Botërori 2026 me 48 Kombëtare dhe me 104 ndeshje? FIFA vendos përfundimisht sot - Gazeta Express
string(78) "boterori-2026-me-48-kombetare-dhe-me-104-ndeshje-fifa-vendos-perfundimisht-sot"

Futboll

Gazeta Express

14/03/2023 13:41

Botërori 2026 me 48 Kombëtare dhe me 104 ndeshje? FIFA vendos përfundimisht sot

Futboll

Gazeta Express

14/03/2023 13:41

FIFA është e gatshme ta aprovojë rritjen e numrit të Kombëtareve pjesëmarrëse në Kupën e Botës.

“Sky News” mëson se shtëpia e futbollit botëror po planifikon ta rritë nga 32 në 48 numrin e Kombëtareve që nga Botërori 2026, që do të mbahet në Amerikën e Veriut (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë), përcjell “Gazeta Express”.

Me këtë rast, vendimi eventual mund ta rritë nga 64 në 104 numrin e ndeshjeve, ndërsa deri tash ishte planifikuar që në Kupën e ardhshme të Botës të luhen 80 ndeshje.

Në mbledhjen e këshillit drejtues të trupës qeverisëse të futbollit botëror, që po mbahet në Kigali, Rwanda, mund të vendoset për këtë ndryshim, i cili mund t’i ofrojë deri në 40 ndeshje më shumë që nga Botërori 2026.

Përpos zgjerimit të formatit, FIFA synon që me këtë rritje t’i fitojë nga 9 deri në 11 miliardë funte nga të hyrat e kësaj gare.

Me 48 Kombëtare pjesëmarrëse mund të formohen 12 grupe me nga katër ekipe.

Dy Kombëtaret e para të secilit grup dhe tetë më të mirat e vendeve të treta do të avancojnë në fazën eliminuese.

Kjo nënkupton se ekipet që do ta arrijnë finalen do të kenë nevojë t’i zhvillojnë tetë ndeshje, e jo shtatë si i zhvilluan finalistët e Katar 2022, Argjentina dhe Franca, shkruan “Gazeta Express”.

Ky zgjerim i Kupës së Botës mund t’ua rritë gjasat shumë Kombëtareve, përfshirë këtu edhe Kosovës dhe Shqipërisë, për ta realizuar ëndrrën – kualifikimin në Botëror.

Finalja e Botërorit të Amerikës së Veriut do të luhet të dielën e 16 korrikut 2026. /Gazeta Express/