Vuçiq tregon versionin e tij për diskutimin me Kurtin rreth Asociacionit - Gazeta Express
string(72) "vuciq-tregon-versionin-e-tij-per-diskutimin-me-kurtin-rreth-asociacionit"

Lajme

Gazeta Express

19/03/2023 13:10

Vuçiq tregon versionin e tij për diskutimin me Kurtin rreth Asociacionit

Lajme

Gazeta Express

19/03/2023 13:10

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është kthyer nga Ohri dhe ka mbajtur një konferencë për media në Brograd sot për të treguar se nuk ka nënshkruar asgjë dhe se si nuk do ta zbatojë marrëveshjen të cilën Bashkimi Europian e shpalli të arritur.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Vuçiq tregoi versionin e tij nga diskutimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti lidhur me këtë çështje, përcjell Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Z. Kurti përmendi planin e Ahtisaarit. Serbia nuk e ka miratuar atë plan dhe nuk është pjesë e procesit të dialogut. Kurti prezantoi tri shtyllat e tij për Asociacionin, të cilat nuk u pranuan”, tha Vuçiq, duke shtuar se për Asociacionin ka dokumente të nënshkruara nga vitet e kaluara.

Sipas tij, shtyllat e Kurtit ishin që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, t’i përmbahet ‘garancisë’ së Federica Mogherinit për ish-kryeministrin Isa Musafa se s’do të ketë kompetenca ekzekutive, dhe zotimeve të diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Ai tha se Serbia ka nevojë për “Asociacionin kudo ku jetojnë serbët, por më tepër në jug sesa në veri”.

Për këtë çështje, ai tha se pret telashe, raporton Danas.

“Ajo që thuhet saktësisht (në aneks) është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi të kënaqur me atë që është arritur në dialog. Nëse nuk përmbushet, na takon neve të marrim vendime se çfarë do të përmbushim”, tha Vuçiq, duke shtuar se pret që të fillojë procesi i formimit të Asocacionit dhe se çështja është se sa do të zgjasë.

Por pas kësaj Vuçiq tha se si Serbia nuk mund t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët, duke theksuar se “ka gjëra që nuk mund t’i bëjmë dhe as që janë realiste”.

“Nuk ka ndryshuar shumë për ne, përveç se tani rruga jonë europiane do të varet nga ajo që do të bëjmë në këtë çështje, të cilën nuk besoj se do ta përfundojmë në tre apo katër vjet që jam president”, tha Vuçiq.

Ai tha se gjatë bisedimeve të djeshme teksti është ndryshuar 12 herë.