Mbi romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” të autorit Ag Apolloni, botoi Bardbook, 2022
Nga Ballsor Hoxha
Sipas filozofisë kultura dhe universalja, nëse ato shihen si gjëja, sendi pra vetë shenja – universalja, dhe në anën tjetër kultura si shënjimi, kjo të sjellë para një dileme nëse me të vërtetë është e mundshme të ketë një dallim, një theksim – veçim, apo qoftë edhe themelim, jo më të sendit, gjësë, por vetë kësaj ndarjeje, e më tutje të vetë botës (përkundër Tokës – shih për këtë Jacques Derrida, Martin Heindegger).
Më tutje, ne vazhdimisht mësojmë dhe përhapim po të njëjtin – dallim – dhe – themel – të lindjes së narrativit njerëzor disi në formë të përrallës, disi si përrallë, e disi si formëzim i narrativit të njeriut përmes përrallës, mirëpo, harrojmë, “shtiremi kinse”, “bëhemi kinse”, për të shmangur dhe për të bërë të pavërejtshme vetë vdekjen (Martin Heidegger), apo shpikim Totemin dhe Tabunë tonë, (shih Sigmund Freud).
Por, autori, Ag Apolloni, në romanin e tij “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, përmbysë një të “ditur” globale, dhe të mbrujtur në fëmijë me shekuj, duke e shtjelluar në roman, teorinë se vetë Kësulëkuqja shkon, është në kërshëri, është kurioze dhe ka nevojë të përmbushë këto, duke shkuar tek ujku vetë. Kjo në të vërtetë, (po të çmohej në letërsinë tonë), është po e njëjta me pyetjen e Karamazov të Dostojevskit: çka po nëse nuk do të ekzistonte zoti – çdo gjë do të ishte e lejuar!!
Por, ne themi, edhe se njeriu “u bë përrallë”, në popull, që do të thotë u shthur. Po të nisemi nga kjo thënie, lehtë shfaqet intertekstualja e fillimit të këtij teksti e cila më tutje në teorinë poststrukturaliste krijon paradoksin e vetë kulturës, e cila është vetëm një paradoks i vetes së saj, që në fëmijëri tonën mbrun përrallën, dhe në “arritjen” e saj më të lartë e quan shthurje.
Duke iu kthyer romanit në fjalë, të autorit Ag Apolloni, nga sa u tha, është tejet i qartë humanizmi i tij, përpjekja e tij humane dhe me këtë shtjellimi i këtij paradoksi, përmes dy masave narrative, atë të viktimave shqiptare të dhunimit nga serbët, dhe atij të përrallës dhe të, tanimë, të brikolazhuarës cartoon logic (logjikë filmash të vizatur). Por mënyra mjeshtërore si e bën ai këtë është përmes stratifikimit të narrativit të këtij romani, në një shfaqje që përgatitet (tërë këtë jetë) mbi dhunimin gjatë luftës; përmbysjes së përrallës, nga fakti (sipas Tatar, cit. Ag Apollonin në këtë roman)në të kaluarit e saj që është vetë “të bërit përrallë”; dhe më tutje duke e shtjelluar të gjithë këtë në një “seks mes dy shekujsh”, atij të të kaluarit dhe këtij që jemi, pra përmes dy personazheve të tij kryesore, Maksit dhe Loritës.
Në romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” nuk ka një qendër, ku e tëra arrin shpjegimin e saj, dhe ku del “deux ex machine” që shpëton botën. Bota në të vërtetë shpëtohet, përmes këtij romani, apo thënë më saktë, qendra e këtij romani, është e përralluar, është e kthyer përmbys në “të bërit përrallë” të vetë fizikes, faktit, sikur që është kalimi i njërit prej personazheve kryesore në përrallë, dhe me këtë, fshirjes së të tashmes në një të “ardhme” përrallë.
Është më se e ankthshme të jetosh brenda intertekstit prej syve të hapur të kaltër të personazhit të cartoons, që është Spoonge Bob, deri tek sytë e hapur të ujkut në përrallën e Kësulëkuqes. Prej të qenit një karakter dhe më pas në të kaluarit të tjetrit tënd në karakterin e njëjtë, sipas cartoon logic .
Narratori, i romanit në fjalë, dhe po ashtu brenda këtij romani, gjithashtu është studiues i jashtëzakonshëm i dhunës së luftës së fundit në Kosovë. Dhe të gjitha këto së bashku, prej të njohurit e intertekstit në tërë Botën (përkundër universales), në zhbërjen e personales/egos, deri tek të qenit studiues i jashtëzakonshëm, vuan, si një ujk që “ulurin” shndërrimin e themeleve, rrënimin e tyre, dhe të qenit brenda këtij rrënimi.
Në të vërtetë romani “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, si narrativ është i vetëdijshëm për këto shndërrime, ai shtjellohet si shndërrim i tyre, dhe -kalim i tyre, por në të vërtetë gjurma (Derridiane e fshirjes së të tashmes) e tërë – ujqërores – në këtë është vetë ky ankth, kjo ujqëri, ky lëngim ujqëror, dhe ky theks në mungesën e njeriut për një moment të themelueshëm, apo të themeluar. Shndërrimin e pakufishëm dhe të pandalshëm të asaj që një herë është njohur si realitet.
Ky është, në të vërtetë, shënjimi, poststrukturalist, e ai postmodern, në mungesë të shenjës, gjësë, sendit, themelit, i cili e kthen të tërën në cartoon logic përmes shpjegimit të emrit të veturës me prodhim suedez të quajtur Volvo, si rrotullim, si botë që rrotullohet.
Ndoshta në anën e teoretizimeve të pafundme, lexuesi do të pyetet si është e mundur që nëse teoria intertekstuale dhe shtjellimi i narrativit të këtij romani, është përmbysja e lindjes së përrallës si përdhunim, dhe në këtë është identike me – ardhjen – e kapele kuqes, personazhes kryesore të romanit, Loritës (në të cilin etimologjizohet në tërësi ky emër që do të thotë pikërisht Lolita e Nabokov, dhe Kubrick) në shpellën – vetminë ujqërore të personazhit kryesor, mirëpo ky është shënjimi i – volvoizimit – të botës së pa një themel, apo që në rastin më të ankthshëm mund të na kthej tek fjalia e famshme e Karamazovit të Dostojevksit – çdo gjë do të lejohej”.
Aq më shumë ujqëroren njerëzore, atë të ligësisë njerëzore të shprehur nga serbët në luftën e fundit mbi shqiptarët, e përtypë lexuesi në shfaqjen e cila inskenohet një jetë të tërë.
Por, autori, mjeshtërisht, e shtjellon shndërrimin e përrallës iniciuese, në përrallë bashkëkohore, jo vetëm si intertekst, por edhe si mundësi, dhe aq më shumë, inskenimin brikolazh të kësaj shfaqjeje me mjaft patos në brendësinë e romanit, e trajton si ankth i shndërrimit të përrallës, -kalimit të saj në versionet e saj të pandihmëshmërisë së njeriut, të pavërejtshmërisë së ligësisë e vdekjes, dhe të tabusë së ankthit nga lufta.
Një frazë vazhdimisht përsëritet në këtë roman, jo vetëm literalisht, por edhe në ngjarjen e tij, “lufta ka filluar me paqen e bërë”.
Duke iu kthyer, seksuales, në këtë roman, ndërmjet dy personazheve kryesore, ajo tërë kohën, apo thënë më saktë në epshin e saj më kulmor është e egër, ujqërore, “çdo gjë i ngjanë një dhunimi por nuk është dhunim”. E egra, e pakulturueshme në njeriun, apo thënë përkundrazi, sublimimi i ujqërores në njeriun, hasë në një kundërthënie, të kulturores dhe të universales, aq sa edhe një prej personazheve të dramës në inskenim të përjetshëm, në pamundësinë e tyre të të qenit femra i thotë tjetrës “ne të gjitha kemi rolin e kurvës, por varet sa i shfrytëzojmë mundësitë tona”.
Andaj këtu, duke iu kthyer fillimit të këtij teksti mbi këtë roman, kultura si shprehje – shënjim i universales – fizikes, është gjithnjë një represion dhe paradoks: prej ardhjes së kapele kuqes tek ujku narratori, përmbysjes së përrallës për fëmijë në fakt dhunimi, dhunës së pësuar të shqiptarëve në luftën e fundit, dhe seksualja si “ujqërore” brenda njeriut, apo sublimimin i saj, janë pikërisht – shpërrallimi – i kësaj bote, kalimi i themeleve të saj, dhe zhbërja e qendrës në një ‘volvo’, dhe me këtë fshirja e prezencës, duke shfaqur në këtë fshirje vetë gjurmën e inicimit të kësaj bote në themele të dhunshme.
/Gazeta Express