string(84) "pak-ore-pas-marreveshjes-vuciq-thote-se-ska-nenshkruar-dhe-flet-se-si-sdo-ta-zbatoje"

Lajme

Gazeta Express

19/03/2023 12:54

Pak orë pas marrëveshjes, Vuçiq thotë se s’ka nënshkruar dhe flet se si s’do ta zbatojë

Lajme

Gazeta Express

19/03/2023 12:54

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se dje nuk ka nënshkruar asgjë në Ohër sepse “Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht ligjërisht” me të cilin, sipas tij, ai mund të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare. Ai ka thënë se vija të kuqe për Serbinë janë njohja e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe se vetëm deri në ato vija të kuqe Serbia mund të punojë në zbatimin e asaj që është rënë dakord, përcjell Gazeta Express.

Sipas tij, marrëveshja e arritur “nuk është e vështirë”, pasi tha se “do të ketë gjëra shumë më të vështira për ne në të ardhmen”. Ai lexoi gjithë aneksin e zbatimit që u negociua dje.

“Nuk kam nënshkruar sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova nuk është për mua. Dhe nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”, tha Vuçiq në një konferencë për media.

Siç raporton Danas, Vuçiq tha se vijat e kuqe për Serbinë janë njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Unë them se do t’i zbatojmë shumicën e gjërave, por nuk do të zbatoj asgjë për sa i përket OKB-së, as për njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”, tha Vuçiq.

Por ai e përmendi Asociacionin si pjesë “shumë e rëndësishme” e aneksit.

Në tekstin e Aneksit të Implementimit të propozimit europian, është treguar se si do të ndëshkohet Serbia në rast se për fajin e saj do të pengohet normalizimi i raporteve me Kosovën.

Siç tregon Aneksi, Komisioni Europian në përputhje me pikën 25 të kornizës së negociatave, me iniciativën e tij apo të 1/3 të shteteve anëtare mund të propozojë të rekomandojë mos hapjen ose mbylljen e kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim e Serbisë në BE.