string(47) "eseja-e-javes-manganelli-letersia-si-genjeshter"

Arte

Gazeta Express

03/03/2023 17:46

Eseja e javës / Manganelli: Letërsia si gënjeshtër

Arte

Gazeta Express

03/03/2023 17:46

Giorgio Antonio Manganelli (Milano, 15 nëntor 1922 – Romë, 28 maj 1990) ka qenë shkrimtar, përkthyes, gazetar, kritik letrar, kurator editorial dhe docent, njëri prej teoricienëve më koherent të neoavangardës italiane. 

LETËRSIA SI GËNJESHTËR

Nga Giorgio Manganelli

Para ca kohësh, gjatë një diskutimi, dikush citoi: «Derisa në këtë botë ka fëmijë që vdesin, të merresh me letërsi është e pamoralshme». Dikush tjetër komentoi: «Atëherë pra kështu ka qenë gjithmonë».

Të supozojmë se urtësia e qeverisësve, zemërimi sistematik i të qeverisurve, bashkëpunimi i devotshëm i erërave dhe shirave do të na lejojnë, pas ca gjeneratash, të shpallim: «Prej sot, e hënë, asnjë fëmijë s’do të vdesë më urie». A nuk do të ngrihet atëherë ndonjë njeri i arsyeshëm të na i zërë në gojë vetëvrasjet, vdekjet e hershme, deliktet pasionale, të alkoolizuarit? Apo a nuk do të jetë kjo urrejtje e privilegjuar të cilën e ka gëzuar letërsia gjithmonë, më tepër një shenjë se njeriu, e para së gjithash ajo specie që ne e quajmë njeriu humanist, përherë ka dyshuar se në të fshihet një aktivitet imoral? Dhe a nuk është, ky imoralitet, i ndërthurur në cilësinë e saj prej objekti, funksion, gjest pothuajse njerëzor, e megjithatë e padurueshme për njeriun që sidoqoftë është bartësi i tij?

Ka kafshë me gëzof dredharak, në fytyrat e mprehta dhe prapanicat abstrakte të të cilave shkëlqen një fjalor me imazhe miniaturash. Trupi i tyre është i lidhur fort dhe ndihur nga një sintaksë shenjash; një rrjet izoglosash aventuroze, të ndezura dhe të heshtura, gjymtyrët rastësore i bën diskurs, trill artificial. Një fisnikëri absurde dhe e prerë hijeshon atë trup të huaj që lëviz, flamur i pavetëdijshëm, stof, stemë e egër dhe e shpejtë. Jo ndryshe nga kjo, njeriu bart përreth këtë flamur të kotë dhe prestigjioz, pelerinë dhe shami që nuk përputhet me trupin, këllëf i pasaktë dhe madhështor. Ashtu siç mandrili që nuk mund ta bëjë të turpërohet retorikën e mollaqeve të veta shumëngjyrëshe, po ashtu edhe ne nuk mund ta heqim qafësh, mallkim i lezetshëm, këtë vel të palosshëm foljesh.

Mbase është e vërtetë: letërsia është imorale: është imorale të presësh ndonjë gjë. Do të ishte e padurueshme nëse ajo do të përjashtohej për fare nga dhimbja e njeriut, nëse do të refuzohej t’i mjekoheshin plagët arkaike; por, me paturpësi, me durim mjeshtëror, ajo rrëmon e kërkon dhe nxjerr jashtë mundime, sëmundje dhe vdekje: me indiferencë të pasionuar, me furi të indinjuar, me cinizëm të pashpirt i përzgjedh, vë pranë e pranë, shqep, manipulon, pret. Një plagë e qelbëzuar fryhet në metaforë, një plojë s’është veçse një hiperbolë, një dredhi për ta deformuar gjuhën në mënyrë të pariparueshme, për t’ia zbuluar lëvizjet, gjestet, përfundimet e paparashikueshme. Çdo vuajtje nuk është veçse një mënyrë për t’u pajisur me gjuhën, një mënyrë e saj e veprimit.

S’ka dyshim: letërsia është cinike. S’ka epsh që s’i volit, ndjenjë të përbuzshme, urrejtje, mllef, sadizëm që s’e gëzon, s’ka tragjedi që të mos e eksitojë akullësisht dhe të mos ia nxisë inteligjencën e kujdesshme keqdashëse që e qeveris. Dhe, shikoni, nga ana tjetër, me sa përvojë, me çfarë sarkazmi mendjemprehtë i përdoron shenjat e ndershmërisë. Bukur i moçëm është zemërimi i të drejtëve me letërsinë. Me shekuj akuzohet për hile, korrupsion, fëlliqësi. O është e kotë o është helmuese. Shpërshenjtëruese, perverse, magjeps dhe trondit. Numinoze dhe e ndryshueshme, nuk heziton të përdorë zotat për t’i çshtruar përralla e veta. Por për shkak të asaj ironie aq të shijshme që ia përcakton fatin, vetëm ajo di ta celebrojë në mënyrën e duhur madhështinë, lavdinë e atij zoti që ajo e degradon dhe fisnikëron në personazh, hipotezë, hiperbolë. Hedhësi i tmerrshëm i rrufeve, me të hyrë në rrjetën e brishtë të retorikës, resht së ekzistuari plotësisht, shndërrohet në shpikje, lojë, gënjeshtër.

E korruptuar, di të shtiret e mëshirshme; e deformuar në mënyrë të shkëlqyeshme, imponon koherencën sadiste të sintaksës; ireale, na  ofron epifani të pafundme të paharxhueshme iluzionistike. Pa ndjenja, i përdor të gjitha. Koherenca e saj lind nga mungesa e sinqeritetit. Kur hedh tutje shpirtin e vet, e gjen fatin e vet.

Çdonjëri mund t’i avitet: askush s’do të largohet soje i paprekur. Bile: askush nuk është imun. S’ka shenjtor aq të egër që të mos e ketë në vete qelbin e letërsisë. Ciceronianus sum. Nga këtu dashuria dhe furia arkaike për këtë gjë të admirueshme dhe të ndyrë, këtë kafshë të egër dhe të butë, djallëzisht gjithëngrënëse. Ndokush – në mesin e të cilëve shkrimtarë të mëdhenj jo të rrallë – shkoi me mendjen ta hiqte qafësh letërsinë për fare. Kacafytje e këndshme me të brendshmet e veta. Të tjerët, liberalë dhe humanistë, deshën dhe dëshirojnë ta riedukojnë. Periodikisht, ndokush ëndërron një Pastor të Shkëlqyeshëm përfundimtar, një Mbretëri ku xhentëlmenë jodoktrinorë me zë hundor do ta edukojnë letërsinë për misione të fisme. Ose, me vlug avokatesk dhe dhelpëri kasisti, zbulojnë se mbas së gjithash letërsia tashmë bashkëpunon me fatet më të mira të njeriut, është ndriçuese dhe e gjindshme. Fërrojnë soje epidermën e metaforave derisa të dalë jashtë Shpirti i Kohës dhe një kullesë e lëngët, bardhoshe, që është Weltanschauung. Por ajo, kurtizane me vokacion, refuzon të bëhet grua virtuoze, shoqe e ndershme dhe e pa hile. Kot i vërsulen që të bëhet edukatore e fëmijëve të shëndoshë dhe heteroseksualë, bashkëshorte e mbytur nga punët dhe elegante. Nga kurtizane do të bëhet prostitutë portesh, kurvë kamionistësh. Ne vdekatarëve na e kundërvë parapëlqimin e saj për vdekjen, figurë retorike e pazëvendësueshme.  

Është skandal i pashueshëm. Për këtë është aq e vështirë të jemi totalisht sectatores të saj. Bota na ngashënjen, dëshiron të jemi xhentëlmenë. Letërsinë mund ta përkufizojmë një adunaton, një gjë të pamundshme, duke e shndërruar të gjithën në një figurë retorike. Është indiferente ndaj njeriut. Mban kontakte me të vetëm në masën në të cilën ai resht së qeni njeri. Në çastin kur ia arrin ta bindë, edhe në mënyrë implicite, se vuajtja, padrejtësia dhe tmerri nuk janë tjetër veçse gradus ad Parnassum, sajesa për zbulimin e një sintakse të papërsosshme, e posedon: e çon te mëkati i pariparueshëm, e bën brinjar, vrasës e rrenc dhe lumturisht të tillë. E kurorëzon dezertor.

S’ka letërsi pa dezertim, mosnënshtrim, indiferencë, refuzim të shpirtit. Dezertim nga çfarë? Nga çdo bindshmëri solidare, çdo miratim i ndërgjegjes së mirë të vetes a të të tjerëve, çdo urdhërese shoqërore. Shkrimtari zgjedh në radhë të parë të jetë i kotë; sa herë i është përplasur për surrati paturpësia e moçme e njerëzve të kotë: «lolo». Le të jetë: shkrimtari është edhe lolo. Është fool: qenia vagëllimisht njerëzore që bart mbrapshtinë, rrengun, indiferencën deri afër pushtetit vrasës. Loloja nuk ka një vend historik, është një lusus, gabim.

Fundamentalisht asocial, dezertorit do t’i duhet t’i llogarisë dredhitë e ikjes sipas strukturave shtrënguese të kohës së tij. E ka zët rendin dhe ndërgjegjen e mirë, kompliciteti i njërës a tjetrës është vdekjeprurës për të. Aty ku triumfon ai middle aged qesharak, Njeriu, ai duhet të ngërdheshet, të shmanget, t’ia mbathë. Përditshmërisht, me një gjest tragjik dhe të saktë, duhet të harret nga mitet euforike të ndërgjegjes së pandershme të mirë: urtësi kolektive, progres dhe drejtësi. Me shikimin e paqetë, frikacak, tërthorazi, i palodhshëm i kërkon shenjat e dhunës, hieroglifë mineralë mbi dorën pjesërisht njerëzore, myshku që rritet në gojën tonë, plagët gjeometrike të dekompozimit; qëndron nga ana e vdekjes, padrejtësi lëbyrëse, vështirësisht e përsosshme, paradoks i shijshëm, vend ironik ku arrijmë kur reshtim së ecuri. Përzgjedh si strehë të veten galeri të paasfaltueshme. Ka nevojë për një liri të posaçme, të ndryshme për çdo shkrimtar: sidoqoftë një liri jo «liberale», dhe që në të vërtetë liberalen nuk e toleron, rrënuese, blasfeme. E ngulfat liria dashurore, që ka shije bashkëpunimi të ndershëm perfeksionist. Mund të mbijetojë në çfarëdo atmosfere, sado të infektuar. Aty ku mbretëron errësira e optimizmit ai është klandestin, bart me vete, me kujdes priftëror, tabernakullin e helmeve. Natyrisht anarkik, është përherë në kontakt me ato korridore të ferrit, dëng me perde dhe bërryla nëntokësorë, ato labirinte në të cilat shikimi virtuoz i njeriut humanist nuk guxon të aventurohet.

Anarkike, letërsia pra është utopi; për këtë pandërprerë tretet dhe koagulohet. Siç është tipike për utopitë, ajo është fëmijërore, irrituese, tronditëse.

Të shkruash letërsi nuk është gjest social. Mund të gjejë një publik; megjithatë, në masën që është letërsi, ajo nuk është tjetër veçse marrësi provizor. Krijohet për lexues të pasigurt, që do të lindin, të destinuar të mos lindin, tashmë të lindur dhe të vdekur; edhe, lexues të pamundshëm. Jo rrallë, si në diskursin e të marrëve, presupozon mungesën e lexuesve. Për rrjedhojë, shkrimtari heq zor ta mbajë hapin me ngjarjet; si te komikat e vjetra, qesh dhe qan pa vend. Gjestet e tij janë pa hijeshi dhe në mënyrë klandestine të sakta. Bukur i papërsosur është bashkëbisedimi i tij me bashkëkohorët. Është një rrufe e vonë, fjalimet e tij janë jointeligjente për shumicën, për vetë atë. Aludon te ngjarje të ndodhura pas dy shekujsh, që do të ndodhin tri gjenerata më parë.

Të punosh në letërsi është një akt i përulësisë perverse. Ai që përdoron objekte letrare është i përzier në një situatë provokimi linguistik. I zënë në rrjetë, i shpëlarë, i zhytur në një intrigë orbitash verbale, i nxitur nga sinjale, formula, lutje, tinguj të pastër të ankthshëm të një vendlidhjeje, i lëbyrur dhe djegur nga rrufetë, përshkime të gabuara fjalësh, voyeur dhe ceremonial, ai është i thirrur të japë dëshmi mbi gjuhën që i përket, që e ka zgjedhur, e vetmja në të cilën tolerohet të ekzistojë; kushti i vetëm stabil dhe real, sado që aspak ireal dhe në gjendje të pasigurt; ekzistenca e vetme, bile, duke e pranuar për asgjë tjetër veçse një mendjemprehtësi të vetë gjuhës, një sajesë të tij, mbase gjenitalet e tij ektoplastike.

Mbështjellë në dredha, në sferën e gjuhës së tij, shkrimtari jo vetëm që nuk është bashkëkohor me ngjarjet që kanë arritur të kenë një kronologji të papërputhshme me biografinë e tij, por nuk është bashkëkohor as me ata shkrimtarët e tjerë me të cilët bashkëjeton, përveç se kur edhe ata vetë janë të përzier në të njëjtën gjuhë: gjendje, kjo, metafizike, jo historike. Bile ndodh, që, për shkak të nevojës mujshare të gjuhës, jostabilitetit të tyre plaçkitës dhe pabesisë natyrore të mondanëve, shkrimtari të jetojë në bashkëkohësi të pavijueshme me vetveten. Pra, jo ngjarjet historike, jo lejekalimi i historive letrare na lejojnë qasje në letërsi, por përkufizimi i gjuhës që strukturohet në të. Siç u ndodh dëshmitarëve, shkrimtari «nuk di»: por mënyra e tij është një mënyrë lartësisht specifike e të mos diturit. E injoron plotësisht kuptimin e gjuhës në të cilën është ngatërruar, nga këtu fuqia e tij, zotësia e tij që ta jetojë si magmë, grumbull gënjeshtrash të pamundshme false, iluzionizma, lojëra dhe ceremoni. E megjithatë është po ashtu një njeri që vepron rëndë mbi një materie kundërshtuese dhe të paepur. Përmes gjuhës, përfundimtare dhe iluzore, jostabile dhe agresive, duhet të ndërtojë një objekt, përsosja e fortë kompakte e të cilit duhet ta mbyllë një dinamikë ambiguiteti. Nuk punon simbas trillit a fantazisë, por simbas  bindjes; mundohet të kuptojë çka dëshiron gjuha prej tij, zot barbar dhe rrëmbyeshëm orakullar. Devotshmëria e tij është fanatike dhe e papërshtatshme. Gjatë përpunimit të objektit verbal, kjo gjendje e injorancës së urtë është penguese. Ai di ta bëjë në mënyrë të përsosur vetëm atë që nuk e njeh. Objekti që lind nga kompliciteti i shkencës së tij dhe nga injoranca e tij është plotësisht i paarritshëm. E di se është një mekanizëm, i prodhuar sipas rregullave, unike dhe të domosdoshme, me të cilat prodhohen mekanizmat: por ai e injoron për fare në cilat dhe në sa atentate, nga çfarë duarsh, do të hidhet ky eksploziv e pashtershëm; dhe e ndih vetëm shpresa klandestine e urryeshme që, me kohë, do të përfundojë me ofendimin e të gjithëve. Pra, autori nuk e di nuk, duhet të dijë për punën e vet as aq sa dinë të tjerët. Më tepër: ai e ka përshtypjen e errët se ajo qenie ambigue që ai e ka sjellë në dritë me anë të calliditas corporale dhe mosdijes heroike të nënave, do të dhunohet nga çdo vullnet për të kuptuar atë që dëshiron të thotë. E sado që e di se e ka destinuar për atë dhunim qysh nga fillimi, mendimi se dëshiron të shpjegojë «çka dëshiron të thotë» e zhyt në një gabim instinktiv. Një vrull natyror do ta çojë të thotë përherë jo, ose tamam të mos kuptojë atë që të tjerët e «kuptojnë». Objekti letrar është i errët, i dendur, do të thosha i majmë, i marrtë, plot me palë rastësore, i ndryshon vazhdimisht vijat dhe çarjet, është një intrigë e heshtur fjalësh zanore.

Plotësisht ambiguo, i përshkueshëm në të gjitha drejtimet, është i pashtershëm dhe i pakuptimtë. Fjala letrare është pafundësisht e tumirur: ambiguiteti i saj e bën të pakonsumueshme. Në mishin e saj të brishtë të pakorruptueshëm nuk fsheh ndonjë tumor Weltanschauung-i.

(Paragraf i gjaknxehtësisë periferike: nga ky «të mos ditur» i egër lucid, deduktohet se shkrimtari nuk hyn në sindikatën e mikste të intelektualëve.

Por shkrimtari u bë më i pafytyrë se sa që dëshirohej të pranohej, në mbrojtje të dekorit të tij social dhe historik, në këtë gjendje të pestë qesharake. Më mirë të quhet «lolo». S’do mend, figura mjaftueshëm neveritëse e intelektualit është një sajesë humanistike dhe sot përfaqëson reagimin genteel).  

Vepra letrare është artificie, një artefakt me destinim të paqartë dhe ironikisht fatal. Artifici përmbyll në vete, ad infinitum, artificie të tjera; një fjali i sajuar metalikisht fsheh një metaforë gumëzhitëse; duke e shteruar do t’i vëmë në liri dy fjalë të sakta, zgavra fonemash lucide. Në trupin e fjalisë, fjalët renditen me ashpërsi të çrregullt, si vallëzues abstraktë ceremonialë: tentojnë hipalazhin që i vendos në një afelium reciprok, kiazmën që i rendit në palëvizshmëri spekuluese; rreshtohen në procesionin e rrokjezuar të anaforës, përdorin marramendjen e oksimoronit, mosbindjen e butë të anakolutit; tmesi mimizon sulmin skizofrenik, homeoteleutoni është ekolali e pastër. Në mënyrë reciproke, një strukture demenciale i korrespondon artikulimi i një retorike. Ligjërata mbrojtëse paranoike integrohet në monologun maniako depresiv. Objektiv konstant i sajesave retorike është gjithmonë ndjekja e një ambiguiteti të pareduktueshëm. Destini i shkrimtarit është të punojë me vetëdije gjithnjë e më të madhe mbi një tekst gjithnjë e më të huaj për kuptimin. Eksorcizma frigjidë ia heqin siguresën dinamikës tërbuese të sajimit gjuhësor.

Imazhet, fjalët, strukturat e ndryshme të objektit letrar detyrohen të bëjnë lëvizje që kanë ashpërsinë dhe arbitraritetin e ceremonisë; dhe pikërisht te ceremonialiteti letërsia arrin kulmin e zbulimit mistifikues. Të gjithë zotat, të gjithë demonët i përkasin, ngase janë të vdekur: e pikërisht ajo i ka vrarë. Por, njëkohësisht, ka nxjerrë soje fuqinë, indiferencën, trillin magjistar. Letërsia organizohet si një pseudoteologji në të cilën celebrohet një univers i tërë, fundi dhe fillimi i saj, ritet e saj dhe hierarkitë e saj, qeniet e saj të vdekshme dhe të pavdekshme: e gjitha është e saktë dhe e gjitha është e rreme. E këtu mblidhet dhe kërcen provokimi fantastik i letërsisë, pabesia e saj heroike mitologjike. Me fjalitë e saj «pa kuptim», pohimet «e paverifikueshme», sajon universe, simulon ceremoni të pashtershme. Ajo posedon dhe qeveris hiçin. E rregullon sipas katalogut të vizatimeve, shenjave, skemave. Na provokon dhe sfidon, duke na e ofruar një gëzof iluzor araldik të bishës, një mekanizëm, një zar, një relikt, ironinë hutuese të një steme.

Marrë nga Giorgio Manganelli ‘La letteratura come menzogna’, Adelphi, 1985

/Përkthimi: Gazeta Express