një njeri në kohën e tij luan shumë pjesë. Veprat e tij janë shtatë mosha.”
Maya Angelou, poema e famshme “Në pulsin e mëngjesit”, thënia e famshme: “Kam mësuar se njerëzit do të harrojnë atë që keni thënë, njerëzit do të harrojnë atë që keni bërë, por njerëzit nuk do të harrojnë kurrë se si i keni bërë të ndihen.”
Emily Dickinson, poema e fmashme “Shpresa është gjëja me pendë”, thënia e famshme: “Shpresa është gjëja me pendë që ngrihet në shpirt – dhe këndon meloditë pa fjalë – dhe nuk ndalet fare.”
Pablo Neruda, poema e famshme “Nuk të dua veç se të dua”, thënia e famshme: “Të ndjesh dashurinë e njerëzve që duam është një zjarr që ushqen jetën tonë.”
Të tjerët: EE Cummings, Langston Hughes, Walt Whitman, Thomas Hardy, Rudyard Kipling, Oscar Wilde, John Keats, Elizabeth Barrett Browning, William Blake, Sylvia Plath, Henry Wadsworth Longfellow etj.
Poezia bashkëkohore shqipe
Poezitë e Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Ismail Kadares, Martin Camajt dhe shumë poetëve të tjerë i sollën letërsisë shqipe një frymë unike që vihet re në temat e trajtuara dhe përdorimin e figurave stilistike.
Poezitë e secilit prej tyre janë të qarta, me një fjalor të pasur poetik dhe me identitet poetik.
Dritëro Agolli
Duke e ndjekur poezinë e Agollit nëpër kohë, shpesh ndodh që të hasim në një poet të trishtuar, të vetmuar, ndonjëherë të lodhur, por asnjëherë të mposhtur, sepse në të gjitha rastet ai kërkon një dalje drejt një shtegu nëpërmjet të cilit kërkon të vendosë një balancë midis shpirtit poetik dhe shpirtit njerëzor në përgjithësi.
Si poezi përfaqësuese të tij, mund të veçojmë “Pelegrini i Vonuar”, “Enigma e Maleve”, “Kishat e shembura”, “Mos ma kujto” e të tjera.
Ismail Kadare
Pothuajse në të gjitha poezitë e Kadaresë ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me ato tradicionale në mënyrën sesi e shikon jetën dhe historinë.
Ndryshe nga proza, poezia e Kadaresë është më e qartë dhe më optimiste.
Disa nga poezitë e tij përfaqësuese janë “Krishtlindje në New York”, “Mall”, “Motive me diell”, “Ëndërrimet”, “Shekulli im”, e të tjera.
Martin Camaj
Poezitë e Camajt ngërthejnë në vete ambiguitetin, kontrastin e enigmën.
Individualiteti i tij poetik ka lënë gjurmë në poezinë shqipe, duke sjellë te lexuesi një lloj poezie tjetër nga bashkëkohësit e tij, me tipare të theksuara moderne, poezi për mallin që ndien ndaj vendlindjes por që nuk mallëngjehet.
“Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”, janë përmbledhjet e para me të cilat Camaj e nisi veprimtarinë e tij poetike.
Megjithatë, që nga lashtësia, poezia është emëruar si një prodhim i shpirtit të njeriut që vjen si zë nga brendësia e tij dhe një krijim mendor që për substancë të vet të materializmit e ka fjalën e zgjedhur me peshë artistike.
Sot poezia në Kosovë e Shqipëri ngërthen në vete një numër të madh autoresh që i qëndrojnë besnik këtij zhanri të veçantë të letërsisë.
Më poshtë janë qëndrimet e disa prej poeteve tanë lidhur me poezinë dhe organizimet në Ditën Botërore të Poezisë.
Në pyetjet nëse i kushtohet rëndësi Ditës Botërore të Poezisë në Kosovës e Shqipëri, a fuqizojnë organizimet e mbrëmjeve poetike poezinë tek ne ose nëse duhet me shumë mbështetje në këtë drejtim, Rita Filipi, Liridon Mulaj dhe Ilire Zajmi mendojnë kështu:
Rita Petro
Mendoj se në Kosovë ka lëvizje mjaft pozitive në drejtim të festimeve për Ditën e Poezisë, por edhe më tej. Sigurisht rol më të madh luajnë komunitetet e ndryshme letrare, portalet kushtuar letërsisë, individë të caktuar në raport me mbështetjen nga buxheti i shtetit që duhet të marrin poetët dhe poezia në kohën e sotme. Poezia përballet me dy sfida të forta. Jo vetëm te ne por edhe në botë, botimi i librave me poezi sa vjen dhe bëhet edhe më i vështirë. Nuk flas këtu për poetë të rinj apo të njohur, shqiptarë apo botërorë. E përgjithshmja është se botuesit stepen kur bëhet fjalë për botimet në vargje. Lexuesi është shumë më i prirur nga rrëfimi, romani dhe tregimi, se sa nga poezia.
Nga ana tjetër, do të thosha se pavarësisht kësaj qasjeje, poezia po njeh si asnjëherë një lloj lulëzimi falë rrjeteve sociale dhe portaleve të ndryshme kulturore. Mendoj se asnjëherë nuk është lexuar kaq shumë poezi shqipe, por edhe e përkthyer. Poezia ka privilegjin në raport me prozën se lexohet menjëherë, nuk të harxhon kohë, me një fjalë fotografohet në trurin tonë shumë shpejt dhe vargje të caktuara mbahen mend. Por jo çdo gjë që shkruhet në vargje është poezi.
Sot është shtuar shumë numri i atyre që vargëzojnë dhe botimi i këtyre veprave krijon një kakofoni te lexuesi. Poeteshat dhe poetët e mirë jo se nuk dallohen në rrethet letrare dhe te lexuesi i kualifikuar, por lexuesi i zakonshëm nuk e ka kollaj vetë të orientohet pa një drejtim kritike. Aq më keq bëhet situata kur sponsorizohen zyrtarisht libra shumë të dobët me poezi. Prandaj duhet një seleksionim sa më serioz dhe me përgjegjësi shumë të madhe të atyre që miratojnë librat e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që japin çmime apo nga botuesit që vendosin vulën e miratimit të një vepre.
Poezia e vërtetë ndikon shumë në shpirtrat dhe mendjet e njerëzve. Ndaj sot në botë organizohen shumë festival poezie, recitime në vende të veçanta me trashëgimi kulturore dhe natyrore.
Kam qenë në disa festivale poetike jashtë dhe më ka mahnitur se me çfarë qetësie dhe vëmendje dëgjojnë njerëzit, gjë që ende te ne nuk ndodh. Duhet shumë punë për t’i edukuar veçanërisht të rinjtë me edukatën e dëgjimit dhe të meditimit ndaj poezisë, për vetë funksionin e saj të katarsisit që kryen në shpirtrat njerëzorë. Ndaj ngjarje të tilla nuk duhen bërë asnjëherë për të kaluar radhën apo thjesht për të fituar ca para një grusht njerëzish. Por me përgjegjësi e përkushtim të lartë.
Liridon Mulaj
Aq sa i kushtohet çdo dite tjetër poezisë. Organizime periferike, sporadike , kryesisht nga nisma individuale të dashamirësve të poezisë dhe atyre që e duan dhe e kultivojnë. Gjithsesi mendoj se edhe kjo lloj vëmendje sado e vogël i bën mirë poezisë por më mirë i bën shoqërisë nëse lexon paksa më shumë poezi të mirë.
Poezia mbetet art elitar që përfaqëson shijet estetike të një numri të caktuar individësh. Nëse masivizohet si art atëherë besoj e humbet qëllimin e saj. Mbrëmjet poetike janë organizime të mira përderisa bëjnë bashkë njerëzit që e duan të bukurën , shpirtëroren.
Kremtimi i ditës së poezisë për mua nuk e ka këtë kuptim solemn. Unë lexoj poezi çdo ditë të vitit e gjithashtu e shkruaj. Marr pjesë në aktivitete poetike dhe po ashtu i organizoj vetë. Thellë brenda meje besoj se poezia s’ka dhe aq nevojë për kremtime të tilla thuajse banale në koncept.
Shqipëria ka mangësi të mëdha në organizimet e festivaleve poetike. Kur them festival poetik nuk nënkuptoj organizimet groteske ku poezia “sublimohet” në mejhane mishi e birre, organizime të cilat për hir të së vërtetës në Kosovë i ke rëndom. E kam fjalën për festivale të mirëfillta poetike , ku sinoret e përfaqësimit nisin dhe mbarojnë tek poezia e mirë. Ka disa të tillë, por sërish mbeten të paktë.
Ilire Zajmi
Si gjithçka tjetër, edhe shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Poezisë në Kosovë, është e rastit, sipërfaqësore dhe sa për sy e faqe. Me ndonjë aktivitet tek-tuk, thjesht sa për t’a shënuar . Do të më pëlqente që kjo ditë, të shënohej si datë tradicionale në orët e gjuhës e letërsisë në shkolla, apo edhe në biblioteka e librari ku do të flitej për rëndësinë e gjuhës dhe kreativitetit të shprehur përmes vargjeve. Pse jo edhe në ndonjë formë tjetër kreative, qoftë përmes organizimit të debateve mbi rëndësinë e poezisë dhe shkrimit, si dhe gjetjen e mënyrave të tjera për të joshur lexuesit për poezinë, por gjithmonë duke ju ikur klisheve.
“Mbrëmjet poetike” janë një mundësi e shkëlqyer për të fuqizuar poezinë. Ato shërbejnë për të vendosur ura kontakti mes poetëve e lexuesve. Për të transmetuar fjalën e bukur te ata që e pëlqejnë këtë mbretëreshë të letërsisë, por njëkohësisht për të nxitur krijuesit e rinj të shkruajnë duke ua bërë me dije se poezia është e fuqishme dhe ia vlen të shkruhet, edhe në kohërat moderne si kjo e jona.
Kam qenë e ftuar në shumë manifestime të shumta përgjatë viteve për të kremtuar festën e poezisë. Qoftë me lexime, apo përmes promovimit të librave poetik. Poezia është vetë mrekulli, e kur e ndanë me lexuesit në një ditë të veçantë ajo merr kuptim. Por, jo gjithmonë poeti zgjedh këtë formë të kremtes poetike. Mund të festohet kjo ditë edhe përmes publikimit të një poezie në rrjetet sociale.
Jo vetëm në rastet e ditëve të shënuara si kjo, letërsia dhe poetët përherë kanë nevojë për përkrahje e organizime të veçanta. Bëj thirrje për më shumë mbështetje për përkthimin e poezisë shqipe në botë. Ka shumë nevojë të angazhohemi në këtë fushë, jo si individë siç kemi vepruar e veprojmë në vazhdimësi, por si institucione të një shteti të ri që ka interes të investojë në diplomaci kulturore. Mbështetje të festivaleve e organizimeve me karakter ndërkombëtar që do të afirmonin poetët tanë dhe krijimin e përvojave të shkëmbimeve kulturore me vende të tjera.
/Gazeta Express